Ambasadori i ri i Britanisë së madhe në Shqipëri, Duncan Norman deklaron gjatë një interviste për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri se edhe pse vendi i tij ka një qeveri të re të dalë pas Brexit, pozicioni ndaj Shqipërisë nuk ka ndryshuar.

“Kemi qenë miq me Shqipërinë për një kohë të gjatë. Në fakt përfaqësuesi ynë i parë këtu ka qenë në vitin 1922 dhe kemi pasur një lidhje të gjatë. Për gjërat që janë të rëndësishme për ne, dëshira për të parë një Shqipëri të suksesshme nuk ka ndryshuar. Ato fusha në të cilat ne jemi partnerë, siç është ajo e mbrojtjes apo puna jonë kundër krimit të organizuar, dhe në çështjet e sigurisë, as këtu nuk ka ndryshuar pozicioni ynë. Madje Shqipëria po bëhet edhe më e rëndësishme për ne si një vend partner”, deklaron ambasadori Norman për News24.

Duke u ndalur te perspektiva e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian në një kohë që populli britanik ka vendosur përmes referendumit për të dalë prej tij ambasadori Duncan deklaron se është e rëndësishme që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian kur të jetë gati.

“E di që flasim shumë për datat dhe se kur do të ndodhë, por e rëndësishme është që Shqipëria duhet të tregojë se është gati, jo vetëm për vendet anëtare të unionit, por që t’ia dëshmojë këtë gatishmëri edhe vetë popullit. Pra nuk mendoj se është kaq e rëndësishme të flasim për datat, por më e rëndësishme është të flasim për përgatitjen. Ajo që ndoshta është e duhur për Shqipërinë nuk është domosdoshmërisht e duhur për Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu bëhet fjalë për vullnetin e popullit. Ndërsa vullneti i popullit shqiptar është në shumicë dërrmuese për tu anëtarësuar në BE, siç e pamë në referendumin tonë, vullneti i popullit Britanik ishte që të largohemi nga Unioni. Dhe kjo është diçka që të gjithë duhet ta respektojmë”, deklaron ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri për televizionin News 24.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb