Diplomati i njohur shqiptar Agim Nesho ka folur mbrëmjen e sotme në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço në News24 për luftën e Rusisë në Ukrainë duke shpjeguar çfarë po ndodh që nga rezistenca ukrainase deri tek reagimet e Perëndimit dhe qëllimet e Putinit.

Së pari, Nesho foli për vrasjet në Bucha, ku dhjetëra njerëz u gjetën të masakruar, çcka ngriti akuza ndaj Rusisë për krime lufte. Ai thotë se masakra është e shtrirë gjeografikisht kudo ku ushtria ruse ka qenë prezentë.

“Janë njerëz të thjeshtë që kanë qenë në momentin e gabuar në një qytet të pushtuar dhe pastaj janë vrarë. Ajo masakër është e shtrirë gjeografikisht kudo ku ushtria ruse ka qenë prezentë. Rusia në planin e parë strategjik ushtarak dështoi, prandaj mënyra alternative për të qenë prezentë për një marrëveshje do ta arrijë siç ka bërë në Çeçeni etj. Në pamundësi për të marrë Kievin, po bën shembull duke shembur qytete të tëra dhe vrasje të civilëve të pafajshëm. Do të fusë frikën që një ushtri e madhe e një perandorie po vjen dhe nuk mund ta ndalë askush.
Pamjet janë makabre dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Pavarësisht se Rusia e mohon është shumë e rëndë. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve ka filluar një investigim të pavarur, prokurori është prezent. Prokurori i Ukrainës ka mbledhur prova në të gjitha qytetet. Janë shanset për t’u gjykuar për krime lufte. Konflikti në Ukrainë merr përmasa botërore për arsye se Rusia është një nga fuqitë e Kombeve të Bashkuara, garantë e paqes dhe stabilitetit në botë. Kjo e çon sistemin në kolaps. Dhe vetë presidenti i Ukrainës me shumë zgjuarsi në KS të OKB tha ka nevojë për një ndryshim në sistemin ndërkombëtar.
Vetë vendet e BE-së, SHBA-të po shikojnë mënyrën e rritjes së presionit duke vënë sanksione të tjera financiare, ekonomike ndaj Rusisë”, tha Nesho.

Por çfarë loje po luan Rusia?
“Këtë e sqaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s që tha ne jemi në dijeni që veprimi i ardhshëm i Rusisë do jetë shumë i madh për të zotëruar Donbasin.
Nga gjithë kjo veprimtari Putini pasi dështoi kërkon të dalë me fitore për ta shitur në opinionin e brendshëm të Rusisë që unë Donbasin e mora por dhe një rrip që bashkohet me Krimenë.
Të shkëpusë një tokë të rëndësishme në Ukrainën Lindore e Perëndimore dhe ta shesë si mbrojtje të interesave ruse. Donbasi është burimi i gjithë mineraleve dhe pasurisë së Ukrainës, ku mund të gjenden si minierat, mineralet dhe burime të tjera të energjisë. Me këtë veprim kërkon t’i shtojë Rusisë një territor me vlerë dhe të ndëshkojë Ukrainën. Është e papranueshme!”, tha diplomati.

Sa i përket negociatave mes Ukrainës dhe Rusisë, ai tha se bisedat e ardhshme do të vijnë kur Putini të ketë diçka në dorë, për arsye të tolerancës që pret nga Perëndimi.
“Rusia dhe Putini ka mekanizmin mbrojtës nga dënimi për krime lufte. Pavarësisht se një ditë në një kohë të ardhshme do të bëhet e mundshme. Por në momentin e caktuar, së pari Rusia nuk ka ratifikuar Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve dhe nga ana tjetër për të ndërmarrë një veprim komuniteti ndërkombëtar duhet një votim i KS të OKB ku Rusia ka veton. Bisedat e ardhshme do të vijnë kur Putini të ketë diçka në dorë, për arsye të tolerancës që pret nga Perëndimi. Putini kërkon dy gjëra, të mbetet në pushtet, kërkon të mbyllë jetën e tij si një udhëheqës i madh i Rusisë. Një Stalin, që nga krimet që ka kryer Stalini, sidomos në Ukrainë ka një ngjashmëri.
Si vend diktatorial me një prejardhje komuniste ai do të jetë i izoluar, ka frikën e ngritjes së opinionit publik. Ai ka frikë nga ideja e vrasjes, së një komploti”, tha Nesho.

Ai foli më tej dhe për sanksionet e Perëndimit.
“Po të realizohen sanksionet deri në fund dhe ato që kërkon Ukraina, çështjet për të kufizuar energjinë, gazin, naftën. Për naftën vendimet e BE-së më të shpejta. Për gazin ka një strategji më të gjatë.
Veprimi i dëbimit të diplomatëve nga veprimet që kanë kryer ata, sepse tani mbrojnë një gjë të padrejtë, por tani edhe mizore, ajo marrëdhënie e krijuar me Rusinë, si nga NATO dhe BE-ja si partner, gjithnjë e më shumë po sfumohet. Sot në botë mes Perëndimit dhe Rusisë po krijohet një vijë e madhe ndarëse që është e vështirë për t’u bashkuar.
Putin dhe të gjitha vendet e tjera autokratë kërkojnë që gjërat të mos zgjidhen në bazë të atij rendi botëror të krijuar pas Luftës.
Dy skenarë të ndryshëm janë përplasur. Po shikohet që SHBA-të dhe Perëndimi po insistojnë që Ukraina të rezistojë sa më shumë, për t’i dhënë një mësim Rusisë që nuk mund të prishen ato rregulla sulmi.
Perëndimi ka rënë dakord që të armatosë Ukrainën. Sfida e Perëndimit ta armatosë me të gjitha mjetet në dispozicion që të bëjë rezistencë.
Do të ishte preludi i një lufte botërore nëse Ukraina nuk do ndalte oreksin e Rusisë. Do shtrihej në vende të tjera europiane”, deklaroi Nesho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb