Aktori i njohur Neritan Liçaj, ndau në studion e emisionit “Kjo Javë” vështirësitë me të cilat hasen gjatë ditëve të protestës, ndërsa foli edhe për incidente, nga ata të cilat aktori i quan se janë ‘raste provokative’ të cilat dallohen qartë sipas tij.

“Secili nga ne artistët duhet në fund fare të bëjë një reflektim brenda vetes mbi çfarë ndodhi dhe pse” shprehet ndër të tjera Liçaj.

Si e ndjeni veten kur shikoni në kronikat televizive, sepse ndoshta të përfshin ajo adrenalina e protestës në momentin që ndodh, por më pas çfarë jehone ka për ju?

Është e mrekullueshme, gjithë ky është proces i gjatë. Kur futesh në lëvizje të tilla, të papara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, se u bëmë gati dy vite protestë, ti dashur pa dashur radikalizohesh, por ti shikon nga brenda si funksionon gjithë pocaqia, e pavërteta, mashtrimi, propaganda, se si funksionon e prek nën lëkurë. Kjo e gjitha bëhet për të të demoralizuar, ndërkohë që jo, po të jesh rezistent dhe po t’i futesh detit në këmbë ai të pasuron. Unë jam rritur shumë me këtë protestë, më ka pasuruar. Jam lodhur, diku jam zhgënjyer.

Ju bezdis fakti që iu atakojnë gjithmonë me opozitën?

As ma ndjen fare. Gojët e liga do thonë çfarë të duan, unë kam dëgjuar edhe që “ai është bërë milioner, se e ka bërë PD milioner, por rri si modest”.

Në fakt si është jeta e një aktori?

Uu, me qira jam unë, edhe pse jam lindur e rritur në Tiranë. Ke lloj-lloj llumi, ka pasur edhe që më kanë rrotulluar nënën në varr, ditën e të 40-tave të saj. Ky është palaçollëk, të të shaj nga nëna ditën e të 40-tave, të të kërcënoj, po këto janë palaçollëqe, që nuk i hedh atje tutje. Ti shikon se çfarë kalbësie ka gjithë kjo mendësi e Rilindjes. Është një palaçollëk dhe kjo të jep forcë, se ti thua se kjo duhet zhdukur, dhe kjo zhduket vetëm duke luftuar.

Aty brenda është një mrekulli. Aty është e gjithë Shqipëria. Kam thënë se ai shesh meriton një studim të mirëfilltë, ditën që do mbarojë, se një ditë do mbarojë. Ai meriton studim të mirëfilltë social, sepse aty është gjithë Shqipëria. Por është shumë bukur ta jetosh këtë, është madhështore. Të shikosh se si vjen 83-vjeçarja natë për natë, në zero gradë celsius në dimër, në mes të vapës.

Ai është monument, të shikosh si vijnë njerëz e rrinë aty tërë ditën. Ka plot njerëz që rrinë, se jemi me turne, ndërrohemi. Ke të gatshëm gjithë kohës, që në momentin më të parë vjen, kemi dhe organizimin tonë shumë të mirë. Asnjëherë nuk na gjejnë dot të papërgatitur.

Ju ka ndodhur episod i pakëndshëm kohët e fundit?

Vijnë provokatorë pa fund dhe dallohen se janë një format. Njëri përpiqet të provojë turmën, tjetri shan, mua më ka gjuajtur njëri me grusht kot, pa lidhje. Aty është një amalgamë gjërash që meritojnë studim. Mua më qëlloi me grusht, polici e

kishte kapur. Më qëlloi në sy të policit. Ishte i pirë, erdhi aty s’la njeri pa sharë, 50 vetë si u mbajtën, se s’la gjë pa sharë dhe në fund më gjuajti me grusht. Ka lloj-lloj gjërash, ai nuk erdhi në kokë të vetë, se e shqyejnë njerëzit.

A keni pasur forcën të përballeni me persona që kanë qenë me mendimin tuaj në fillim dhe më pas kanë devijuar, të ndikuar ndoshta nga politika?

Jo, nuk jam ballafaquar me asnjë prej tyre. Unë nuk tërheq njeri me forcë në protestën time, sepse është zgjedhje. Dikush zgjedh të luftojë, dikush zgjedh të ikë. Edhe janë gënjyer shumë, se në fillim kanë thënë “teatër i ri”, por aty vetëm për teatër të ri nuk bëhet fjalë, është vjedhje. Secili nga ne artistët duhet në fund fare të bëjë një reflektim brenda vetes mbi çfarë ndodhi dhe pse.

Ka raste të ndikuar politikisht dhe janë evidente, para syve të publikut. Më skandalozja është se qeveria na akuzon ne për artistë të politizuar, ndërkohë që ne u sulmuam politikisht prej saj, dhe ky është rasti i parë në botë. Qeveria në një moment luajti mendsh, solli një ligj që shkelte gjashtë nene të Kushtetutës dhe tre pika të marrëveshjes së stabilizim-asociimit dhe Parlamenti e votoi. Ndërsa unë që e mbroj si qytetar, më hedh baltë kryetari i bashkisë dhe thotë “ushtar i PD”. A e kupton sa e rëndë. Dhe nuk mjafton kjo, ne u sulmuam dhe policisht, këta kanë lënë nam me ne. Më thuaj një vend të botës, ku janë sulmuar artistët që mbrojnë teatrin të mos prishet nga qeveria. Për logjikën e një perëndimor është e pakonceptueshme. Këta na sulmuan politikisht, me polici dhe personalisht.

Ne kemi 100 e ca ditë që jemi aty. Kemi një vit e gjashtë muaj që jemi natë për natë aty dhe kemi treguar se nuk na çajnë dot. Ne kemi treguar se nuk biem, nuk rrëzohemi, sepse nuk pranuam të kemi një kryesi, një shtab. Ne bëmë një zgjedhje shumë inteligjente, e mbajtëm vertikale dhe ata s’kanë kë kapin, që ta korruptojnë dhe dihen format e këtij pushteti të degraduar. Kjo e mbajti protestën gjallë dhe do ta mbajë gjallë deri në fund, se nuk shteren burimet atje. Është një proces që vazhdon e vazhdon. Ne kemi avantazhuar veten, përmes lëvizjeve inteligjente, duke futur faktorin ndërkombëtar, institucionet tona, që për fat të keq na u përgjigj vetëm ai i Presidencës. Ajo ka qenë një strategji aq e bukur sa rrëzoi gjashtë vite e ca përpjekje të Ramës për ta rrëzuar teatrin, se ka filluar që kur erdhi në pushtet tentativën, që kur kaloi aktorët me kontrata të përkohshme, që t’i mbajë nën presion, t’i kërcënojë. Dhe kjo është antikushtetuese, shkatërroi dhe gjykatën, kur ne me të drejtë i thamë ta çojmë ligjin te Gjykata Kushtetuese. Është e turpshme. Teatri Kombëtar, mundi e djersa i gjithë atyre breza aktorësh të mrekullueshëm e meritonin. Ai u tall, siç u tall me artistët kur i ftoi në Kryeministri dhe për t’iu ulëritur, duke u thënë me mllef “teatri do të prishet”. Nuk mbajti qëndrim të ftohtë prej zyrtari, jo jo personale.

Në fund, ju thoni se do fitoni?

Ne kemi fituar, por nuk i zihet besë. Në fakt ne e kemi dërrmuar. E kam thënë që do jetë fitim që do i plasë bombën kësaj mazhorance dhe në fakt beteja për teatrin i filloi dyshezën Ramës, rrëzimin. Ai na thithi energjitë, por dhe ne i kemi shkatërruar energjitë atij. Ne u lodhëm, por ai u rraskapit, dhe kjo nuk i shërbeu askujt. Mund të ishte bërë një teatër i ri në një vend tjetër, sepse të gjithë e duam një teatër të ri.

Dy fjalë për premierën tuaj “Inane”, si e përjetuat?

Emocionet janë shumë të bukura. Pata dy premiera, te “Inane” pata rolin kryesor, dhe te tjetri kisha një rol të vogël. “Inane” është “Koha pa kthim” e Besnik Mustafaj, një roman i mrekullueshëm, ai ka plot, por me këtë jam dashuruar pafund, meqë e bëra film. Ka qenë një proces jashtëzakonisht i bukur, e kam shijuar pa fund, që në fund u realizua me një film shumë të veçantë për kinemanë shqiptare dhe i tillë do të mbetet, pasi ka një frymë shumë të veçantë. Është një film shumë, shumë i veçantë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb