Disa detaje të reja kanë dalë nga plagosja e një natë më parë në Shkodër e shtetasit Dedë Plani, 60 vjeç, djali i xhaxhait i Bardhok Planit që u vra në një atentat mafioz në prillin e vitit të kaluar.

Mësohet se 60 vjeçari është dërguar drejt Tiranës për një mjekim më të specializuar për shkak të plagëve të rënda që ka në trup.

Sipas burimeve pranë spitalit të Shkodrës Dedë Plani është jashtë rrezikut për jetën, por është transportuar drejt Tiranës në spitalin e Traumës për shkak të dëmtimeve të rënda që ka marrë nga plumbat.

Dedë Plani mësohet se ka tre plumba në krahë, dhe një plumb në brinjë, pjesën e legenit dhe në këmbë. Si çdo natë Dedë Plani ndodhej në punë duke bërë roje pranë një karburanti në hyrje të rrugë Shkodër-Koplik, pas rotondos së Dobraçit.

Papritur një person me motor është afruar, është ulur dhe ka qëlluar në drejtim të 60 vjeçarit 8 herë me pistoletë duke e lënë të plagosur.

Gjashtë prej plumbave përfunduar në trupin e të plagosurit. Menjëherë pasi e ka qëlluar autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë.

Sipas burimeve, autori kanë vijuar rrugën nga Shkodra në drejtim të Koplikut.

Në atë aks janë me dhjetëra rrugë dytësore fshatrash duke i dhënë shumë mundësi autorit për t’u fshehur.

Forcat e policisë kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të karburantit ku ndodhi plagosja për të parë dinamikën e ngjarjes dhe po ashtu janë duke marrë edhe kamerat e sigurisë të aksit Shkodër-Koplik edhe pse mbetet e vështirë për ta gjurmuar për shkak të errësirës dhe faktit se në gjithë ai aks nuk ka shumë kamera sigurie duke i dhënë avantazh autorit i cili e ka mirëmenduar se si ti shpëtojë ndjekjes së policisë.

Policia ka dyshime se autori është vrasës me pagesë, një metodë që po përdoret thuajse në gjitha ngjarjet kriminale në Shkodër. Efektivët gjithsesi vijojnë punën për identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes së Dedë Planit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb