Nga: AURORA KOROMANI*TIRANE-Digjet makina e komandantit të grupit “Shqiponja” në kryeqytet. Ngjarja është shënuar pak pas mesnatës së të enjtes, teksa përballë ish-Ekspozitës ka marrë flakë automjeti personal tip “Benz” i efektivit Ferit Saliasi. Mësohet nga burime policore se automjeti ka qenë i parkuar në momentin e djegies, ndërkohë që bashkë me të ka marrë flakë edhe makina e shtetasit A.T. Blutë e Tiranës bëjnë me dije se menjëherë pas marrjes së informacionit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Dyshimet e para janë lidhur pikërisht me detyrën që mban Saliasi si komandant i grupit “Shqiponja”, por edhe me detyrat e tij të mëparshme pranë Komisariatit Nr.2. “Dyshimet e mia janë që ngjarja ka lidhje me detyrën që unë kryej si efektiv policie”, pohon për “Gazeta Shqiptare” Saliasi.
INTERVISTA
Ka qenë në shërbim kur ka marrë vesh lajmin se automjeti i tij kishte marrë flakë. Komandanti Saliasi ka marrë njoftimin në radio se një makinë po digjej para ish-Ekspozitës dhe kur ka shkuar në vendin e ngjarjes ka mësuar se bëhej fjalë pikërisht për makinën e tij. Edhe vetë efektivi dyshon se ngjarja ka lidhje me detyrën që ai kryen.
Komandant, si e morët vesh për lajmin se makina juaj po digjej?
Unë në orën 18:30 parkova automjetin para ish-Ekspozitës se mora shërbimin. Në mes të natës mora njoftimin në radio se përballë ish-Ekspozitës po digjej një makinë, por nuk mendova se mund të ishte makina ime. Shkova në vendin e ngjarjes dhe aty zbulova se në fakt po digjej makina ime.
Ju, keni pasur konflikte apo kërcënime kohët e fundit?
Unë kam bërë disa detyra në radhët e policisë, por kohët e fundit nuk kam pasur konflikte me njeri apo të kem pasur kërcënime që ta di dhe të marr masa apo të ruhem. Prandaj, nuk e di edhe vetë se përse ka ndodhur kjo ngjarje.
Keni dyshime te njeri për ngjarjen që ka ndodhur?
Nuk kam dyshime te njeri, nuk di kujt t’ia vë gishtin dhe të them se është ai autori i djegies së makinës sime.
Mendoni se ngjarja ka lidhje me detyrën tuaj si efektiv policie?
Dyshimet e mia janë që ngjarja ka lidhje me detyrën që unë kryej si efektiv policie, pasi unë nuk kam konflikte personale me asnjë njeri.
(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: