Kryeredaktori i KosovaPress, Ideal Gola përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24, është shprehur se situate në veri të Kosovës vijon të mbetet e tensionuar.

Gola u shpreh se ka raportime ende të paverifikuara se disa prej terroristëve në Banjskë janë shkëputur nga grupimi që është fshehur në manastir, duke përfituar edhe nga terreni malor i zonës.

Sipas tij dyshohet po ashtu se këta persona kanë marrë pjesë më parë në konflikte të armatosura për shkak të përdorimit të armëve nga ana e tyre dhe veprimtarisë ndaj policisë.

Duke u nisur nga kjo indicie ai shtoi se ata mund të jenë mercenarë ushtarakë, ndërsa shtoi se nuk pritet qetësimi i situatës së shpejti.

“Situata vijon të jetë e tensionuar në Banjskë të Leposaviçit pas shkëmbimit të zjarrit mes grupit të armatosur dhe policisë së Kosovës.

Disa prej terroristëve në manastirin e Banjskës janë vrarë, ndërsa ka raportime se një pjesë e tyre mund të jenë shkëputur nga ta, por besohet se janë ende në territorin e Kosovës.

Këta persona dyshohet se kanë marrë pjesë më parë në një konflikt të armatosur. Mund të jenë mercenarë që kanë marrë pjesë në një luftë tjetër, duke marrë parasysh përdorimin e mjeteve ushtarake nga ana e tyre dhe veprimtarinë ndaj policisë.

Nuk pritet qetësimi i situatës së shpejti, ndërsa as fjalimi i Vuçiç nuk pritet të ndikojë sadopak, pasi ky sulm është rezultat i propagandës së tij”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb