Në librin e tij “Në Vetërrethim” të botuar disa vite më parë, Dr. Jorgji KOTE, Mjeshtër i Madh, ka përshkruar disa aspekte sa interesante aq dhe intriguese në të kaluarën moniste. Duke qenë për dekada përkthyes i njohur zyrtar dhe shoqërues me shumë grupe turistike dhe delegacione të partive ( m – l) si dhe ekspert dhe drejtor në ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme ai ka treguar thjesht dhe me vërtetësi shumë fenomene dhe ngjarje jo shumë të njohura të asaj periudhe.
Në këtë rast interesi është i madh mbasi rrëfimet i takojnë një qytetari dhe zyrtari aktiv të përfshirë në ingranazhet e sistemit të kaluar dhe në ngjarjet madhore të asaj periudhe të vështirë. Këto janë pasqyruar dhe në librin në gjuhën angleze të po këtij autori “True Stories from Red Albania (Ndodhi të vërteta nga Shqipëria e Kuqe”) e cila është pritur me jehonë dhe në median dhe publikun e huaj në Austri, Belgjikë, Luksemburg dhe gjetkë.
Redaksia po boton disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që lidhen me tregtinë e jashtme, turizmin, lëvizjen marksiste – leniniste, qëndrimet armiqësore ndaj fesë, revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës, vullnetarizmin e detyruar dhe parrullat kryesore të kohës në periudhën 1965 – 1990, të cilat autori i ka jetuar aktivisht qysh në periudhën e shkollës dhe më vonë në shërbimin e jashtëm deri në agimin e demokracisë më 1990.
Sot vazhdojmë me kreun e qëndrimit armiqësor të regjimit monist ndaj fesë.
***
Diktaturë (e) pa fe!
E tillë u bë “ diktatura e proletariatit” pas vitit 1967 dhe thirjes së mësipërme që ndezi fitilin e një zjarri në të gjithë vendin; zjarr i cili, për fatin tonë të keq, shkrumboi edhe shumë tradita dhe zakone të mira fetare, si dhe mbi 2.000 kisha, xhami, tyrbe, teqe,vakëfe, etj. Në këtë periudhë, natyrisht me porosi nga lart, Shkolla e Mesme “Naim Frashëri” në Durrës, mori nismën revolucionare për të luftuar zakonet prapanike, për të mbyllur e shkatërruar të gjitha institucionet fetare e për të ndaluar ushtrimin e gjithë riteve fetare. Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, duke ia kaluar edhe BS së kohës së Stalinit! Në që i kemi jetuar aktivisht ato momente, na vinte për të qeshur kur nga propaganda jonë edhe në fund të viteve 80, të huajve vijohej t’u thuhej se “ vetë populli nuk e donte fenë, sepse asgjë të mirë, por veç të këqia kishjim patur prej saj” Pas shpërthimit të nismës së lartpërmendur, si aktivistë rinie, ne na thirnin nëpër takime dhe mbledhje me nismëtarët, duke dhënë udhëzime të qarta për mbështetjen e saj.
Ajo që ndodhi ishte diçka që kur e mendojmë sot, me ndërgjegje qytetare dhe fetare, na duket vërtet e llahtarshme; iu vu kazma shumë kishave, xhamive dhe objekteve të shenjta me vlera, të tjera u kthyen në magazina gruri, kopshte dhe në shtëpi kulture. Më fat patën gjithsesi xhamia në Durrës që u kthye në Pallatin e Kulturës “Rinia”, Kisha e madhe në Shkodër në Pallat Sporti e kështu me radhë. Shumë vite më vonë, në kuadrin e shfaqjeve artistike, kemi luajtur teatër edhe në Kishën e Madhe Katolike dhe në një Kishë fare pranë Gjimnazit “ Partizani”.
Sot, vite pasi jam bërë besimtar, kam kërkuar të falur për atë mëkat, edhe pse pa dashje dhe nga padija. Këtë e bëra edhe atë 25 Mars 1997, kur gjatë një vizitë në përbërje të delegacionit të kryesuar nga ish-Kryeministri i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Fino, u pritëm në audiencë nga Shenjtëria e tij, Papa Gjon Pavli i II. Çfarë emocione të mëdha kam ndjerë ato momente, kur nuk kishin kaluar as 10 ditë pasi Shqipëria u “ pushtua” nga krismat e pafund të armëve të të gjithë kalibrave që pasuan rëniën e firmave piramidale.
Ne, ateistët e dikurshëm, që kishim dëgjuar aq e aq akuza e shpifje për Vatikanin dhe Papën, tani përkuleshim me respekt aty në Kryeqendrën e katolicizmit botëror, të mikpritur nga vetë Shenjtëria e tij! Aty u shkërmoqën përfundimisht, veçse këtë radhë pa kurfarë imponimi, edhe grimcat e fundit të ateizmit tim natyrisht të imponuar, duke u futur në rrugën e mbarë të një Krishteri të devotshëm, ashtu siç dhe isha pagëzuar. Ky takim, bekimet dhe fotografia me Atin e Shenjtë mbeten ndër kujtimet më të vyera dhe sublime.
Por, që të vazhdojmë rrugën e paudhësive të atij sistemi, në Shkodër u hap dhe Muzeu i Luftës kundër Fesë ( Muzeu i Ateizmit) që vizitohej nga pothuajse të gjithë turistët dhe delegacionet e huaja që vizitonin vendin tonë. Pas viteve 90 ai u mbyll. Siç janë shprehur disa edhe në shtyp, mbase do të ishte mirë që ky Muze të ishte mbajtur, duke u plotësuar me dokumente që atëhere nuk mund të ekspozoheshin; kështu do të shihej e vërteta që ishte e ndryshme nga sa thuhej atëhere: persekutimi i klerit katolik dhe fesë në përgjithësi në vendin tonë. Provat dhe dokumentet e shumta të ekspozuara në atë Muzeum, të cilin kam patur rastin ta vizitoj me dhjetra herë me të huaj të shumtë tregojnë si në dritën e diellit personalitetin e atyre figurave të ndritura të Klerit Katolik dhe dënimin e tyre politik, kryesisht, siç u përmend më sipër, pasi “ i bënin hije regjimit “ dhe do të ishte pengesë serioze për masat që ai mori në vitet e mëtejshme. U dënuan shumë hoxhallarë, bektashij, si Hafiz Koçi, Baba Reshat Bardhi e plot të tjerë.
Por kleri katolik ishte ai që u ndëshkua më rëndë, vetëm e vetëm për vlerat perendimore që ai shfaqte dhe predikonte. Siç është vënë në dukje me të drejtë në mjaft botime, u burgosën, u pushkatuan, u internuan dhe lanë në mëshirën e fatit ajka e inteligjencës sonë, e filozofisë, shkencës, teologjisë dhe e përkthimit. Me dhjetra priftërinj katolikë u dergjën burgjeve, duke u kthyer në simbole kombëtare, si At Zef Pëllumbi, Don Jubani e plot të tjerë. Në atë kohë isha vetëm 15 – 16 vjeç, por kur shkoja me pushimet e verës në fshatrat e banuara nga minoriteti grek, si në Vanistër, në Haskovë, Goranxi dhe Derviçan ku kisha të afërm, shihja se kishte shumë zhgënjim, edhe pse ai nuk shprehej nga frika. Shihja, për shembull, se si gruaja e dajës tim në Vanistër dhe plot të tjera, pavarësisht nga ndalimi, i ushtronin ritet fetare “ në ilegalitet » brenda shtëpisë, ku ndiznin qirij, faleshin para portretit të Krishtit dhe Shën Mërisë, përgatisnin ëmbëlsirat e rastit, etj. Kështu kanë vepruar me mijra të tjerë gjatë gjithë periudhës së rregjimit. Më kujtohet edhe gjyshja ime e ndjerë nga ana e nënës në Libohovë dhe kunata e saj të cilat mbanin një hajmali metalike me figurën e Krishtit të gdhendur në një copë dërrasë. Aty vinin çdo ditë fqinj dhe miq që kishin sëmurë fëmijën, njeriun e shtëpise, madje dhe kafshët e shtëpisë, lopën, etj. Ajo e fuste në ujë kryqin me figurën e Krishtit, e përziente dhe mërmëriste me vehte “ Bo, bo, çfarë magjie i kanë bërë” ! Pastaj ia hidhte ujin e bekuar në një gotë që t’ia spërkaste njeriut apo qoftë dhe gjësë së gjallë. Pas vitit 1967 kjo u bë shumë e rrezikshme dhe gjyshja ime ishte shumë e trishtuar se nuk mund të ndihmonte dot më as me frymën e Krishtit.
Lind pyetja: “E po mirë, ku di ti se kjo shëronte njerëz dhe kafshë?” Dakord, po mirë, po ç’të keqe kishte kjo kur krijonte besim, shpresë apo qoftë dhe ngushëllonte sadopak fshatarët e varfër që edhe shërbimin mjeksor nuk është se e kishin të sigurtë ? Të gjitha këto rite u vështirësuan së tepërmi, falë edhe “vigjilencës revolucionare “Ndërsa vajtja në vendet e shenjta, edhe pse kishin mbetur rënojat e tyre, u ndaluan rreptësisht. Të shkoje tek to ishte si të shkoje tek djalli vetë!
Në shtator 2011, ndoqa me vëmendje vizitën e Papa Benedikt XVI në pjesën lindore të Gjermanisë. Mesha e tij në Erfurt dhe ne vende të tjera ishte shumë më miqësore se sa pritej dhe madhështore. Të tilla ishin dhe mesazhet e tij. Duke iu drejtuar besimtarëve të ardhur me këmbë nga larg ai u shpreh “2 diktaturat pa fe donin t’i rrëmbenin besimin njerëzve, por ju të Euchsfeldit e dinit se këtu në Manastir kishit përherë një derë të hapur dhe një vend ku të gjenit paqen e brendshme shpirtërore.” Kështu ndodhte edhe me shqiptarët në atë periudhë. Megjithëse qoftë dhe një festë e vogël e fshehtë familjare me rastin e Krishtlindjeve, Bajramit apo Pashkëve, ishte tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Kjo pasi autoritetet kontrollonin edhe konsumin e artikujve ushqimorë, duke përfshirë edhe sasinë e sheqerit apo miellit të konsumuar dhe mbi bazën e bilancit, vinin e bënin analiza pse ishin ushtruar këto apo ato rite fetare. Madje dilnin edhe urdhëra që të mos shitej më shumë se një sasi e caktuar sheqeri, orizi, etj. Por edhe kjo nuk ecte, pasi njerëzit mendonin me kohë për “ zahirenë “ fetare, duke e blerë atë pjesë pjesë.
Por, jeta tregoi se pavarësisht nga shtypja, dallimi dhe persekutimi, shumica dërmuese e popullit e ruajti të paprekur besnikërinë dhe besimin ndaj fesë dhe Zotit. Ato u bënë elementë të rëndësishëm që mbajtën tek gjallë tek ta shpresën dhe besimin në ditë më të mira. Por dhe ndikuan që njerëzit në përgjithësi të mbeten të mirë e me plot mirëkuptim ndaj njeri tjetrit, ose siç thuhet rëndom: “ njerëz të Zotit “ E them këtë, pasi në ditët tona, megjithë mundësitë e mëdha të krijuara për qytetërim dhe fisnikëri, shihet një egërsi dhe malinjitet në shumë njerëz; një ndër faktorët ndikues në këtë drejtim është mungesa e besimit.
Lindpyetja: Po ne si e lejonim një gjë të tillë? Pse nuk kundërshtonim apo protestonim? Për t’i dhënë përgjigje objektive kësaj pyetjeje, natyrisht që duhet ta shohim problemin nga këndvështrimi i asaj kohe dhe jo “bardhë e zi”, as për të akuzuar me vend e pa vend, aq më keq për interesa politike të çastit. Për hir të së vërtetës, ka patur priftërinj dhe hoxhallarë që kanë abuzuar me besimin e njerëzve në forma të ndryshme. Madje kjo po ndodh dhe në ditët tona në disa vende të botës. Kanë shfrytëzuar edhe vendet e shenjta për paudhësitë tyre. Dakord, nëse ndodh kështu, çoji ata para drejtësisë, siç veprohet ndaj gjithë keqbërësve të tjerë. Por jo të ndalosh besimin fetar, këtë të drejtë elementare njerëzore të patjetërsueshme. Dukuritë e mësiprme negative, qoftë dhe të supozuara i jepnin goxha “ municion” propagandës ateiste, e cila ishte në kulmet e saj. Më kujtohen se si i lexonim edhe me detyrim disa libra të vegjël të Hulusi Hakos, një ndër propaganduesit më të flaktë të ateizmit në vitet 60 – 70, ku argumentohej mosekzistenca e Zotit.
Madje, përmendej dhe rasti i Juri Gagarinit, i cili pasi kishte shkuar në hapësirën kozmike, kishte deklaruar se “ nuk kishte parë gjëkundi Zot”. Gjithsesi, ky zotëri është treguar i drejtë dhe i ndershëm me vehten dhe shoqërinë, duke shpjeguar shkaqet dhe arsyet si dhe duke pohuar publikisht rolin e tij në propagandën e atëhershme të shfrenuar ateiste. Në atë kohë, edhe Kinemaja, teatri, shkolla, shtypi, radioja ( se televizion nuk kishte ende) gjithashtu “ bënin kërdinë” Kudo mbizotonte ateizmi. Kurse feja u konsiderua jo thjesht diçka e padëshirueshme dhe e papranueshme, por dhe aktivitet armiqësor, duke dhënë dhe fakte e argumenta për bashkëpunimin e fesë me fashizmin dhe armiqtë e vendit. E pra, çmund të bënim ne, 15 apo dhe 2O vjeçarët e asaj kohe përballë një propagande dhe dhunë të tillë shtetërore? Për më tepër kur për ushtrimin e të drejtës fetare, kishte dhe sanksione penale dhe administrative? Veç kësaj, në atë kohë, ne kishim fare pak kontakte me botën e jashtme, radio dhe televizioni i huaj ishin te ndaluara, ndërsa Radio Vatikani konsiderohej si herezi armiqësore bashkë me BBC apo Zërin e Amerikës. Natyrisht duke pohuar sa më sipër, nuk mund të pajtohesh me aktet dhe veprimet e tepëruara të fanatikëve partiakë ultra-atesistë e sidomos me zellin e tyre të shfrenuar për t’u dalluar edhe në këtë fushë të ndjeshme.
Veç aspekteve të tjera, sidomos pas viteve 80, më ka intriguar pyetja: “ Mirë të tjerat, po përse i duhej rregjimit të atëhershëm, me boll halle, me boll “armiq” dhe kundërshtarë edhe ky karshillëk ndaj Zotit dhe Perëndisë?” Pse të mos ishte disi më zemërgjerë e në fund të fundit më i interesuar për fenë, madje ta shfrytëzonte atë për dobi të vet, siç edhe pat bërë deri në vitin 1967? Vërtet kishte dhe ka shembuj negativë të sjelljes së fetarëve të ndryshëm në botë dhe në Shqipëri, të autoritarizmit dhe tepërimeve të tjera fetare, ashtu siç ka me shumicë dhe plot shëmbuj frymëzues. Por, përse duhej mohuar besimi fetar? Përse duhej të shiheshin vetëm ato raste negative të shkëputura e jo shembujt e tjerë të shumtë e të panumurt të rolit pozitiv që ka luajtur feja në botë, në Europë, por dhe në Shqipëri, si gjatë Luftës ashtu dhe në paqe? A nuk ishte katoliku gjerman Von Stauffenbeg që organizoi qëndresën dhe atentatin e famshëm të 20 Korrikut 1944 mbi Hitlerin, jo si anti-komunist, por në emër të katolicizmit, të Zotit, i cili i kishte thënë, siç do të shprehej vetë se “ Hitleri ishte djalli vetë” ndaj dhe i shkoi me bindje të patundur për ta hequr qafe atë diktator të pashembullt? A nuk ishte Gjermania e pasluftës, që falë dhe besimit të Zoti arriti mrekullinë e madhe ekonomike dhe sociale?
A nuk është ajo Gjermani që në Kushtetutë ka sanksionuar se “ deputeti përgjigjet para Zotit dhe popullit të vet ( jo ndaj Partisë, kursesi ) Ndaj, pesë vite më parë, kur Benedikti i XVI u zgjodh Papë, shkrimi i “Bild” “ Wir sind Papst ( Ne jemi Papë ) u konsiderua më tërheqësi dhe bëri xhiron e botës. Po Amerika, a nuk është bërë e tillë mbi të gjitha falë besimit tek Zoti? Ndaj dhe Presidenti betohet para Biblës? Po, edhe Kisha Katolike ka bërë gabime, ajo i ka pranur vetë. Pranoi inkuizicionin ndaj Galileut, dhe Papa Benedikti, gjatë vizitës në Gjermani shkoi dhe bëri meshë në altarin ku më 2 Maj 1507, filloi punën si prift reformatori i madh i protestantizmit, Martin Luteri. Veç sa sipër, megjithë luftrat, kontradiktat, etj, objektet e kultit dhe besimi tek feja dhe ndërgjegja atje dhe ne vende të tjera nuk u prekën, por u ruajtën me fanatizëm. Sepse besimi, siç thotë Papa Benedikti “ nuk është diçka që shkelet ose këmbehet, sepse ai është themeli i jetës sonë “ Jo më kot, edhe seanca e parë e Parlamentit të Gjermanisë së Bashkuar në vitin 1990 u zhvillua pikërisht në Kishën “ Shenjt Nikolau “, më e vjetra e Berlinit e vitit 1237, duke “bekuar” kështu proceset demokratike. Ku ishte atëhere halli që feja dhe besimi u goditën aq pa mëshirë?
Partia Perëndi!
Sot që jap këtë përgjigje kam shumë përvojë, kam studiuar dhe mësuar gjithandej, kam shetitur nëpër botë edhe si diplomat; gjithashtu demokracia na i ka shtuar ndjeshëm mundësitë për një përqasje dhe këndvështrim të ri e të hapur; gjithashtu kam biseduar e kam lexuar nga shumë ekspertë dhe teologë; Ndaj, pa dashur kursesi të bëj një analize shteruese, pas shumë hulumtimeve dhe përfundimeve të nxjerra nga një përvojë e gjatë jetësore që shtrihet në disa dekada, më poshtë po jap disa fakte dhe argumente që sipas meje japin një përgjigje të kapshme e shteruese për pyetjen e lartpërmendur. Këto fakte dhe dukuri mund të duken sipërfaqësore, por mendoj se ato të lejojnë të depërtosh në thelbin e fenomenit.
Kryesoja mendoj se ishte synimi strategjik i rregjimit për krijimin e njeriut të ri revolucionar, me botëkuptim markist-leninist, ndryshe nga çdo vend tjetër socialist në botë. Veç kësaj, udhëheqja e atëhershme ishte xheloze, madje e kishte “halë në sy” fenë dhe e rolin e saj. Duke patur parasysh këto synime strategjike të Partisë, feja, besimi dhe sidomos katolicizmi ishte pengesë serioze. Kësisoj, ajo vuri në përdorim sloganin e Marksit se “ feja është opium për popullin “ me të cilin udhëhoqi fushatën kryqëzuese ndaj fesë. Kjo kryqëzatë e paparë në kohët moderne synonte mbi të gjitha të ndalonte, madje të fshinte çdo referencë ndaj Zotit, Perëndisë dhe Besimit dhe ta zëvendësontë atë me Partinë, ideologjinë dhe lidershipin e saj.
Në këtë vështrim, më duket me interes të përmend se pavarësisht nga lufta e pashembullt që i bëri fesë, rregjimi komunist vijoi deri në fund të përdorte apo t’i referohej terminologjisë fetare, në përpjekje për ta “ pronësuar” apo më mire të themi për ta « komunistizuar atë.
Për të qenë më konkretë, sidomos për lexuesit e rinj, më duket interesante të përmend, duke i qëndruar besnik origjinalit, një numër të madh fjalësh, frazash, shprehjesh dhe praktikash tipike fetare që në atë kohë u zëvendësuan me shumë fanatizëm me fjalë, shprehje dhe praktika të tilla komuniste si këto që po tregojmë më poshtë:
Zoti krijoi njeriun Partia krijoi njeriun e ri
jetën na e dha Zoti jetën na e dha Partia,
për atë Zot për ideal të Partisë
punët e Zotit punët e Partisë
lavdi e faleminderit Zotit Lavdi dhe faleminderit Partisë me besimin tek Krishti dhe Muhameti me besimin tek Partia dhe shoku Enver, ndërgjegja fetare ndërgjegja komuniste kauza e shenjtë fetare e Krishterizmit kauza dhe ideali i shenjtë i Partisë dhe komunizmit
Falu dhe lutu për ndihmë nga Zoti lutju/ kërkoji ndihmë e të falur Partisë e dënon Zoti e dënon Partia;
si të thotë i Madhi Zot si të thotë Partia jonë e madhe
10 Urdhërat e Zotit 10 cilësitë e komunistit.
Ndërkohë, shenjtorët fetarë u zëvendësuan me katër klasikët e Marksizëm – Leninizmit – Marks, Engels, Lenin dhe Stalin;dishepujt e Krishtit u zëvendësuan me antarët e Byrosë Politike, portretet e të cilëve i shihje kudo, në vendet më të dukshme në çdo rast feste; bekimet dhe psalmat e Perëndisë u kthyen në mësimet dhe direktivat e Partisë ; liturgjitë fetare në kishë e xhami u zëvendësuan me « Internacionalen » e me këngë revolucionare.
Por “komunistizimi” i fjalëve dhe frazave do të ishte vetëm gjysma e të keqes. Ai shkoi shumë më thellë. Kështu, doktrina fetare u zëvendësua me doktrinën ideologjike të socializmit, puritanizmi fetar me puritanizmin komunist, dogmat dhe tabutë fetare, nga të cilat vetë feja po çlirohej me dogmat dhe tabutë komuniste. Ndërsa progandohej me të madhe citati i Marksit se “ feja është opium për popullin” gjatë gjithë jetës së saj, vetë PPSH e “ hyjnizoi” dhe dogmatizoi të gjithë teorinë e Marksit e sidomos” “Kapitalin”. Aq sa vetë Marksi u kthye në një opium ideologjik me pasoja të llahtarshme për lirinë e besimit dhe të ndërgjegjes.
Ideja ishte që ideologjia marksiste dhe idhujt e saj të superonin edhe Krishterizmin, Islamizmin dhe profetët e tyre.
Ndërkohë, propaganda e asaj kohe punonte papushim me njerëzit e thjeshtë dhe me të huajt për të zhvleftësuar fuqinë e Zotit, duke ia dedikuar çdo gjë Partisë dhe udhëheqësit të saj të madh. Kjo lloj gjuhë vërehej edhe në takimet e të huajve me njerëz të thjeshtë. Kështu, gjatë një vizite të një miku të huaj në fshatin Derviçan të Dropullit, pyetjes së tij “ A besoni më tek Zoti “ një dropullite, iu përgjigj : « Po, ne besonim tek Zoti, ju lutëm atij të na silltë ujë në fshat, por ai nuk na ndihmoi( sa e llahtarshme, a thua se Zoti ishte komunalja apo ujësjellësi). Ndërsa kur iu lutëm Partisë, ajo nuk e bënë dysh fjalën tonë dhe ja ku na erdhi uji. Ndaj për ne ajo është Zoti !» Ky shembull u fry dhe u propagandua aq sa kjo përgjigje u bë shtampë edhe në situata të tjera për të justifikuar ndalimin arbitrar të fesë dhe besimit.
Efektet e kryqëzatës anti-fe i ndjemë menjëherë. Gjatë kohës kur isha nxënës në klasën e parë të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja, në vitin 1968, vetëm disa muaj pas fillimit të kryqëzatës ndaj fesë, në medodat franceze shkollore të mësimit të anglishtes, të cilat lejoheshin vetëm për ne me autorizim të veçantë, pasi në to flitej për “jetën dhe zakonet borgjeze “ në Angli, mësuesit na dhanë porosi për të fshirë dhe ndryshuar disa fjalë dhe emra në dy – tre tekste. Kështu, në një mësim ku përmendej “ Christmas Tree” pra « Pema e Krishtlindjeve » e fshimë atë dhe e bëmë “ New Year Tree “ ( « Pema e Vitit të Ri ») Po ashtu, fjalën “Krishtlindje – Christmas” e hoqëm me bojë të zezë. Deri vonë ne mendonim se Pema i takonte Vitit të Ri.
Mirëpo, diku nga viti 1969, u përhap një thashethem, se as ajo nuk do të lejohej të vendosej më askund ! Ky lajm, një muaj para festës së Vitit të Ri na trishtoi shumë të gjithëve. Sepse me thënë të drejtën, pavarësisht se kishte disa festa të tjera, ajo e Vitit të Ri ishte më e bukura dhe më e veçanta, sidomos për ne fëmijtë; sepse kishim kohën e pushimeve, të lojrave, çmalleshim me prindërit, që na jepnin dhurata, edhe pse sot ato do të dukeshin tejet modeste ( psh një pako me dy llokume, një biskotë dhe kush kishte me shumë fat një lodër plastike) Atmosfera që krijonte pema i jepte dritë, gaz dhe ngrohtësi shtëpive të varfëra ( në atë kohë ende nuk ishte futur televizori në shtëpitë tona ) Vetë blerja e pemës origjinale diku pranë Kinostudios, si dhe zbukurimi i saj me pambuqe, ca drita dhe stoli të tjera ishte një proces që të jepte kënaqësi dhe kthehej në një garë miqësore se kush do ta bënte më të bukur. E njëjta gjë bëhej edhe në shkollë me Pemën e Vitit të Ri. Madje, kur pema hiqej gati një muaj më vonë, shtëpia dukej sërish shumë e varfër dhe fillonte rutina e përditshme e jetës. Ndaj dhe lajmi për heqjen e mundshme të pemës na trishtoi. Përgjigja shokuese ndaj pyetjes se pse duhej hequr pema, ishte se pema ishte fetare, ishte huazuar nga feja! Atehere m’u kujtua historia e zëvendësimit të fjalës Kritlindje me Vitin e Ri.
Për fatin tonë të mirë, mesa duket do të jetë menduar edhe atje « lart « se heqja e pemës do të shkaktonte vetëm irritim ; ndaj, më në fund ajo u lejua dhe gëzimi ynë ishte i madh. Kështu, pema, ashtu si dhe dhuratat, për ne vijuan të ishin simbol i Vitit të Ri. Edhe në këngët që këndonim thuhej « shprehimisht « rrotull Pemës së Vitit të Ri, me këngë e me valle ».Vonë mësuam se ishte pema e Krishtlindjeve. Ashtu si dhe « plaku i Vitit të Ri në fakt ishte « babai i Krishtlindjeve », siç e njeh gjithë bota e qytetëruar. Alergjia anti-fetare shkoi edhe më tej, duke denoncuar si reaksionare edhe aktet e bamirësisë dhe filantropisë. Në atë kohë filantropët dhe bamirësit gati sa nuk quheshin armiq, pasi veprimet e tyre binin në kundërshtim me vijën e partisë dhe të revolucionit. Edhe kur analizonim libra të ndryshëm të shkrimtarëve të shquar ku përmendeshin bamirës të ndryshëm, bënim kritikën letrare shabllon, se problemet e sotme nuk zgjidhen me akte filantropie dhe bamirësie, por me revolucion dhe luftë të armatosur !!!!.
Për pasojë, edhe shqiptarja e madhe, bamirësja me përmasa botërore, nobelistja Nënë Tereza nuk njihej nga rregjimi dhe nuk lejohej të vinte në Shqipëri. Pse? Sepse pranimi i saj do të të ishte rrëzimi i teorisë së mësipërme. Edhe këtë qysh atëhere nuk mund ta kuptoja dot por po ta ngreje si problem, më e paktë që do të të thonim ishte se kishe cektësi në përgatitjen ideologjike!!! Ok, edhe problemet e sotme nuk mund të zgjidhen vetëm me bamirësi, por a nuk ndihmojnë ato, qoftë materialisht, por sidomos shpirtërisht për lehtësimin e gjendjes ? Fundja, le ta ftonin Nënë Terezën, ta falenderonin e vlerësonin dhe pastaj le t’ia bënin dhe kritikën, siç veprohej edhe me korifej të tillë të rilindjes sonë si Naim Frashëri, Çajupi, etj për konceptet e tyre fetare! Për pasojë, vetë komunizmi shqiptar, për shkak se po kthehej tërësiht në tabu, u kthye në një ortodoksi të llahtarshme për fatet e vendit. Të gjitha këto në një kohë kur vetë feja po bëhej më e zhdërvjellët, më e hapur dhe tolerante, me prirjen për t’u distancuar nga mjaft dogma të së kaluarës. Dukej qartë se Shqipëria po synonte të bëhej « Papati i shenjtë i socializmit botëror » sidomos pasi Kina e tradhtoi atë.
(BalkanWeb)