DIHA, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri, është zëri i biznesit gjerman në Shqipëri. Rezultatet e një anketimi me kompanitë anëtare të DIHA, të kryer në muajt e parë të këtij viti, të prezantuara në një konferencë për shtyp, të zhvilluar të hënën (07.05) në selinë e amabasadës gjermane në Tiranë, tregojnë që klima aktuale e biznesit në Shqipëri ka marrë një notë më të lartë se një vit më parë. Sipas tyre, 75 % e kompanive të anketuarve e kanë vlerësuar situatën ekonomike aktuale si të “mirë”ose “kënaqshëm”. Ndërsa situata për vetë bizneset shënon një rënie prej 8 % në krahasim me një vit më parë.

Barra tatimore dhe administrate publike – faktorë pengues për investimet e huaja
Harmut Jarosch, Drejtor Ekzekutiv i DIHA që prezantoi të dhënat e anketimit lidhur me nivelin e tërheqjes së invetitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri thekson: “Kostoja e punës, produktiviteti, motivimi, kualifikimi, disponueshmëria e punonjësve si edhe fleksibiliteti në të drejtën e punës kanë marrë më shumë vlerësim sesa një vit më parë. Vlerësim më të ulët kanë marrë barra tatimore, sistemi dhe administrata tatimore”, theksoi Harmut Jarosch. Anketimi tregon se 77 % e kompanive të anketuara do të investonin përsëri në Shqipëri. Për qëndrueshmërinë e investimeve, Shqipëria renditet para Maqedonisë, Kosovës, Kroacisë dhe Letonisë.

Forca e punës në Shqipëri me kualifikim të pamjaftueshëm
Anketimi i DIHA i ka kushtuar vëmendje edhe nivelit të përgatitjes së forcës së punës në Shqipëri për t‘iu përgjigjur nevojave të kompanive. Vetëm 11% e të anketuarve mendojnë se niveli i përgatitjes se tyre i përgjigjet kërkesave të kompanive, 64 % mendojnë se niveli aktual i arsimimit është “pjesërisht “në përputhje me kërkesat e kompanive dhe 25% mendojnë që ai nuk u përgjigjet. Shumica e të anketuarve, 75% e tyre, mendojnë se kompanitë duhet të ofrojnë trajnime profesionale në përputhje me nevojat e kompanive.

Bizneset gjermane në Shqipëri- pritshmëri për të rritur të ardhurat e tyre
Përmirësimi i klimës së biznesit ka rritur pritshmëritë për rritje të të ardhurave të biznesit për kompanitë gjermane dhe kompanitë që janë anëtare të DIHA në Shqipëri. Rezultatet e anketimit tregojnë se 56 % e kompanive të anketuarva presin rritje të të ardhurave dhe 33 % e tyre mendojnë se niveli i të ardhurave do të jetë i njëjtë me atë të një viti më parë. Por gadishmëria e kompanive për të rritur numrin e punonjësve është rritur nga 31 % vitin e kaluar në 39% këtë vit. 47 % e të anketuarve nuk planifikojnë ndryshime në numrin e të punësuarve në kompanitë e tyre. Vetëm 14% e të anketuarve presin të shkurtojnë numrin e punonjësve.

Anketim në Rajonin e Europës Qendrore dhe Jug-Lindore
Anketimi i DIHA në Shqipëri është pjesë e anketimeve të njëjta online në gjithe rajonin e Europës Qendrore dhe Jug- Lindore mbi klimën e biznesit dhe investimeve. Në këtë anketim morën pjesë përfaqësitë gjermane të tregtisë në gjithë Europën Qendrore dhe Jug-Lindore dhe 1.421 kompani nga të cilat 38 ishin nga Shqipëria. DIHA përfaqëson interesat e biznesit gjerman në Shqipëri dhe kryen shërbime këshillimi për kompanitë gjermane dhe shqiptare në kërkime tregu./dw/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb