Ish-eurodeputeti Knut Fleckenstein deklaroi se Shqipëria është në rrugën e duhur, drejt Bashkimit Europian, ndërsa reforma në drejtësi që po ndërmerret në vendin tonë sipas tij nuk mund të gjendet në asnjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor.

I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ Fleckenstein tha se politika shqiptare duhet t’i marrë seriozisht këto 15 kushte të vendosura nga Bundestagu, por sipas tij nga ana tjetër dhe BE ka detyrën e saj që të mbajë premtimet.

PJESË NGA INTERVISTA
Gjatë kohës si raporter për Shqipërinë, jeni shprehur gjithmonë se s’ka kushte të reja për Shqipërinë por detyra për të bërë. “Vendosni dorën në zemër për Shqipërinë”, u jeni drejtuar kolegëve për negociatat. 15 kushtet si i shihni tani?

Unë e di që parlamenti gjerman ka vendosur disa kushte për qeverinë se çfarë duhet të bëhet para se të bihet dakord për Shqipërinë, e di që edhe këshilli e ka diskutuar këtë dhe komisioni tashmë po bën kornizën për nisjen e negociatave. Nuk duhet të mendojmë që të 15 këto kushte të ashtuquajtura kushte, duhet të përmbushen para konferencës së parë ndërqeveritare, por është e vërtetë që në Bruksel, njerëzit vënë theksin te reforma në drejtësi që institucionet të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar dhe për të zgjidhur problemet me gjykatën e lartë apo kushtetuese. Ligji elektoral do të jetë shumë i rëndësishëm gjithashtu. Do të jetë hapi tjetër për të ecur përpara.

Në c’rrugë është integrimi i Shqipërisë për në BE, a është në rrugën e mbarë?
Po, mendoj se Shqipëria është në rrugën e duhur. Reforma në drejtësi që po bëni ju nuk mund ta gjeni në asnjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor. Mund të jetë pak e ngadaltë sepse është pritur opinioni i Komisionit të Venecias. Nëse Institucionet tashmë bashkëpunojnë, Shqipëria mund të jetë krenare për këtë reformë, sepse jeni ndër vendet e vetme që keni bërë një reformë kaq radikale dhe sidomos pas opinionit të Venecias, shpresoj shumë që institucionet ta gjejnë një mënyrë për të ecur përpara.

A ka gjasa që Shqipëria për shkak të kushteve të vendosura të mbetet pas Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave me BE-në?
Unë mund të mendoj që mund të jetë një çështje e tillë, por kancelarja gjermane është e bindur se nuk është kjo mënyra se si duhet të ecim përpara. Por gjithashtu është shumë e rëndësishme ta theksoj se reforma në drejtësi, sundimi i ligjit është diçka që duhet bëhet përpara. Doja të jepja një mesazh: Merrini seriozisht këto 15 pika, por edhe BE ka detyrën të saj duhet të jetë i besueshëm dhe t’i mbajë premtimet që i ka dhënë Shqipërisë. Patjetër që ka edhe probleme në Bruksel se si duhet të ecet me institucionet, por jo gjithmonë duhet vënë gishti te Tirana, duhet ta vënë gishtin edhe te vetja e tyre, ndaj duhet ecur përpara.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: