Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, ka deklaruar në rubrikën “Opinion”, në News24, se po bëhet një punë e madhe për ndërgjegjësimin e subjekteve lidhur me diskriminimin, duke e cilësuar këtë një ndër shkeljet më të rënda që mund t’i bëhet njeriut. Në studion e News 24, Gajda zbuloi dhe gjobat që iu vihen subjekteve për këtë shkelje, që kapnin vlerat e 100-600 mijë lekë të rinj.

“Ne synojmë rritje të bashkëpunimit me organizatat. Vendosim gjoba 100-600 mijë lekë të rinj. Vendimet e komisionerit po përdoren së fundi nëpër gjykata. Kjo i ka dhënë ankimuesve të drejtë për shpërblime të majme. Duam që subjektet të ndërgjegjësohen për diskriminimin, sepse është një nga shkeljet më të rënda që mund t’i bëhet një njeriu”, tha Gajda.

Hetimi për dy radikalët që bënin thirrje kundër Maqedonisë e Kosovës, po rritet gjuha e urrejtjes online?
Kemi një handikap të madh, sepse ende nuk e vëzhgojmë gjuhën e urrejtjes online, që ka shumë. Ky është problem, sepse manifeston shoqërinë. Jemi shumë mbrapa, sepse shumë vende evropiane kanë filluar të monitorojnë gjuhën e urrejtjes online. Është shumë e rëndë, sepse së pari prek aspektin fetar, dhe e dyta, gjuha e përdorur është shumë ekstreme.

Në këtë rast, ne kemi dhe dispozita në kodin penal. Ajo që zyra e komisionerit ka bërë është se u jemi drejtuar me shkresë të dyja prokurorive, që t’i shqyrtojnë me seriozitet dhe vëmendje këto çështje. Sepse nga deklarata të tilla, mund të kalohet në veprime dhe njerëzit të përfundojnë në tragjedi.

Ngjarja në Porto Palermo, në shumë vende ka shumë diferencime në çmime, a janë këto sjellje diskriminuese?
Sigurisht që janë. Janë fenomene që ndodhin, një diferencim për shqiptarët dhe të huajt.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb