Kush do ta fitojë Çmimin Nobel në Letërsi, pas Bob Dylanit që e rrëmbeu vitin e kaluar?! Akademisë suedeze i pëlqen të tronditë botën me zgjedhjen e saj, por, duke qenë e kujdesshme për reputacionin e vet, këtë vit duket se do të bëjnë një zgjedhje më tradicionale.

18 anëtarët e Akademisë në Stokholm duket se do të zgjedhin personin me të cilin shumica do të pajtoheshin. Në mesin e shkrimtarëve që mund ta fitojnë këtë çmim është edhe Ismail Kadare.

“Akademia është një shoqëri shumë e matur dhe nuk duhet të presim këtë vit diçka sensacionale”, ka thënë për AFP, Clemens Poellinger, kritik letrar në të përditshmen suedeze Svenska Dagbladet.

Garues i fortë për këtë vit shihet kinezi, Yan Lianke, i cili më 2014 kishte fituar çmimin “Franz Kafka”.

“Zgjedhja e këngëtarit dhe tekstshkruesit amerikan, Bob Dylan në vitin e kaluar, i cili nuk ishte pjesëmarrës në ceremoninë zyrtare të dhënies së çmimit, krijoi një trazim të tillë sa që Akademia këtë vit do të zgjedhë një laureat më tradicional”, sugjeron Bjorn Wiman, redaktor i kulturës në Dagens Nyheter.

Sipas tij shanse të mira për ta fituar këtë vit çmimin janë: Ismail Kadare, dhe portugezi Antonio Lobo Antunes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: