TIRANË Pas shpërthimeve që tronditën dje Tiranën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ka deklaruar sot para mediave se nga provat e para gjykohet se eksplozivët janë vendosur nga i njëjti person. Po ashtu, ai theksoi se “i kemi orientuar hetimet, jo vetëm ndaj autorëve, por edhe ndaj atyre që e armatosin atë dorë dhe në këtë pistë, ne përfshijmë ata persona që për shkak të veprimtarisë së tyre kriminale mund të jenë të interesuar të krijojnë destabilitet.”

Didi dha të dhëna për secilin prej shpërthimeve, duke nisur nga ai në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri. Ai theksoi se “kanë filluar hetimet intensive nga Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si shoqërim dhe pyetje të dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për rrethana të ngjarjes, kqyrje dhe marrje e pamjeve të kamerave filmike, ekzaminime të provave materiale të grumbulluara në vendngjarje dhe veprime të tjera me interes në hetim.

Ngjarje të tilla kriminale, – vërejti kreu i Policisë,- të cilat synojnë të krijojnë klimën e pasigurisë dhe të mungesës autoritetit të shtetit, të kualifikuara si akte të pastra terroriste, tregojnë rritjen e agresivitetit të grupeve të krimit të organizuar, të strukturave mafioze kriminale, fijet e të cilave kanë depërtuar në struktura të ndryshme të organizimit të shoqërisë Shqiptare, per shkak se fusha e lojes se tyre po ngushtohet vazhdimisht. Ata janë të interesuar që të krijojnë situata destabiliteti sa herë që organet e zbatimit te ligjit, apo strukturat e shtetit nuk janë pjesë e lojës së tyre. Kujtoni Falkonen dhe Borselinon, – theksoi Didi në fjalën e tij.

DEKLARATA E PLOTE E DREJTORIT TE POLICISE

Gjate natës dhe në të gdhirë të datës 10.02.2013, në qytetin e Tiranës janë evidentuar dy ngjarje me shpërthim eksplozivi dhe një mbetur në tentativë dhe konkretisht:

Rreth orës 02.50, të kësaj date është marrë njoftim se në vendin e quajtur Rruga “Kongresi i Manastirit” dhe pikërisht në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri, ka patur një shpërthim në njësinë e jashtme të kondicionerit të dyqanit duke dëmtuar atë dhe pjesën e anësore të murit të jashtëm të farmacisë. Me të marrë njoftimin shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe menjeherë është formuar grupi hetimor i cili filloi me veprimet proceduriale për zbulimin e mekanizmit të kryerjes së kësaj vepre kriminale, të autorëve dhe motiveve të saj.

Gjate kqyrjes së vendit të ngjarjës ka rezultuar se në faqen e jashtme të murit anesor, të pjesës perendimore të godinës dhe pikerisht në vendin ku është montuar njësia e jashtme e kondicionerit të farmacisë ka qënë vendosur një sasi lënde eksplozive, nga shperthimi i të cilës është dëmtuar plotësisht njesia e jashteme e kondicionerit, një pjesë e murit të jashtëm të farmacisë, si dhe janë thyer xhamat e vetratave të lokaleve pranë farmacisë.

Nga mostrat e marra nga bloza në faqet e murit, në afërsi të vatrës, si dhe prova me “kite”, rezulton se lënda plasëse është tritol e përllogaritur në një sasi rreth 400gr. Mekanizmi i shpërthimit ka qenë me komandim në distancë me celular.

Disa minuta më vonë, rreth orës 03:56 minuta, është marrë njoftimi nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, se në rrugën “Arben Minga” dhe konkretisht në pallatin nr. 46/7, kishte ndodhur një shpërthim. Shërbimet policore kanë shkuar në vendngjarje menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe gjithashtu është ngritur grupi hetimor, në përbërje të të cilit ka pasur specialistë të hetimit për krimet, ekspertë kriminalistë, ekspertë xhenierë, etj. Në vendin e ngjarjes është konstatuar se në pallatin e sipërpërmendur dhe pikërisht në katin e pestë kishte ndodhur një shpërthim. Nga verifikimet e bëra në vendin të ngjarjes rezultoi se banesat në katin e pestë i përkasin shtetasve: Alfred Hasan Nomani, vjeç 47, me detyrë oficer policie dhe shtetasit Enver Isa Frengjaj, vjeç 55. Nga verifikimet rezultoi se në banesën e shtetasit Alfred Nomani në momentin e shpërthimit nuk ka pasur njerëz, ndërsa në banesën e shtetasit Enver Frengjaj ishin familjarët të cilët nuk kanë pasur dëmtime nga shpërthimi.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, provave materiale të gjetura dhe të sekuestruara dhe analiza e bërë nga ana e ekspertit xhenier dhe kriminalistë u konstatua se: ngarkesa ka qenë e vendosur në parapetin e shkalleve, në faqen e murit të apartamentit të shtetasit Alfred Nomani, në anën e majte të derës kryesore, në lartësi 1 meter nga sipërfaqja e dyshemesë.

Gjithashtu, është konstatuar dëmtimi i dy dyerve, i mureve rrethues të shesh pushimit, shenja bloze u konstatuan në sipërfaqen e tavanit, rënie e suvasë së mureve të tavanit si edhe rrëzimi i pjesshëm i murit mbrojtës të parmakut të shesh pushimit që lidh katin e katërt me katin e pestë.

Në vend ngjarje u gjetën dy copra mbeteje, në dukje si fitil zjarr përcjellës ngjyrë të verdhë, me gjatesi 35cm dhe 90 cm, të djegura dhe me erë karakteristike të barutit të djegur.

Nisur nga provat e gjetura në vendngjarje u arrit në konkluzionin se lënda plasëse është e llojit tritol, e përllogaritur në një sasi rreth 400 gr. Mekanizmi i shpërthimit të lëndës plasëse në këtë ngjarje është ai shpërthimit me zjarr.

Po në datën 10.02.2015, punonjesit e policise Agron Musta dhe Kastriot Cenko të cilët kanë qenë me shërbim, pikë kontrolli te Ura Vasil Shanto, rreth ores 06:10-06:15 janë njoftuar nga nje qytetar se tek stacioni autobuzit të Unazës kishte një pako të dyshimtë. Dy punonjesit e policisë kanë shkuar në vend dhe kanë parë se pako ishte e amballazhuar dhe mbeshtjellë me një plasmas të zi. Në krye të pakos dallohej një fund kapsolle me nje tel të vogël. Kanë njoftuar menjëherë sallën operative me telefon dhe pergjegjësin, pasi kjo pako ndodhej pranë stacionit të autobuzit.

Pasi ka mberritur përgjegjesi dhe sherbimet shtese kanë filluar të largojnë qytetarët nga zona e rrezikut. Kanë ruajtur vendin ku ishte vendosur pako deri në mbëritjen e eksperteve dhe shefave përgjegjes.

Ne lidhje me këtë fakt është bërë kqyrja e vendit të ngjarjes dhe më pas është proceduar me metoden e shpërthimit të kontrolluar e cila u krye nga ana e specialisteve xhenier të repartit renea. Pas këtij veprimi ka vazhduar kqyrja e vendit të ngjarjes ku në bazë të kqyrjes janë fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pako e mbeshtjellë me natriban me ngjyrë të zezë brenda të ciles është gjetur një lënde me ngjyrë bezhë e ngurtë e ngjashme si ajo e llojit tritol, e cila rezultoi te jete në permasat e dy kallëpeve me rreth 400 gr., një kapsolle elktrodetonatore, një copë lënde e ngurtë e njëjtë me ngjyrë bezhë, si dhe prova të tjera materiale me inters për hetimin. Mekanizmi i shpërthimit ka qenë me komandim në distancë nëpërmjet celularit.

Në lidhje me ngjarjet e mesipërme kanë filluar hetimet intensive nga Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke kryer një numër të madh veprimesh proceduriale, ndër të tjera si shoqerim dhe pyetje të dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për rrethana të ngjarjes, kqyrje dhe marrje e pamjeve të kamerave filmike, ekzaminime të provave materiale të grumbulluara në vendngjarje dhe veprime të tjera me interes në hetim.

Ngjarje të tilla kriminale të cilat synojnë të krijojnë klimën e pasigurisë dhe të mungesës autoritetit të shtetit, të kualifikuara si akte të pastra terroriste, tregojnë rritjen e agresivitetit të grupeve të krimit të organizuar, të strukturave mafioze kriminale, fijet e të cilave kanë depërtuar në struktura të ndryshme të organizimit të shoqërisë Shqiptare, per shkak se fusha e lojes se tyre po ngushtohet vazhdimisht.

Ata janë të interesuar që të krijojnë situata destabiliteti sa herë që organet e zbatimit te ligjit, apo strukturat e shtetit nuk janë pjesë e lojës së tyre. Kujtoni Falkonen dhe Borselinon. Por tashmë kjo nuk është një punë personash, kjo është një frymë ndergjegjësimi për zbatimin e ligjit që po futet në polici dhe në gjithë strukturat ligjzbatuese, pasi janë vetë njerëzit që e kërkojnë. Vitet e kaosit për shqiptarët kanë marrë fund.

Hetimet tona janë orientuar jo vetëm drejt autorëve të mundshëm të këtyre akteve, por edhe për të zbuluar: Kush e armatos dorën kriminale që ngrihet kundër njerezve apo familjareve të atyre që luftojnë krimin? Kush e ushqen urrejtjen ndaj ligjit dhe institucioneve që përfaqesojnë atë? Policia e Shtetit edhe njëherë thekson se është e vendosur në luftën e saj kundër krimit dhe sidomos kundër akteve të tilla terroriste që synojnë të ngjallin panik tek qytetarët dhe njekohesisht garanton se do të zbulojë autorët dhe do i çojë ata para drejtesisë.

Policia siguron qytetarët se është në kontroll të plotë të situatës dhe këtë e tregojnë statistikat e vitit të kaluar, por edhe ato të fillimit te këtij viti, të cilat kanë qenë të pakrahasueshme me nje vit më parë. Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin dhe ndihmën e qytetarëve për të kontribuar sëbashku në zbulimin e autoreve të veprave kriminale dhe krijimin e një mjedisi sa më te sigurtë për të gjithë.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb