Mashtrim me identitetet, me dokumentet, me llogaritë bankare për përfitimin e shumave të mëdha monetare. Dy ditë më parë Policia e Tiranës, Njësia C – Hetimi i krimeve kibernetike në Drejtorinë Hetimore, Departamenti Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, realizuan operacionin policor “PHISHING” duke arrestuar katër persona për “Mashtrim kompjuterik”, dy prej tyre të huaj.

Këta persona nëpërmjet kompanive fiktive ata kanë arritur të mashtrojnë kompani nga 9 shtete të botës, duke nisur nga SHBA, Anglia, Lituania, Turqia e deri në Filipine, duke shkaktuar një dëm rreth 4 milionë euro në 2 vite.

“BalkanWeb” ka arritur të zbardhë detaje nga dosja e prokurorisë për 4 të arrestuarit, që nga ardhja e indicies nga një kompani ndërkombëtare që vuri në lëvizje institucionet, tek kontaktet mes të arrestuarve dhe çeljen e llogarive bankare me qëllim përfitimin e parave.

Prokuroria e Tiranës nën drejtimin e prokurores Elisabeta Imeraj ka bashkuar dy procedime, njëri i 24 dhjetorit 2020 dhe tjetri i 14 korrikut 2021, pasi kishin të bënin me të njëjtin fakt dhe me të njëjtët persona të dyshuar.

Nga një bankë e nivelit të dytë (e njohur për redaksinë) ka ardhur një informacion ku thuhet se nga një adresë e-maili nga z. Holger Schauenburg, si përfaqësues i kompanisë ndërkombëtare Bornemann Far East LTD u është bërë me dije se dikush që po tentojë të mashtrojë partnerët e tyre të biznesit përmes një llogarie të çelur në këtë bankë në Shqipëri. Llogaria ishte në emrin e biznesit “Connecta Intercontinental shpk”, me pronar dhe administrator shtetasin nigerian Ugochukwu Emmanuel Emereibenu. Ky subjekt e ka çelur këtë llogari në datën 7-10 dhjetor 2020. Ky shtetas ka çelur llogari edhe për kompaninë WorldWide Go LTD ku është edhe pronar edhe administrator.

Nga momenti i çeljes së llogarive e deri në ditën e dërgimit të informacionit nuk ka pasur asnjë pagesë në mbërritje për asnjë nga llogaritë e bizneseve të tij, por aktiviteti i tyre në Shqipëri është shumë i dyshimtë dhe nga të dhënat që janë analizuar dyshohet se këto llogari përdoren për të përfituar pagesa ndërkombëtare nëpërmjet tipologjisë “Phishing”.
Nigeriani i cili ka një leje qëndrimi për të huaj nga 25 shtatori 2019 deri më 25 shtator 2020 më 13 gusht 2020 ka themeluar kompaninë World Wide Go LTD me qendër në Durrës, me objekt “Furnizime të përgjithshme”, import-eksport i mallrave ku është edhe ortaku i vetëm.

Gjithashtu ai ka regjistruar më 16 shtator subjektin “Connecta Intercontinental” me adresë rruga “Kongresi i Lushnjës”, me aktivitet “menaxhim i sportit”.
38-vjeçari nigerian, i pajisur me pasaportë nigeriane deri në 23 prill 2024 kishte hyrë në Shqipëri nga Rinasi, ku kishte ardhur nga Stambolli dhe është kthyer sërish më 24 shkurt 2020 për në Stamboll dhe nuk ka më hyrje, ndërkohë që firmosja për hapjen e llogarisë në bankë është bërë më 7 tetor 2020. Ai kishte deklaruar një adresë në Tiranë. Ky shtetas është i vetmi me këto gjeneraliteti që ka hyrë dhe ka dalë nga Republika e Shqipërisë.

Personi i paraqitur në bankë si pronar dhe administrator i dy kompanive në pamje të parë rezulton se nuk është i njëjti person me personin e verifikuar dhe që ishte personi i vetëm, i cili rezulton që ka hyrë dhe ka dalë nga Shqupëria. Shtetasi nigerian Ugochukëu Emmanuel Emereibenu, 32 vjeç, me pasaportë me datë skadence 16 mars 2025 dhe me pasaportë të mëparshme, të njëjtë me shtetasin tjetër nigerian, me emër, mbiemër dhe datëlindje të njëjtë, dyshohet se ka falsifikuar pasaportën ose ka përdorur pasaportën e një shtetasi tjetër me qëllim tërheqjen e shumave nga banka, të përfituara nëpërmjet mashtrimit kompjuterit.

Gjithashtu në materialet e paraqitura nga banka, është edhe kontrata e çeljes së llogarisë e kompanisë “LekliFarm Global” Sh.p.k me administrator Fatbardh Danja, 50 vjeç, çelur më 24 korrik 2020, ndërkohë që kompania është regjistruar më 9 korrik 2020 në QKB. Numri i vendosur nga kjo kompani në kontratën e çeljes së llogarisë bankarë është i njëjtë me numrin e kompanive të nigerianit.

Po ashtu edhe nga Barclay Bank në Londër është marrë një kërkesë standarde për kthim të një pagese në shumën 8746.12 USD në favor të subjektit “LekliFarm Global” shpk, ku pasi janë kërkuar detaje për reklamimin e pagesës, ka ardhur si rast i dyshimtë për mashtrim.
Fondet, shtetasi Fatbardh Danja, si pronar i Lekli Farm Global shpk, ka arritur t’i transferojë nëpërmjet platformës online në një llogari të një banke jashtë territorit të RSH. Sipas të dhënave të administruara gjatë hapjes së llogarisë bankare të LekliFarm Global shpk është konstatuar se pronari i saj ka qenë i shoqëruar nga një person me ngjyrë që me shumë gjasa të ishte shtetas afrikan.

Prokuroria thotë se ka dyshime se këta shtetas kanë hapur kompani të cilat dyshohet se janë fiktive dhe përdoren për qëllim tërheqjen e fondeve nga bizneset e ligjshme dhe më pas moskthimin e këtyre fondeve.
Gjithashtu nga veprimet e verifikimit në terren është konstatuar se shtetasi Ugochukëu Emmanuel Emereibenu ka shkuar në disa banka të nivelit të dytë për të kryer veprime bankare.

Po ashtu rezulton se Fatbardh Danja ka kontakte me një shtetas që quhet Donald dhe që nga verifikimi rezulton se është shtetasi Ugochukwu Emmanuel Emereibenu dhe ky lëviz me mjetin me targa AA 263 UB. Dyshohet se shtetasi Ugochukëu Emmanuel Emereibenu është i njëjti person me shtetasin Donald Fonkem Anu, i cili duhet të jetë dhe emri i tij i vërtetë.

Gjatë kësaj periudhe shtetasit Ugochukëu Emmanuel Emereibenu (Donald Fonkem Anu) dhe Fatbardh Danja kanë pasur disa takime edhe me persona të tretë të cilat janë evidentuar nga veprimet në terren.

Gjithashtu subjekti Emereibenu (Donald Fonkem) po nga veprimet në terren ka frekuentuar në mënyrë të vazhdueshme pikat e këmbimit valutor.
Më 15 prill 2021 rreth orës 11:15 shtetasi Ugochukwu Emmanuel Emereibenu (Donald Fonkem) së bashku me shtetasen e dyshuar Marie Estelle Goufan Atiock me mjetin e tij AA 263 UB kanë marrë një person në Kombinat i cili nga verifikimet rezultoi të ishte shtetasi Xhentil Kupe.
Më pas shtetasja Marie Estelle Goufan Atiock dhe shtetasi Xhentil Kupe kanë hyrë në filialin e një banke tjetër në Kombinat, ndërsa shtetasi Ugochukwu Emmanuel Emereibenu (Donald Fonken) ka qëndruar në mjet.

Nga verifikimet e kryera në atë filial, Xhentil Kupe ka shkuar të bëjë një tërheqje prej afro 41 mijë eurosh për llogari të firmës së tij “GS Ecometal Co LTD”, hapur në datë 30 mars 2021 me ortak të vetëm Xhentil Kupen. Kjo firmë ka si objekt blerjen dhe shitjen e gurëve të çmuar, arit dhe metaleve të rralla si edhe të gjitha llojet e mineraleve. Gjithashtu nga verifikimet Xhentil Kupe është arrestuar në vitin 2010 si i dyshuar për vjedhjen e Kishës së Shën Mërisë në Voskopojë, ku ishin vjedhur disa mbajtëse llambadarësh dhe një pjesë e ikonostasit.

Më 26 prill 2021 Xhentil Kupe si administrator i “GS ECOMETAL CO LTD” ka kryer një prokurë pranë noteres dhe ka deklaruar se ka caktuar përfaqësues ligjor shtetasin Ugochukwu Emmanuel Emereibenu (Donald Fonkem).

Vepra penale “Mashtrimi Kompjuterik” ndër të tjera parashikon:
“Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t’i siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, në dëm të disa personave, më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda materiale…”

Nga këto të dhëna, sipas prokurorisë rezulton se Fatbardh Danja, nga Shkodra ka konsumuar veprën penale të mashtrimit kompjuterik, pasi ka ndryshuar të dhënat kompjuterike për krijimin e të dhënave të rreme, me qëllim përdorimin e tyre si autentike, për një përfitim ekonomik të padrejtë.

* Phishing është një lloj sulmi inxhinierik social që përdoret shpesh për të vjedhur të dhënat e përdoruesit, duke përfshirë kredencialet e hyrjes dhe numrat e kartave të kreditit. Ndodh kur një sulmues, duke u maskuar si një entitet i besuar, mashtron një viktimë për të hapur një e-mail, mesazh të çastit ose mesazh me tekst.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb