Në fillim rastet e shumta të shpërdoruara, pak mungesë fati dhe ndonjë vendim arbitrar i kontestuar. Më pas një gabim fatal individual me kosto dhe së fundmi (pjesa e dytë e derbit me Partizanin) një skuadër e çoroditur, e çekuilibruar.
Pas 5 javësh kampionat kuptohet që te Dinamo ka diçka që nuk shkon. Mungesa e ndonjë lojtari të formacionit nuk mund të justifikojnë rendimentin e kësaj skuadre. Dihet që mungesa ka gjithmonë dhe për to merren masat që para nisjes së sezonit. As fakti që Dinamo u ndërtua në 20 ditë, siç përmend shpesh trajneri Di Biaxho, nuk mund të mbulojë 4 humbje në 5 javë. Më shumë se gjysma e skuadrës ishte formuar para ardhjes së tij dhe ishte stërvitur në Tiranë dhe Pogradec për gati një muaj.
Blutë kanë shfaqur probleme si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, duke pësuar gola sistematikisht dhe po ashtu duke shënuar pak. Dinamo ka pësuar 10 gola, aq sa Teuta, ndërsa më shumë ka pësuar vetëm Kukësi (11). Sulmi e ka gjetur rrugën e rrjetës 6 herë në këto 5 javë dhe në 2 raste me penallti.
SULMI 0 PIKË – Interesant është fakti se Dinamo nuk ka marrë asnjë pikë deri tani nga sulmuesit. Interesant për vetë faktin se kjo skuadër luan gjithmonë me 4 lojtarë përpara: Kaçorri në qendër, Zabërgja dhe Vila (vetëm në Korçë luajti Allmuça në vendin e tij titullar) në krahë dhe Denison si numër 10. Këta lojtarë të gjithë bashkë kanë shënuar 4 gola në këto 5 ndeshje të para, që kanë shërbyer për 0 pikë. Të vetmen fitore, rrjedhimisht edhe 3 pikët që ka në tabelën e renditjes, Dinamos ia ka dhënë Indrit Prodani në ndeshjen me Kukësin, ku ai shënoi 2 gola.
Sulmi blu nuk ka dhënë atë që pritej dhe kuptohet që ky fakt ndikon në paraqitjen e skuadrës. Emiljano Vila, që u konsiderua si një nga goditjet më të mëdha të merkatos, nuk është zhbllokuar ende. Edhe Veton Tusha që është aktivizuar si zëvendësues nuk ka mundur të bëjë diçka ndryshe. Megjithatë, sulmi nuk është i vetmi problem i skuadrës së Di Biaxhos me atë që ka treguar deri tani. LAÇI Kryeqytetasit kanë si detyrë parësore në këtë pikë të kampionatit të minimizojnë dëmet.
Laçi është ndeshja e radhës, ku Dinamo do të kërkojë kthesën. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë, është një transfertë nga më të vështirat dhe morali i skuadrës është tronditur fort. Blutë duhet të fitojnë besimin, duke marrë një rezultat pozitiv ditën e enjte, kur luhet kjo ndeshje. Në ndihmë të stafit teknik mund t’i vijë kapiteni Rustem Hoxha, që ka lënë pas dëmtimin e pësuar në Korçë dhe duket gati për të luajtur titullar. PanoramaSport