Vizita e planifikuar e kryeministrit Izraelit, Benjamin Netanyahu në Shqipëri që pritet të ndodhë shumë shpejt është historike dhe mund të hapë dyert e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Kështu shprehet kryetarja e Komitetit Amerikano-Hebraik (American Jewish Committee), znj. Avital Leibovich në një intervistë për emisionin Diplomaticus në televizionin News 24. program që drejtohet nga gazetari Erion Kaçorri. Leibovich thekson se populli Shqiptar duhet të ndihet krenar për këtë vizitë të planifikuar të kryeministrit Netanyahu në Tiranë.

“Jane kaq shumë vende të cilat dëshirojnë marrëdhënie të ngushta me Izraelin dhe fakti që kryeministri Netanyahu zgjodhi Shqipërinë për të zhvilluar një vizitë historike, mendoj se i thotë të gjitha. Kjo vizitë që do të zhvillohet së shpejti është e rëndësishme sepse ajo hap një sërë dritaresh për lloje të ndryshme bashkëpunim. Izraeli është i njohur në të gjithë botën për teknologjinë dhe inovacionin dhe këtë eksperiencë mund ta ndajë me Shqipërinë në mënyrë që të rinjtë e ketij vendi të mos largohen nga atdheu i tyre” shprehet znj. Avital Leibovich për News 24.

45259801 1949603495153905 8433505938844942336 N

Kryetarja e Komitetit Amerikano-Hebraik ndalet te mundësitë e mëdha që ka Shqipëria për investitorët Izraelitë.

“Bujqësia është një fushë me interes. Mund të flasim për burimet ujore pasi Shqipëria është vend i pasur në këtë fushë. Por gjithashtu do të dëshiroja të fokusoheshim te turizmi sepse për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona, ka patur fluturime direkte nga Izraeli në Shqipëri. Eshte vetëm dy ore larg dhe shumë Izraelitë zgjodhën që gjatë sezonit të verës t’i kalojnë pushimet e tyre në Shqipëri. Kam lexuar komentet e tyre. kam parë fotografitë e tyre nga Shqipëria dhe të gjitha përshtypjet e tyre ishin vetëm pozitive. Mbresa e parë e turistëve Izraelitë është se ndihen të mirëpritur në Shqipëri. Mbresa e dytë ka të bëjë me bukuritë e natyrës së Shqipërisë. Peisazhi, malet, liqenet dhe deti. Në vlerësimin tim mendoj se numri i turistëve izraelitë do të dyfishohet në Shqipëri” thekson personaliteti i njohur Izraelit.

E pyetur nëse Komiteti Amerikano Hebre e ka nxitur qeverinë izraelite për të njohur pavarësinë e Kosovës, Leibovich deklaron se kjo është një çështje komplekse.

“Ka të bëjë me çështje të brendshme politike brenda vendit, por edhe në çështje të jashtme për shkak të marrëdhënieve të Izraelit me vendet e tjera europiane. Shikoni, Kosova ka tani një mundësi, një dritare mundësish për të hapur një zyrë për interes ekonomik në Izrael. Tani topi është në fushën e Kosoves, nëse zgjedhin të ecin përpara me këtë plan dhe personalisht më duhet të them se shpresoj që të ecin përpara. Mendoj se Kosova do të përfitonte nga kjo marrëdhënie”.

E pyetur në lidhje me çështjen e Jeruzalemit, faktit që shkakton kaq shumë konflikt dhe çfare ndjen kur Shqipëria voton në OKB pro Palestinezëve, Leibovich deklaron se për Izraelitët Jeruzalemi është kryeqyteti i tyre sepse atje ndodhen të gjitha institucionet, ndërsa për votimin e Shqiperisë nuk ndihet mirë.

45077237 2097624700488997 5863144758683107328 N

“Nuk jam e lumtur për vendimin e Shqipërisë. E kuptoj dëshirën e Shqiperisë për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian dhe e kuptoj se Shqipëria kërkon të jenë në një linjë me politikat e BE-së, por e thënë kjo. edhe në Bashkimin Europian nuk ka unitet mbi politika të ndryshme. Pra mund të shikojmë opinione të ndryshme. Shpresoj se do të ketë mundësi të tjera për të votuar ndryshe” deklaron kryetarja e Komitetit Amerikano-Hebre znj. Avital Leibovich për televizionin News 24.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb