Pas gati 20 vjetësh, Luan Pinari rikthehet zyrtar isht te Dinamo, skuadra ku ka nisur futbollin dhe ka bërë karrierë, duke fituar edhe titullin kampion. Ishmbrojtësi është emëruar pjesë e stafit teknik të trajnerit Dritan Mehmeti dhe gjatë këtyre ditëve ai është parë të bisedojë nga afër me futbollistët, duke u përpjekur që t’i motivojë për pjesën e mbetur të kampionatit, duke nisur nga transferta e sotme me Besëlidhjen. Në një interviste për “Panorama Sport”, ish-kapiteni nuk e diskuton ngjitjen në elitë dhe po ashtu paralajmëron se shumë shpejt do të kapin nivelin e markës së dikurshme të futbollit shqiptar.

Pinari, një rikthim pas një kohe shumë të gjatë tek ekipi juaj i parë. Si ndiheni?

U bënë gati 20 vjet që kur kam ikur nga Dinamo dhe jam shumë i lumtur për rikthimin, sigurisht. Rikthehem në shtëpinë time, aty ku kam filluar futbollin dhe ku kam fituar. Do të përpiqem me të gjitha forcat për ta ndihmuar Dinamon.

Si e vlerësoni këtë moment delikat që po kalon Dinamon në kampionat?

Si gjithë skuadrat e tjera, edhe Dinamo pati ato problemet e veta, por i ka qëlluar në atë pjesë të kampionatit, që quhet delikate. Megjithatë, çdo gjë varet nga ne, sepse janë edhe 9 ndeshje dhe siç kemi gabuar ne, mund të gabojnë edhe kundërshtarët. Kampionati është shumë i fortë, është edhe vetë struktura e tij. E ritheksoj, çdo gjë varet nga skuadra jonë. Edhe pse kemi pasur këto probleme, kam parasysh dëmtimet, skuadra është në gjendje të mirë. Organika e Dinamos na bën që ta vazhdojmë kampionatin të qetë deri në fund, sepse vërtet skuadra ka cilësi.

A mund të kthehet Dinamo ajo marka e dikurshme e futbollit shqiptar, pjesë e së cilës keni qenë edhe ju?

Dinamo ka 2-3 vite që po punon për t’u rikthyer ajo marka e dikurshme e futbollit tonë. Ka bërë gabime rrugës, por aty ku punohet edhe gabohet. Jam i bindur se klubi është në rrugë të mbarë. Ne jemi rikthyer te Dinamo, sepse besojmë plotësisht se ajo do të kthehet aty ku i takon. Këtë vit do të bëjmë maksimumin që ta kthejmë në Superiore. Nuk kemi ardhur pesimistë, por optimistë, duke parë edhe gjendjen e skuadrës.

Si e prisni ndeshjen me Besëlidhjen, ku ju do të debutoni në stolin blu?

Besëlidhja është një skuadër që ka qenë gjithmonë faktor në futbollin shqiptar, ka qenë edhe në Superiore. Nuk është skuadër për të qenë në fundin e tabelës, ka bërë disa ndryshime në janar dhe më vjen keq sinqerisht që është në atë pozicion. Në fund të kampionatit uroj që të jetë sërish në Kategorinë e Parë. Ndeshja do të jetë e fortë, por shpresoj ta kalojmë me sukses.

Cili është gjykimi juaj për rivalitetin me Skënderbeun dhe Flamurtarin?

Është një garë treshe e fortë. Mendoj se siç kanë përfituar Skënderbeu dhe Flamurtari këto dy javë, kur Dinamo ka humbur, mund të përfitojmë ne në vazhdim. Kjo e bën garën edhe më të bukur dhe më të paparashikueshme. Dinamo është gati, është një emër i madh, ka një organikë shumë të mirë dhe besoj se do të jemi kryesues në fund. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: