Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një komunikim për mediat u shpreh se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e pandalshme.

I ndalur tek rikthimi i basteve, Meta tha se dikur thonin se këto nuk i lejon as Kurani, ndërsa kanë ndryshuar qëndrim, duke shtuar se vendi ka nevojë për një lidership të gatshëm për llogaridhënie.

“Tani duan të na kthejnë edhe bastet që dikur na thoshte se i ndalonte dhe Kurani, por ja që tani është një situatë tjetër. Nuk është koha për të bërë më eksperimente me të ardhmen e vendit, por ka nevojë për një lidership të gatshëm për llogaridhënie dhe të rimarrë në dorë kontrollin dhe fatit të vendit. Ndaj Partia e Lirisë synon garantimin e të drejtës Kushtetuese. Rruga e vendosjes së kontrollit mbi parlamentit dhe qeverinë do të jetë rruga e kontrollit dhe mbi të gjitha garantimi i një vendi ku gratë do të jenë zonja dhe Shqipëria e tillë”, tha ndër të tjera Meta.

Më tej Meta shtoi:2/3 e familjeve shqiptare jetojnë  nën minimumin e kufirit të varfërisë. Kjo është e qëllimshme sepse logjika e shtypjes sociale e zhveshjes së qytetarëve nga të drejtat e tyre nuk është e rastësishme, por synon instalimin e dhunës. E keni parë se si sillen shpesh policët me vajzat tuaja, apo edhe me ju vetë. Sa mirë do të ishte të silleshin kështu me të fortët, kjo nuk ndodh , jo sepse nuk kemi policë, trima, por ata e dinë që kryeministri i ka qejf lidhjet me bandat dhe të fortët. Kur mungon vullneti politik, s’mund të presësh reagimin normal të policit. Ndaj lufta kundër korrupsionit është vendimtare, për rivendosjen e të drejtave të qytetarëve shqiptare. Theksoj se fuqëzimi i gruas mbështet drejtpërdrejt familjen. Sa më shumë nëna të lumtura aq më shumë fëmijë të shëndetshëm do të kemi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb