Në mitingun përmbyllës të Partisë Socialiste, mbajtur në Parkun Olimpik të Tiranës, Kryeministri dhe njëherazi kryetari i PS-së, Edi Rama, u shpreh me tone të forta për rrugëtimin politik të partisë dhe objektivin europian të Shqipërisë.

“Ne, pararendësit e kësaj fuqie elektorale të pandalshme, nuk jemi mundur dhe nuk do të mundemi për sa kohë mbajmë gjallë vizionin dhe ambicien më të madhe për Shqipërinë”, tha Rama, duke theksuar se forca e PS qëndron në aftësinë për të udhëhequr ndryshimin dhe për të vetëndryshuar.

Ai deklaroi se PS është bartëse e shpirtit europian të Shqipërisë dhe kjo, sipas tij, është arsyeja pse vendi është gjithnjë e më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar kritikëve, Rama tha: “Disa mendojnë se kam lindur me fat për shkak të kundërshtarëve që kam pasur, të tjerë ia atribuojnë gjithçka kohës. Por koha nuk sjell ndryshimin – janë njerëzit që e bëjnë atë.”

Ai përmbylli fjalën me një mesazh krenarie kombëtare dhe europiane:
“Ne i kemi dhënë kohës ngjyrat e flamurit tonë, zërin e identitetit shqiptar dhe drejtimin për një Shqipëri të barabartë në skenën ndërkombëtare.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb