Astrit Hafizi është kritik për mënyrën se si trajneri aktual i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, po kërkon të çojë kuqezinjtë drejt një hapi të madh. Duke komentuar humbjen 2-1 në miqësoren ndaj Spanjës, ish-trajneri ka analizuar në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” atë që e cilëson mentalitet të gabuar dhe kokëfortësi të italianit. Hafizi flet edhe për rastin e mbrojtësit Ivan Balliu, por edhe për atë që sipas tij i mungon më tepër aktualisht Shqipërisë.

Profesor, çfarë përshtypjeje ju la ndeshja në Spanjë?

Në pamje të parë, kur shikon rezultatin, duket se është diçka e mirë. Në përgjithësi sa herë luajmë me skuadra të mëdha, opinioni sportiv në Shqipëri pajtohet me faktin që mjafton të pësosh një humbje me rezultat të ngushtë dhe jemi OK. Pra, është krijuar mentaliteti se duhet të jemi të kënaqur, paçka se çfarë mund të ketë prodhuar loja brenda. Humbja 2-1 është e pranueshme, por unë mendoj se në ndeshje të tilla, duhet të shikojmë së pari se çfarë ka prodhuar ekipi.

Si e shpjegoni sindromën e pësimit të golit në minutat e fundit, edhe pse duhet thënë se bëhej fjalë për një aksion të nisur në pozicion jashtë loje…?

Unë këtë e shikoj në një prizëm tjetër, paçka se dikush nuk e përmend, ndoshta prej harresës. Duhet të jemi të sinqertë, pasi këto gjëra ne i kemi pasur gjithmonë. Nuk është hera e parë që Kombëtarja humbet me rezultate të ngushta ndaj emrave të mëdhenj në Europë. Për ata që kanë harruar, i kemi shënuar tre gola Gjermanisë kampione dhe sërish jemi ndëshkuar në fund. Këto ndeshje na janë përfolur prej 25-30 vitesh, ndërsa trajnerët e huaj që vijnë, thjesht po përsërisin rezultatet tona.

Shpesh keni kritikuar mënyrën se si rreshtohet ekipi nga Reja, duke qenë kundër skemës 3-5-2. Pse mendoni kështu?

Dua të sqaroj se edhe unë si trajner kur drejtoja Kombëtaren, kam luajtur me skemën 3-4-3. Me tre mbrojtës kam luajtur para 25 vitesh, por e kam bërë sepse të tillë i kam pasur lojtarët, jo se kam pasur dëshirë. I kisha futbollistët adapt për këtë skemë, pasi nuk isha unë i lidhur me këtë variant. Kujtoj që Gjermania në vitin 1996 luante me këtë sistem. Sot që trajneri Reja po përdor skemën 3-5-2, mendoj se nuk i ka lojtarët e duhur dhe nuk është se kjo e çon te rezultati. Kur nuk ke futbollistët që i përshtaten këtij varianti, nuk e kuptoj pse qëndron kaq kokëfortë. Janë lojtarët ata që prodhojnë skemën, jo të çosh variantin tek ata. Nëse ata nuk të përgjigjen, atëherë duhet ndryshuar, jo të vazhdosh me kokëfortësi. Këtë po e shoh vazhdimisht te Reja, në një kohë që pjesën më të madhe të lojtarëve i ka nxjerrë jashtë loje me këtë variant. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb