NGA ANDON ANDONI

Ulur në divanin e bardhë përballë televizorit, me togun e gazetave të ditës në cepin e skrivanisë të cilat nuk i ka ndarë kurrë, shkrimtari Teodor Laço e nis bisedën me një kërkesë ndaj nesh; – Dua të shkruaj një shkrim për Faik Ballancën. Ka 70-vjetorin sivjet. Mos keni gjë numrin e telefonit të së bijës, avokates? Fisniku (Sina) pohon se mund të gjendej kollaj. Përmendi dikë, të cilin të dy e kishin mik të kahershëm, dhe ndërsa Teodori formonte ngadalë numrin e telefonit, ne nuk ia ndanim sytë shtatit të tij të drobitur nga ajo ndërhyrje kirurgjikale që kishte kryer vetëm fare pak kohë më parë. Por tjetër gjë fiziku dhe dukja, tjetër gjë zemra dhe mendja… – Kam një histori të çuditshme me Faikun, – nisi të rrëfejë duke u kthyer nga ne. U bë një diskutim në Lidhje, siç ishin asokohe orientimet, dhe u diskutua për tendencat liberale në letërsi dhe në art.

Midis shumë të tjerëve, që iu përmend emri nga Dritëroi për shfaqje të liberalizmit në letërsi, ishim edhe unë e Faiku. Unë guxova dhe u ngrita duke kundërshtuar; “Më gjeni një pjesë në veprat e mia ku jam treguar liberal dhe ta pranoj.” Dihej që ishin dallgë që kalonin ato lloj diskutimesh. Kur dolëm, Faiku që e kishte përjetuar shumë keq, pasi njihej si një karakter që fyhej lehtë, kishte vendosur të bënte një sfidë ndaj asaj akuze; do kërkonte të bëhej anëtar partie, gjë që s’i kishte shkuar kurrë nëpër mend më parë…. E ndërsa shkrimtari Teodor Laço rrëfen shtruar e qetë, me një logjikë e kujtesë për t’u admiruar, duke përmendur miqtë e tij të ndjerë, Vathin (Koreshin), Cacin (Anastas Kondon) dhe Faikun, me të cilët thotë se e lidhi një miqësi e pandarë që vinte prej letërsisë, por dhe prej karakteresh njerëzisht të mirë e kurajozë, duket se e mundon një peng i mbetur thellë diku në zemrën e tij, për miqtë që nuk jetojnë më prej gati një dekade; dy të parët, ndërsa Faiku, shumë më herët. – Ikën shpejt, fare shpejt, sidomos Faiku, – dhe u përmendën njërin pas tjetrit të gjithë miqtë e përbashkët të Lidhjes, Xhuvani, Dajlani, Xhevahiri, Ismaili, Sami Cabeji, Zamir Mati… – Po Adem Istrefi, si është? S’e kam parë… Fatosi s’del fare! Bardh London, si e kemi? Pastaj shton: – Ma gjeni, ma gjeni numrin e së bijës së Faikut… dua ta bëj atë shkrim… Dukej, se tashmë “e kishte bërë” atë shkrim për Faikun dhe s’mbetej gjë tjetër vetëm ta lexonim në ditët që do vinin dhe të kënaqeshim. Do kishte shpirtin dhe dashurinë e shkrimtarit për mikun e hershëm.

Do kishte politesën për tregimtarin e talentuar, që megjithëse ishte më i vogël se ai, Vathi dhe Caci, ishte më i kulturuari dhe i lexuari. Katër muskëtjerët. Madje, kaq e thellë ishte te ne kjo ndjesi, saqë e pyetëm: – Po ç’të duhet e bija?! Ja, mjaftojnë këto që tregove dhe… – Po mbase ka ndonjë bibliografi të veprës, për këtë gjë më duhet… Të tjerat ky njeri i dinte vetë. Kishte në vështrimin e tij një dritë prej shpirtmadhi, që kalonte në skanerin e mendjes-zemër tërë atë jetë të mbushur me hasetin më të çmuar, pasurinë më të madhe që ka Teodor Laço; miqtë dhe shokët, që bëjnë hije mbi tokë dhe kujtimet, për ata që kanë kohë që nuk janë më mes të gjallëve.

Na u kujtua apeli që bëri në një takim promovues në Ministrinë e Kulturës për shkrimtarin Dhimitër Xhuvani, që atë kohë kishte zënë shtratin e vdekjes. Fjalë që drithëruan sallën. Por ç’të shtojmë më shumë, për këtë mit dashurie të tij për njerëzit me të cilët e bashkoi jeta, në punë, në halle e në dëshira gëzimesh?! Gjeta një shkrim që më pati dërguar për revistën “Mësuesi” për ish-kolegun e tij, mësues në gjimnazin e Bilishtit në vitet ‘60, Thimaq Fundo. Askush s’ia kishte kërkuar. Por e ndjente si një shtysë të shpirtit, për të nxjerrë nga zemra ato radhë, për njeriun e heshtur, punëtorin e palodhur, që breza të tërë të rinjsh korçarë i dedikonin tani jetën, karrierën, pasurinë….

“Kështu, ikja e qetë nga jeta e këtij njeriu të urtë e plot vlera, më bëri të kujtoj se ka në këtë botë plot njerëz që jetojnë midis tamtameve dhe përcillen po ashtu, me bujë e tamtame, dhe ka të tjerë, po aq me vlera, që ikin siç kanë jetuar, pa zhurmë, rrethuar vetëm nga dashuria, heshtja apo dhimbja e të afërmve e miqve, që kurrë s’kanë kërkuar medalje mirënjohjeje. Është një peng moral që duhet ta nxjerrin në dritë ata që i kanë njohur.” – Dimensionin e tij njerëzor, e vija re teksa punonim së bashku në Lidhje, – tregoi Fisniku sapo kishim lënë Teodorin. – Çdo dorëshkrim që merrte në duar, qoftë edhe më mediokrin, e lexonte dhe mbante shënime për t’i kthyer përgjigje, siç dinte ai! Kur ia donte rasti; edhe me të rrahur me pambuk. E bënte edhe Ismaili (Kadare) një gjë të tillë, por Teodori ishte i jashtëzakonshëm në seriozitetin që tregonte ndaj punës.

Mbaj mend kur e çuan në Fier, Fieri u gjallërua në jetën kulturore dhe artistike sa zuri vendin e parë në Republikë, duke konkurruar vetëm me Tiranën. Dhe kjo, midis të tjerave, ishte edhe meritë e Laços si shkrimtar, dramaturg, skenarist etj. Dhe teksa Fisniku pohon në radhët e mësipërme, sërish nxora nga arkivi im një shkrim të Vangjush Saros, që pasi ka shprehur ide, mendime dhe përsiatje kryesisht për veprat në gjininë e dramës dhe të skenarëve artistikë të Teodor Laços, shkruan: “Radhët e mëposhtme nuk kanë të bëjnë posaçërisht me letërsinë dhe filmin. As me të tjera detaje të krijimtarisë së tij artistike. Por ato, gjithsesi, flasin për njeriun që ndërsa shkruante (e shkruan pareshtur), kujdesej po kaq edhe për krijuesit e tjerë, shpesh të tërhequr e të keqtrajtuar nëpër rrethe të largëta. Gjatë gjithë karrierës si shkrimtar dhe si zyrtar, nga Korça në Tiranë, nga Tirana në Fier, nga Fieri në ish-Kinostudio ‘Shqipëria e re’, në Ministrinë e Kulturës e gjetkë, Teodor Laço ka qenë një nga personalitetet që më shumë se kushdo tjetër ka inkurajuar dhe ndihmuar shkrimtarët më të rinj.

Janë të shumtë emrat e sotëm të letërsisë dhe publicistikës shqiptare, që i janë atij mirënjohës për përkujdesjen ndaj tyre. (Me modesti, një nga ata është edhe autori i këtyre radhëve.) Po gjithashtu edhe unë. Proza e Laços, si prozë e karaktereve të personazheve Por le ta lëmë paksa këtë hyrje të gjatë për shkrimtarin Teodor Laço dhe të kthehemi te letërsia e tij shkruar për më shumë se një gjysmë shekulli. Në fakt, ne të brezit të shkuar (kam frikë se Fisniku do ta heqë këtë rresht duke thënë: fol për vete ti), nuk mund të ndahemi nga Shkolla Formaliste, ku për të analizuar një vepër letrare, e çfarëdo përmase që të jetë ajo, duhet të nisesh nga jeta dhe biografia e autorit. Kjo, për faktin e thjeshtë se letërsia e një autori nuk mund të ndihet, kuptohet dhe zbërthehet pa mbajtur parasysh edhe disa të dhëna të jetës së tij; formimin, kulturën e jetesës, atë familjare, shkollimin, leximet etj.

Aq më shumë po të kemi parasysh se autorë si Laço, kanë jetuar dhe krijuar gjatë në sistemin diktatorial, si të thuash; duke qenë violina të para në letërsi dhe, nga ana tjetër, kanë marrë mbi supe barra të mëdha, për të qenë përfshirës në tërë korpusin e madh të letërsisë kombëtare me gjini letrare, përveç poezisë (ai ka një libër me poezi që pret ta botojë), që nga tregimi i shkurtër, novela, romani, letërsia dokumentare, drama, skenari i filmit, publicistika etj., të cilat jo vetëm i kanë mbijetuar kohës, por me veprat e 25 viteve të fundit ka treguar se e tërë letërsia e tij është në hullinë e letërsisë më të mirë të gjuhës shqipe. Për të kuptuar këtë denduri shpalosjeje të letërsisë së këtij autori, por tashmë pas viteve ‘90 edhe më fuqishëm, mjafton të rendisim vetëm botimet; pesë romane dhe nëntë libra me tregime (duke lënë jashtë dhjetëra vepra, si drama, skenarë dhe libra dokumentarë), deri në vitet ‘90 dhe po kaq në 20 vitet e fundit, por tashmë letërsi tejet e vlerë, me një larmi tematikash, sidomos ato që i përkasin jetës së njeriut të thjeshtë, heroit të ditës, me një galeri karakteresh për të cilët studiuesi Robert Elsie, thotë se; “Laço… dëshmon një njohje të mirë të karakterit të protagonistëve të vet”.

Le të mbetem pak më gjatë te ky element i prozës së Laços; karakteret e personazheve. Që nga Malaji, te tregimi me të njëjtën titull në vitet ‘60, dhe deri te Vllas Vishnja i romanit të fundit “Gropas 67”, botuar nga “Tirana Times” në vjeshtën e 2014-ës, flasin për një marrëdhënie tejet të veçantë dhe gati diabolike të autorit me personazhet e tij të letërsisë. Njerëz të mirë që shkrijnë gjithçka; tërë jetën e tyre për një qëllim të madh, të mbeten si të tillë, njerëz të dobishëm që lartësojnë jetën e tyre dhe shoqërinë. Këtë e tregojnë Pavlloja te tregimi “Ngrohtësia e të tjerëve”, Miti Vozari dhe Pllaton Bubuqi te “Përballimi”, Arsen Morina te “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”, heroi i tregimit “Full Mon”, “Trokitje në Shpirt” etj., etj., aq sa edhe vetë autori nuk do mund t’i kujtonte një e nga një. Ai skaliti figura që u bënë dhe mbetën proverbiale. Një lexues (me sa duket mjaft i kënduar), gjatë një polemike filozofësh në rrjetet e shumta në internet, me të qeshur a me të ngjeshur, na kujton: “I vetmi Platon që ne mund të flasim rehat është Platon Bubuqi i Teodor Laços”. Personazhe të spikatura gjenden sidomos në librat “Portat e dashurisë”, “Një ditë dhe një jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë”, për të marrë përmasa të tjera në librat “Vit i hidhur”, “Vrasja e buzëqeshjes”, “Trokitje në Shpirt” “Mjegull”, “Ishulli i Mëkatarëve”, “Gropas 67” etj.

Nga ana tjetër, ka ditur të skalisë edhe personazhet e quajtura antagonistë në tregimet dhe romanet e tij, të cilët shpesh, që në paradigmë kanë një emër apo mbiemër që fillon me germën “B”, si Bani Bashari te vëllimi “Portat e Dashurisë”, Sillo Brati te “Gropas 67”, Bato Braka te “Ishulli i Mëkatarëve”, e deri te Llano Bleta “Një ditë dhe një jetë”, që me sa duket, heshturazi dhe pa ndonjë synim të qartë, kanë marrë përgjithësimin e së keqes në letërsinë e këtij shkrimtari. Për të mbetur siç premtuam, te një qasje formaliste, lidhur me autorin, mund të them se, zor se në jetën reale Laço mund të ketë pasur përballë, qoftë edhe një të vetëm njeri “antagonist”, e nëse ka ekzistuar një i tillë, pra, mishërim i së keqes, rronxhobonxho dhe që shkrimtari të jetë përballur me të, ai ka qenë “gojëkyçuri” te tregimi me të njëjtin titull, apo Bane Lica, emër letrar që me gjasë, meqë fillon me “B”, i është propozuar prej Laços, tregimtarit Sotir Andoni për novelën dhe skenarin e filmit “Kohë e largët” (1987). (Të dy prozatorët kishin një lidhje të hershme dhe fisnore.)

Një arsyetim i tillë kërkon vërtet shumë kohë dhe studime, por ajo që mbetet, që në vështrimin e parë të letërsisë së Laços, është fakti që galeria e personazheve, karakteret e tyre, janë në thelb vetë proza e tij. “Konstatohet se këto personazhe do duhet të jenë më “identikë me jetën”, se nuk duhet përherë të mbajnë vetëm një anë, që është e kthyer nga shikuesi, por të rrotullohen rreth vetes, duke na treguar, në vend të një pamjeje të përhershme, të gjitha format e tyre”, – thotë Edvin Mjur për karakteret në roman. Dhe me ato të Laços, pikërisht ka ndodhur ky fenomen, sa gati ato lëvizin tërë ngjarjen, i japin asaj dinamikën e brendshme të leximit, shkrihen me ngjarjen. Letërsia e Laços është e shkrirë në prozën e personazheve dhe prozën e ngjarjes.

BASHKËKOHËSIA
Çdo të tanishmeje të madhe dhe serioze, – thotë Mihail Bahtin tek “Epi dhe romani”, – i duhet doemos trajta burimore e së kaluarës, gjuha burimore e kohës.” Dhe veprat letrare të Laços e ruajnë më së miri këtë raport të së shkuarës si objekt pasqyrimi dhe përjetimin si bashkëkohësi. Subjektet e prozës së Laços kanë një kohështrirje që nga vitet ‘30, kurbeti dhe koha e Luftës së Dytë Botërore, ndërtimi i vendit gjatë periudhës socialiste, dhe marrëdhëniet e reja të pas viteve ‘90 të njeriut shqiptar. Me gjithë këtë shtrirje kohore, duket se prozat më të thukëta janë ato që mbahen në dy shtylla tematike, kurbeti dhe jeta e fshatit në tërë dinamikën e saj, përfshirë tokën dhe marrëdhëniet mes njerëzve. Ai u mor gjatë me fshatin, tokën, fshatarin dhe punëtorin e thjeshtë, por gjithmonë këta u këndvështruan nga pozita qytetare, të kulturuara dhe aspak vulgare.

Ndoshta këtu qëndron edhe diferenca e prozës së tij nga ajo e pararendësve korçarë, që nga M. Kuteli, N. Prifti, S. Andoni, S. Spase, F. Gjata etj. Në shumë vepra, fabula, subjekti mbeten në hullinë e së shkuarës, si te romanet “Lëndina e lotëve”, “Korbat”, “Mjegull”, “Gropas”… “Ishulli”…, pra objekt pasqyrimi janë, e shkuara, vitet ‘30, Lufta e Dytë Botërore, sistemi komunist i viteve ‘60 etj., por si pikënisje e orientimit artistik në këto proza, është bashkëkohësia. Teksa lexon “ Mjegullën” e Laços, romanin e parafundit të tij(i fundit 2014, është romani “Gropas 67”) në hullinë e një jetëgjatësie letrare më se të admirueshme prej të gjithëve, të shkon mendja te krijimtaria e tij e lidhur ngushtësisht me historinë si fushë dhe pastaj, ndoshta edhe si shkencë. Vite më parë kemi shprehur një mendim në shtyp se; cikli i tregimeve “Kthimi i amerikanëve” nga vëllimi me tregime “Trokitje në shpirt”, me pasurinë e ngjarjeve, tematikën dhe realitetin historik të ngritur në art, do të ishte një burim ku mund dhe duhej të pinin “ujë” mjaft prej historianëve tanë. E rimarrim këtë ide, tashmë edhe më të përforcuar nga bindja se “Mjegull” është një libër sa letrar aq edhe historik.

“Mjegulla” e Teodor Laços vjen përpara lexuesit shqiptar përmes botimit me shije të shtëpisë botuese “Tirana Times” me shijen e një mjegulle, kur shpesh të zë paniku apo të trishton kur gjendesh nën vellon e saj të hirtë, dhe herë-herë të lektis në ëndërrime të këndshme dhe dashurore, fshehur e mikluar prej saj. Titull dhe thelb më të gjetur për ngjarjen e luftës italo-greke të 1939-1941, nuk mund të ketë. Ai ka ardhur së brendshmi nga përsiatjet e ngjarjeve në këtë roman, i mbetur gjatë në duart e autorit për gati më shumë se 30 vite dhe, sigurisht, i retushuar së fundi. I dashuruar dhe jo vetëm njëherë, me qytezën e tij të qetuar Dardhën; por dhe në respekt të historisë, Laço i vendos ngjarjet në Darsinin malor, ku dislokohen në pranverën e ‘39-ës forcat e një batalioni italian, që presin urdhrin të mësyjnë nga aty, për të pushtuar Greqinë fqinje. Një hamulli dhe avashllëk i një jete njerëzish që nuk dinë nga të orientohen. Thua se do fryjnë erëra të tjera?

Sigurisht, përderisa kemi një Albert Pramatar, vendas, që namatis dhe ndjek zakonet e pipinove italianë dhe, nga ana tjetër edhe një Karapataq, filogrek, jeta e burrave dhe grave të qytezës do jetë e çoroditur, mbuluar me motivin e pritjes, herëherë të zezimit dhe mjegullës. Romani është një dukuri e re për lexuesin, por gjykojmë se e tillë ka qenë edhe për vetë shkrimtarin. Nisur nga korniza e një romani historik, pasi ngjarja është e tillë dhe kapitujtkronika që përdor autori me vërtetësinë e emrave, protagonistë, data, ngjarje, batalione dhe kohë reale, duket se do ta bëjnë autorin, në kuadrin e letërsisë së tij të deritashme, edhe një romancier kronikan dhe “Mjegullën” një roman historik. Por në të vërtetë, jeta shoqërore, karakteret e spikatura të njerëzve burra e gra, nuse e vajza, djem dhe pleq që lëvrojnë në roman, e kanë bërë autorin të mbetet besnik i romanit të tij psikologjik-shoqëror, gjë që e ka provuar edhe në të shkuarën me shumë sukses.

Ngërthimi i kornizës historike me shtratin psikologjiko-shoqëror e kanë bërë romanin të fitojë dimensionet e një brezi a shoqërie njerëzore në luftë. Ajo që do duhet të pranojmë në këto radhë është fakti se Laço, për herë të dytë në këto 20 vitet e fundit zbulon dhe hedh dritë, me një kulturë të jashtëzakonshme prej shkrimtari të lidhur fort me fatet e vendit dhe historinë ashtu siç ka ndodhur, sjell fakte dhe dritëhije historike të panjohura apo fare pak të njohura të shoqërisë shqiptare, nga Lufta e Dytë Botërore deri në kapërcyellin e viteve ‘48-‘50; së pari me librin me tregime “Trokitje në shpirt” në kapitullin “Kthimi i amerikaneve”, për periudhën e viteve ‘50, dhe tani me luftën italo-greke të zhvilluar në frontin e verilindjes shqiptare. Një trajtesë krejtësisht me mungesën e partizanëve me yll në ballë, siç ka dashur ta manipulojë historia 50-vjeçare e komunizmit. Një fat njerëzish që më shumë se njëherë e ndjejnë veten të përfshirë në vorbullën e luftës, për të vetmen arsye, se ajo shtyn valët e saj sa nga njëra anë në tjetrën në trojet e Biseda pa fund për fitues dhe humbës, tregtarë dhe varfanjakë, që ndërrojnë portat sipas valëve të luftës, por që të gjithë me një fund të trazuar dhe herë-herë tragjik.

“ Palë ndërluftuese, italiane dhe grekë, që herë lëshojnë terren dhe herë kthehen fitimtarë, por gjithmonë të humbur, janë sfondi tronditës i romanit. “ tyre dhe asgjë tjetër. Duket se lufta si e tillë diçka ka sjellë edhe për ta, në Darsinin malor. Biseda pa fund për fitues dhe humbës, tregtarë dhe varfanjakë, që ndërrojnë portat sipas valëve të luftës, por që të gjithë me një fund të trazuar dhe herëherë tragjik. Kartëmonedha të zhvlerësuara “me të cilat mund të mbushësh dyshekun” dhe kope e të imtave e përgjysmuar. Ca më keq, për më të vobektët: jetë të shuara nga mizoria e luftës, pa kursim. Por ajo që mbetet në mendje, është se gjithçka dhe të gjithë në roman janë shqiptarë, ama deri në fund shqiptarë, deri në varrezën e papa Ndonit, dhe sigurisht edhe në altarin ku vë kurorë çifti më i ri, Magda me Endrin. Ky dimension e bën romanin tejet bashkëkohës. Sepse i tillë është dhe synimi i shkrimtarit si orientim estetik. Palë ndërluftuese, italiane dhe grekë, që herë lëshojnë terren dhe herë kthehen fitimtarë, por gjithmonë të humbur, janë sfondi tronditës i romanit. Një përfshirje aktive e tyre dhe vetëm fundi bën bilancin e romanit. Që të kthem edhe njëherë në titull; “Mjegull”. Mjegull që davaritet në shpirtin e lexuesit për një kohë që fare pak paskemi ditur. Mjegull që të mezi pret të ngresh kokën nga qielli dhe të kërkosh kthjelltësinë dhe ngrohtësinë e një dielli kaltërosh, që ta ka dhënë leximi i romanit me të njëjtin titull i Teodor Laços.

PËRMBYLLJE
Në përmbyllje të këtyre radhëve, mendojmë se vepra letrare e këtij shkrimtari ka vend për analiza të thella dhe që, duke iu qasur asaj në tri dimensione, të kohës së shkrimeve, gjedheve dhe llojeve të gjinive letrare që lëvroi, si dhe tematikës së gjerë që trajtoi në to, do të përmbushej një boshllëk i madh që kritika letrare në veçanti, por dhe studiuesit e fushës së letërsisë në përgjithësi, u kanë borxh letrave shqipe të më se një treçerek shekulli. Janë shkruar doktoratura pa hesap për lloj-lloj gjërash, duke stisur dhe stërthënë të thëna e të pathëna njëherësh dhe, për vepra të tilla, si kjo e shkrimtarit Teodor Laço me mbi pesëdhjetë romane, tregime, drama, skenarë filmash, monografi, studime dhe libra publicistikë që rrokin një diskurs kaq të gjerë, nuk thuhet as një gjysmë fjale. Le të presim.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: