Italia është vendi i parë europian që e mbështet fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin e saj të integrimit europian, edhe ndaj atyre vendeve dhe kundër atyre vendeve që nuk janë në favor të zgjerimit të Bashkimit Europian.


Kështu deklaroi sot nga Vora, ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio, ku vizitoi kampin ku janë strehuar të prekurit nga tërmeti i 26 Nëntorit.


“BE në mënyrë të natyrshme duhet të përqafojë dhe të bëjë pjesë të saj vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe ne do të mbështesim fuqimisht këtë mbështetje, edhe në ditët në vijim edhe ndaj atyre vendeve dhe kundër atyre vendeve që nuk janë në favor të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe në një farë mënyre po gabojnë duke e penguar zgjerimin e mëtejshëm të BE-së”, – nënvizoi Di Maio.


Ministri i Jashtëm italian u shpreh se “integrimi në BE i Shqipërisë mund të japë mundësi të mëtejshme sipërmarrjeve italiane që veprojnë në Shqipëri që të rrisin në mënyrë të ndjeshme edhe investimet e tyre në këtë vend duke ofruar mundësi të reja jo vetëm për punësim, por edhe ne rritjen ekonomike”.

“Kjo vizitë përbën një moment tjetër të mbështetjes sonë në këtë rrugëtim dhe këtë mbështetje do të kem rastin t’ia shpreh jo vetëm Kryeministrit Edi Rama, por edhe Presidentit të Republikës, Ilir Meta”, tha ministri Di Maio./ATA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb