Dinamo renditet në vendin e gjashtë të kampionatit, me 16 pikë të grumbulluara. Pavarësisht se dinamovitët kanë një emër të madh në futbollin shqiptar, vitet e fundit paraqitjet e ekipit nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Në një intervistë të dhënë për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, drejtori sportiv i bluve, Haris Fakiç foli për ndryshimet Di Biagio-Mehmeti në pankinë, por edhe për objektivat e skuadrës. Sa i takon këtij sezoni, ai u shpreh se synohen katër vendet e para, ndërsa në një të ardhme të afërme grupi mund të përsërisë suksesin e Skënderbeut.

 

 

Nga Tirana te Partizani, 5 ndeshje me Mehmetin në stol asnjë humbje, 9 pikë në total, jeni bërë pishman që nuk i besuat që në fillim Mehmetit, mos humbët më shumë kohë se duhej me Di Biagio-n?

Me Biagion ishte një projekt që rezultoi ndryshe nga ajo çfarë prisnim. Mendoj që ishte një lëvizje e bujshme dhe interesante për kampionatin shqiptar. Futbolli ka specifikat e veta dhe mungesa e rezultateve të sjell në këtë pikë. Futbolli është i paparashikueshëm. Asgjë në futboll nuk të jep garanci.

Fakiç, e ka Dinamo një objektiv të qartë këtë sezon, çfarë synoni?

Dinamo është një ekip i ndërtuar nga e para. Në formacionin me anë të të cilit luajmë, kemi shumicën e lojtarëve që janë takuar për herë të parë. Vetë ne si klub kemi emër dhe peshë, nuk të lejon të mendosh për objektiva të vogla. Ne duhet të luftojmë për top 4.

Mehmeti kërkon një merkato të fortë, jeni të gatshëm t’ia plotësoni, çfarë i duhet këtij ekipi?

Të gjitha ekipet mendojnë për merkaton. Si çdo ekip tjetër, edhe ne kemi nevojë për merkato. Jemi në negociata me disa lojtarë dhe besoj se sa më shpejt, do kuptohet se kush do afrohet te ne.

Kemi skuadër të fortë dhe kemi kualitet. Unë mendoj që na duhet nga një lojtar për çdo repart.

Haris, te Skënderbeu e kthyet merkaton në art, keni realizuar goditje fantastike, a mund të përsëritët me ajo kohë, a mund ta bëni diçka të ngjashme te Dinamo?

Tani ajo histori vështirë se mund të përsëritet. Skënderbeu ka bërë histori. Unë besoj se Dinamo ka potencial, ndoshta nuk është gati për momentin, por më  vonë po. Me gjithë atë histori dhe emër, atë peshë që ka, besoj se ka potencial.

Nëse kthehemi pas në kohë, cila ka qënë lëvizja juaj me e madhe dhe me kryesorja, keni ndonjë plan të madh për Dinamon?

Kemi bërë lëvizje kualitative. Një nga lëvizjet më cilësore ishte ajo e Olayinkës te Genti në Belgjik.

Si të duket sot niveli, dikur kishim vetëm Skënderbeun e ktheu në monopol futbollin shqiptar, po sot si të duket?

Nuk mbaj mend një kampionat të ketë filluar në këtë mënyrë, pra të jenë ekipet kaq të barabarta. Të gjithë ekipet luajnë për gjithccka.

Jeni pjesë e një klubi shumë të madh, a duhet të presin shumë tifozët për të parë sërish një Dinamo kampione?

Ka 10 vite që kemi qenë jashtë vëmendjes. Ka qenë një klub që edhe pse me histori të madhe, ka qenë i hedhur diku ku nuk i takon të jetë. 1 deri në 2 sezone le të kalojnë, pastaj tifozët të shikojnë Dinamon e vërtetë.

(J.S/BalkanWeb)

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: