Gazeta Panorama.al sjell sot për lexuesit një tjetër ngjarje interesante nga gjyqi misterioz ndaj ish-ministrit të Brendshëm të kohës së komunizmit, Kadri Habziu. Prapaskenat, detajet dhe përplasjet e forta janë risjellë për publikun nga ditari ekskluziv i ish-shefit të Sigurimit të Bllokut, Gani Kodra, njeriut më të afërt të Mehmet Shehut.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR

Në numrin e kaluar Panorama.al publikoi tradhtinë që i bënë njerëzit më të afërt ish-ministrit Kadri Hazbiu, duke filluar nga shoferi personal, ushtaraku që kujdesej për ndërlidhjen si dhe nga sekretarja e tij personale dhe familjarët e saj. Këta të fundit dëshmuan në gjyq kundër Kadri Hazbiut, duke i hedhur poshtë alibinë se ai natën që ishte vrarë Mehmet Shehut kishte qenë në ditëlindjen e sekretares së tij në Laprakë.

Kjo shërbeu për të konfirmuar një tezë të akuzës se Kadri Hazbiu, kishte qenë natën kur u vetëvra kryeministri Mehmet Shehu për t’i dorëzuar një mesazh se ky i fundit ishte dekonspiruar si agjent i amerikanëve dhe se duhet t’i jepte fund jetës, duke ia dorëzuar drejtimin e organizatës kundërrevolucionare, ministrit të Brendshëm.

Por në gjyq, Kadri Hazbiu është përballur me një tjetër dëshmitar, atë të berberit të hotel “Dajtit”, i cili pranoi në gjyq se ishte rekrutuar nga shërbimi jugosllav me 500 lekë dhe se kishte si synim që të organizonte një takim me ministrin e brendshëm dhe zv.kryeministrin e Jugosllavisë.

Xhavit Ismailaga ishte berberi personal i Mehmet Shehut dhe ai qethte dhe shumë prej anëtarëve të Byrosë Politike. Por gjatë seancës gjyqësore ai theksoi se ishte rekrutuar dhe i jepte shërimit jugosllav informacionet rreth drejtuesve të Byrosë Politike.

Gani Kodra ka rrëfyer me detaje gjatë kësaj seance dhe përplasjen e fortë mes Kadri Habzit dhe drejtuesit të seancës gjyqësore, Arianit Çela, ku ky i fundit e ka larguar nga salla ish-ministrin e Brendshëm dhe e lejonte të fliste.

Hotel Dajti
Hotel Dajti

NGA AKUZAT BAJATE NË SALLË SHKAKTOHEJ DHE HUMOR

Kadri Hazbiun do ta prisnin në vazhdim të atij procesi shumë akuza të tjera, disa prej të cilave ishin shumë diletante. E vërteta është se përgjigjet e zgjuara të Kadriut për mënyrën si u kundërvihej akuzave bajate, në mjaft raste të bënin për të qeshur.

Po përshkruaj një rast. Në grupin tonë të të akuzuarve kishim edhe Xhavit Ismailagën, i cili akuzohej se ishte rekrutuar nga zbulimi jugosllav. Xhaviti ishte punëtor dhe kishte shumë vite që ushtronte profesionin e berberit në hotel “Dajti”.

Tek Xhaviti qetheshin të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të Partisë. E veçanta ishte se për më shumë se 20 vjet ai qethte Mehmet Shehun. Madje më parë kishte qethur edhe Enver Hoxhën. Në akuzën që prokurori i përgjithshëm i bëri Xhavitit, ndërmjet të tjerave tha: “Xhavit Ismailaga ka qenë në shërbim të zbulimit jugosllav. Ai është rekrutuar prej tyre duke u shpërblyer me 500 lekë të vjetra dhe u ka dhënë informata të vazhdueshme për udhëheqësit e partisë.

Pastaj, prokurori Rrapi Mino e pyeti përsëri Xhavitin: “Përveç këtyre 500 lekëve, a të kanë dhënë jugosllavët para të tjera”? Xhaviti iu përgjigj: “Përveç kë tyre 500 lekëve që më rekrutuan nuk më kanë dhënë para të tjera”.

Ishte për të qeshur kur thuhej se për 500 lekë të vjetra jugosllavët rekrutonin një person, i cili kishte lidhje me të gjithë udhëheqësit. Berberi i qethte ata qoftë në hotel “Dajti”, ku punonte, qoftë në shtëpitë e tyre. Ai dinte edhe hallet që ata kishin në familje. Akuzohej se nga bisedat që bënte me ta mësonte gjëra që mund t’i vlenin shërbimit jugosllav. Kjo ishte një gënjeshtër për vetë faktin se Xhaviti nuk ka qenë asnjëherë agjent i shërbimit jugosllav, përkundrazi ai ishte bashkëpunëtor i organeve të sigurimit i ngarkuar me detyra të caktuara.

Gjatë pyetjeve që kryetari i trupit gjykues i bënte rreth aktivitetit të tij “armiqësor”, Xhaviti u pyet për vitin 1973, kur në Shqipëri kishin ardhur për një vizitë zyrtare zv/ kryeministri i Jugosllavisë së bashku me një ministër. Kryetari i trupit gjykues e pyeti nëse zyrtarët jugosllavë kishin shkuar te ai për t’u qethur. “Na thuaj, i thanë se çfarë kanë kërkuar ata prej teje”.

Xhaviti u përgjigj: “Më kujtohet mirë që ata më thanë: “Ti Xhavit duhet të na mundësosh patjetër një takim me Kadri Hazbiun në ndonjë vend dhe ky takim duhet të bëhet sa më shpejt”.

Me gjithë insistimin e Kadriut për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, kryetari i trupit gjykues, Aranit Çela, nuk e lejonte. I thoshte: “Tani nuk ke të drejtë. Ty të takon të flasësh kur të pyesim ne”.

Këtu duhet të shtoj se në shumë raste gjatë seancave ka pasur replika dhe debate të ashpra ndërmjet Kadriut dhe Aranit Çelës, saqë ky i fundit e ka përzënë edhe nga salla Kadriun. Debatet dhe replikat ndërmjet Kadriut dhe Aranitit ishin më shumë për të drejtat e të pandehurit. Kadriu insistonte shumë herë me forcë që të pyeste dëshmitarin e akuzës duke thënë: “Më takon të flas dhe të pyes dëshmitarët sepse unë nuk kam avokat dhe mbrojtjen e bëj vetë”.

Araniti i thoshte: “Ulu dhe mos fol se të nxjerr përjashta nga salla. Kadriu nga ana e tij, me atë vendosmërinë që e karakterizonte, ia kthente: “Ti nuk ke të drejtë të më ndalosh të drejtën e fjalës, prandaj do të flas”.

Atëherë Araniti i tha: “Dil jashtë nga salla”, dhe Kadriu iu përgjigj: “Me gjithë qejf”, dhe doli i qetë, pa e prishur gjakun.

Arianit Cela 1
Arianit Cela 1

KADRIU I KUNDËRVIHET BERBERIT TË MEHMETIT

Megjithatë, Kadri Hazbiu iu përgjigj të nesërmen akuzës që bënte Xhavit Ismailaga, duke e quajtur një shpifje të çuditshme dhe vetëm një njeri pa mend në kokë mund të pranojë të thotë një akuzë të tillë. Sa mori fjalën Kadri Hazbiu iu përvesh jo vetëm Xhavitit, por edhe trupit gjykues me domethënien se po merreshin edhe me gjëra krejt absurde.

Konkretisht ai iu drejtua Xhavitit me fjalët: “Unë po e pyes Xhavitin nëse kemi qëndruar ndonjëherë së bashku që të kemi bërë muhabet, ose të paktën të kishim pirë një kafe? Kjo nuk ka ndodhur kurrë, pasi unë jo vetëm që nuk kam ardhur asnjëherë në hotel “Dajti”, por as më keni qethur ndonjëherë. Ne të dy nuk kemi pasur ndonjë njohje, përveç ndonjë përshëndetjeje kur shiheshim në rrugë.

Atëherë unë kam të drejtë të pyes se si ka mundësi që dy qeveritarë jugosllavë vijnë e të thonë ty: na krijo një takim me Kadri Hazbiun, kur ti me këtë Kadriun nuk kishe dy pare muhabet? Ku u bazuan këta të dy zotërinj qeveritarë jugosllavë që të thoshin ty për t’u takuar me mua, kur ata po të donin më takonin edhe në ndonjë pritje zyrtare të organizuar për nder të tyre.

Këto akuza që bëhen janë për të qeshur dhe të gjithë kanë të drejtë të thonë që janë budallallëqe të trasha, që janë sajuar për t’u përdorur nga një njeri pa shkollë si Xhaviti. Unë i them Xhavitit që po qe se është i zoti dhe nëse këto që ai thotë janë të vërteta, le t’i faktojë duke m’i hedhur poshtë këto që them unë. Me vjen keq se ti nuk je gjë tjetër vetëm një robot që të kanë mësuar një fjalë, të cilën ti e përdor vazhdimisht. Por ti nuk ke faj, fajin kanë të tjerët që të kanë bërë ty viktimë të tyre…

AKUZAT E ALI ÇENOS NDAJ HAZBIUT

Ish-truproja e Mehmet Shehut, i detyruar nga presioni i jashtëzakonshëm dhe nga torturat e tmerrshme që ishin bërë ndaj tij në gjyq, u detyrua të pohonte versionet zyrtare që ishin ngritur për Kadri Hazbiun se ai ishte takuar me Mehmetin pak çaste para vdekjes së tij. Si pas Gani Kodrës kjo bëhej nga akuza dhe hetuesia për të ngritur versionin se Mehmeti ishte vetëvrarë vetëm pasi kishte marrë mesazhin e ardhur nga jashtë me Xhevdet Mustafën.

Pikërisht atë mesazh, i cili sipas versionit zyrtar urdhëronte Mehmetin që pasi ti linte detyrat dhe instruktimet Kadri Hazbiut duhej të vetëvritej. Konkretisht Aliu deponoi: “Më datën 17.12.1981, natën kur, u vetëvra Mehmeti, në orën 22:30 erdhi në shtëpinë e tij Kadri Hazbiu. Ai nuk hyri nga porta kryesore, por u fut nga dera e kuzhinës, e cila ishte pas shtëpisë. Ngjiti shkallët, shkoi në studion ku punonte Mehmeti, qëndruan për pak kohë të dy vetëm dhe pastaj iku. Aliu shtoi se “Kadriun e prita unë kur erdhi, po ashtu e përcolla kur iku nga dera e kuzhinës. Atë nuk e pa njeri tjetër”!

Xhevdet Mustafa1
Xhevdet Mustafa1

BANDA E XHEVDET MUSTAFËS, NJË HISTORI PËR TË NGRITUR AKUZA

Sipas Enver Hoxhës, të gjitha grupet armiqësore që kishin dalë në kulturë, ushtri, ekonomi etj.. kishte organizuar dhe drejtuar Mehmet Shehu. Për të vërtetuar këtë tezë të Enver Hoxhës u vazhdua më tej në akuzat ndaj Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut duke sajuar, paragjykuar dhe improvizuar histori dhe ngjarje të ndryshme. Një ndër to ishte ajo që bënte fjalë për lidhjen e ngjarjes së ardhjes së bandës së Xhevdet Mustafës dhe vdekjes së Mehmet Shehut.

Për atë u aludua se ajo bandë erdhi pasi u kuptuta nga zbulimi i huaj se Mehmet Shehu ishte zbuluar dhe demaskuar nga partia. Qëllimi i krerëve të zbulimit të huaj nëpërmjet dërgimit të asaj bande, e cila u hodh diversionisht në Shqipëri, ishte që të merrnin direkt kontakt me Kadri Hazbiun, për t’i dorëzuar atij një mesazh për t’ia dhënë personalisht Mehmet Shehut. Sipas këtij mesazhi, ai duhej patjetër të vriste veten për të ruajtur të tjerët që të vazhdonin punën pas tij dhe kryesisht të ruante Kadri Hazbiun, i cili, sipas tyre, ishte kryesori.
*
Për të vërtetuar këtë akuzë ndaj Kadri Hazbiut dhe për ta nxjerrë atë si krahun e djathtë të Mehmet Shehut, si dhe për të skenuar mënyrën se si ky kishte dorëzuar mesazhin te Mehmeti, u përdorën shumë dëshmitarë, nga cilët më kryesorët ishin: të Ali Çenos i cili ishte shoqëruesi personal dhe komandant i grupit të shoqërimit të Mehmet Shehut. Halit Barjami, pjesëtar i bandës së Xhevdet Mustafës, i cili kishte mbetur i gjallë i pa eliminuar gjatë ndjekjes që iu bë kësaj bande.

Kjo, sipas meje, kishte arsyet e veta për të mos e eliminuar. Për bandën e Xhevdet Mustafës do të flas më gjerë në një pikë të veçantë, me aq sa di unë, pasi ardhja e kësaj bande në këtë periudhë e ka pasur një qëllim shumë djallëor, me një plan të menduar mirë nga Enver Hoxha dhe rrethi i tij kryesor. “Dëshmitarë”- të tjerë ishin shoferi personal i Kadriut, radisti dhe sekretarja e tij me bashkëshortin, të cilët lexonin deponimet që ua kishin shkruar hetuesit. Këta me paturpësinë më të madhe i lexonin këto gënjeshtra pa shmangur asnjë presje./ Panorama

VIJON NESER…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb