Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al

SHOKU KADRI HAZBIU: Mua kështu më ka thënë, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë. Mund të jetë ashtu si thua ti.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po kur të tha kështu, ti përse nuk i kërkove sqarime?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ç’sqarime t’i kërkoja unë, mendoje ti, më tha ai.

SHUKO ADIL ÇARÇANI: Ju duhej ta kishit diskutuar këtë çështje me njëri-tjetrin.

SHOKU ENVER HOXHA: Po pse, punonte mirë Mihallaq Ziçishti?

SHOKU KADRI HAZBIU: Për mendimin tim, ai ka pasë punuar mirë në ministri.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere fare lehtë ti duhet t’i thoshje Hysniut, që ai të vazhdonte të punonte në ministri, se drejtonte një sektor me rëndësi të madhe.

SHOKU KADRI HAZBIU: Tani, shoku Enver, këto gjëra unë i’a thashë. Po mirë, më tha ai, le të iki, po në këtë rast në vend të tij, kë mund të vëmë tjetër? Dakord le të iki, i thashë edhe unë. Kur ai më pyeti kë mund të vëmë tjetër, më kujtohet se i kam dhënë edhe kandidaturën.

SHOKU ENVER HOXHA: Cilën kandidaturë i ke dhënë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Xhep Kollin.

SHOKU ENVER HOXHA: Po kush e zëvendësoi Mihallaqin?

SHOKU KADRI HAZBIU: Xhep Kolli e zëvendësoi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Xhepi dhe Feçori.

SHOKU KADRI HAZBIU: Feçori ka ardhur më prapa. Ky në ministri erdhi si drejtor në fillim. Kështu është kjo punë, shoku Enver.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po mirë, Kadri. Tani ne dimë ç’është Mihallaq Ziçishti dhe ç’ka bërë. Dimë gjithashtu ç’ka qenë Zoi Themeli dhe ç’ka bërë, dimë ç’ka qenë Feçor Shehu dhe ç’ka bërë, Mehmet Shehu po dihet që dihet. Tani kanë dalë të gjitha këto punëra….!

SHOKU ENVER HOXHA: Ka edhe drejtorë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që janë futur në burg.

SHOKU RAMIZ ALIA: Siç është, fjala vjen, drejtori i Drejtorisë së Hetuesisë etj., po veçanërisht këta më me përgjegjësi si Mihallaqi, Feçori etj., janë kryesorët, që po i shikojmë se kanë bërë një punë shumë armiqësore komplotuese kundër Partisë, që kishin për qëllim të shkatërronin tërë sistemin tonë socialist, të zhduknin Shqipërinë me një fjalë.

Tani, duke parë që këta kanë vepruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, domethënë rreth teje, si e gjykon ti përgjegjësinë tënde? Ku e sheh ti këtë përgjegjësi? Ku i shikon ti dobësitë e punëve të tua në tërë këtë çështje, se ishe drejtues atje?

SHOKU HEKURAN ISAI: O Kadri, shoku Enver kështu e shtroi pyetjen dhe është e qartë për të gjithë ne se kjo çështje nuk mund të mbyllet me atë që the ti se, me qenë se këto ishin kuadro të lartë atje, ka pasur në këto çështje familjariteti, janë bërë gjithfarë lëshimesh.

SHOKU KADRI HAZBIU: Familjaritet unë gjykoj që ka pasur. Këtu kemi të bëjmë me një mirëbesim si të thuash të verbër nga ana ime, të pa thelluar. Unë e pranoj që në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka familjaritet, po një familjaritet të tillë që unë të kem rrezikuar ose sakrifikuar interesat e Partisë, deri këtu nuk kam shkuar.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, ja edhe kjo që thua ti tani, ç’tregon?

SHOKU KADRI HAZBIU: Kjo tregon paaftësinë time.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Me paaftësi nuk shpjegohet kjo, Kadri.

SHUKO HEKURAN ISAI: Po si mund të pranojmë ne që ti ke qenë i paaftë deri sa ke drejtuar në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme për një kohë të gjatë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Për rezidenturën, shoku Enver, ne kemi pasur marrëveshje me ta.

SHOKU ENVER HOXHA: Me kë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Me rusët…

SHOKU ENVER HOXHA: Si?

SHOKU KADRI HAZBIU: Kur ka qenë Mehmeti në Ministri, në vitin 1950 a në 1951-in, duhet të jetë bërë kjo marrëveshje. Duhet të ketë dokumente për këtë, mendoj unë. Rusët kanë ngritur problemin që për studentët që dërgonim atje, për hir të mbrojtjes së tyre, duhej të dërgonim edhe ne një njeri në ambasadë, që të dinte agjenturën që kishim ne në radhët e studentëve tanë dhe nëpërmjet tij, të bashkërendonim punët me rusët.

SHOKU ENVER HOXHA: Po përse t’i bashkërendonim ne punët tona me rusët?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po se ata na thoshin që duhet të mbroheshin, se studentët tanë i kishim futyr në shkollat e tyre e njërën e tjetrën dhe na thoshin se nuk ngrinin dot vetë agjenturë midis tyre, prandaj kërkonin të kishin një përfaqësues të Sigurimit tonë. Këtë na e kërkuan ata.

Dhe kështu kemi bërë ne, dërguam një apo dy, nuk më kujtohet kush ishin konkretisht ata, dhe shkuan me radhë njëri pas tjetrit. Njëri prej tyre, ishte Ismail Qineti, tjetri mund të gjendet kush qe. Janë disa shokë këta që mbanin agjenturën tonë në lidhje dhe bashkërendonin veprimet me sovjetikët, u tregonin këtyre çështje të ndryshme që u lindnin e ku ta di unë!

SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe sovjetikët ngrinin agjenturën e tyre në radhën e njerëzve tanë, jashtë kontrollit tonë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, dale, të flasim për atë që është në marrëveshje.

SHOKU ENVER HOXHA: Po si është bërë kjo marrëveshje? Me shkrim?

SHOKU KADRI HAZBIU: Është bërë me shkrim, apo s’është bërë me shkrim, për këtë nuk di gjë unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ti, kur e more në dorëzim këtë punë, e gjete të drejtë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Kë?

SHOKU ENVER HOXHA: Ja, këtë që po diskutojmë tani.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë këtë praktikë e kam gjetur dhe kështu e kam vazhduar, e kam konsideruar të drejtë bashkëpunimin me organet e Sigurimit Sovjetik.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë me sovjetikët, paska qenë kështu si thua ti, po me të tjerët, me çekët, me polakët?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk e di si ka qenë me çekët dhe me të tjerët, nuk më kujtohet. Duhet verifikuar në rast se kemi pasur përfaqësues të Sigurimit tonë në këtë vende ne apo jo.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka pasur plot nga këta, duke filluar që nga Skënder Konica.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, kemi pasur, është aplikuar e njëjta gjë edhe me agjenturën që kishim në radhët e studentëve tanë që kishim në këto vende.

SHOKU ENVER HOXHA: Ua kemi dhënë atyre agjenturën?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, atë e mbanim ne. Mbaje ti sa të duash, kështu si kemi bërë. Ngadalë njëherë, ta shpjegoj si ka qenë çështja.

SHOKU ENVER HOXHA: Shpjegoje, shpjegoje, shpjegoje!

SHOKU KADRI HAZBIU: Kjo ka qenë kështu, agjenturën e mbanim ne, pastaj, kur kanë ardhur këshilltarët rusë, është ndryshuar praktika.

SHOKU ENVER HOXHA: Kur kanë ardhur këta?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk më kujtohet. Në 1956-ën, ose në ’57-ën, duhet të kenë ardhur. Në atë kohë është shtruar problemi që mund t’i mbanin ata edhe drejtpërsëdrejti bashkëpunëtorët tanë, që kishin rekrutuar ne.

Edhe këta ne ua kemi dhënë. Për rekrutime të tjera, që të kenë bërë ata më vete, ne nuk kemi ditur gjë, por në qoftë se unë kisha një bashkëpunëtor, p.sh., këtu mbetëm dakord me ta, që këtë ta mbante oficeri i tyre i ndërlidhjes, i Sigurimit të Akademisë, ose të shkollës, ku ishin studentët tanë.

Për këta janë evidencat këtu dhe mund të gjendet se cilët kanë qenë këta bashkëpunëtorët tanë që kanë pasur rusët, që u janë dhënë atyre në lidhje. Çekëve, nuk më kujtohet, po mundet t’u jenë dhënë edhe këtyre, bashkëpunëtorët tanë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ua keni dhënë ju atëhere platformën?

SHOKU ENVER HOXHA: D.m.th., bashkëpunëtorët tuaj, rezidentët, ishin sa ishin këtu, i kishit vënë ju në lidhje me agjenturën sovjetike, për të mbikëqyrur studentët tanë në linjën ushtarake, apo në linjën civile?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po po. Edhe në linjën ushtarake ka mundësi, t’u jenë dhënë në lidhje.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu? Ne kishim atje 1800 – 2000 kuadro e student ushtarakë, në mos gabohem. A mundet një Ismail Qineti t’i vinte rrotull gjithë kësaj masa të madhe njerëzish?! A mundet ta bënin qoftë dhe dy veta këtë punë, qofshin edhe tre? Jo, kjo është e pamundur.

SHOKU KADRI HAZBIU: Sigurisht që ky s’i arrinte dot.

SHOKU HEKURAN ISAI: Me Ismail Qinetin unë kam biseduar, shoku Enver. Ai na thotë se nuk shkonte dot nga Moska në Leningrad, për t’u takuar me njerëzit tanë, pastaj sovjetikët kishin disa sektorë ushtarakë, ku qenë studentët tanë në vende që ne nuk na qasnin fare. Për këtë punë ishte ngarkuar një oficer sovjetik që të gjithë këta i merrte në lidhje.

SHOKU ENVER HOXHA: Më fal, ta mbaroj mendimin. D.m.th., ju jo vetëm rezidentët i keni lidhur me KGB-në, me rusët, gjë që është një gabim shumë tragjik, por rusëve u kemi lënë dorë të lirë të marrin në dorëzim edhe bashkëpunëtorët tuaj.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere, si punonjës të Sigurimit, e kuptoni ju një rrezikshmëri të tillë, pavarësisht se në atë kohë ne ishim miq me rusët? Kush e ka dhënë urdhrin që këta të jepeshin në dorëzim?

SHOKU KADRI HAZBIU: Tani, si të them unë, shoku Enver, veçse jam i bindur që me kokën time kjo punë nuk është bërë.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë po me kokën e kujt është bërë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Si të them, shoku Enver…

SHOKU RAMIZ ALIA: Kush ishte në vitet 1954-1955 ministër i Punëve të Brendshme?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë isha.

SHOKU ENVER HOXHA: Atëhere ti duhesh të kesh pyetur, ose Hysninë, ose Mehmetin.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po si të them, se kë kam pyetur, nuk i mbaj mënd, po jam i bindur që në kokën time këto veprime nuk i kam bërë. Unë më lart e kam bërë çështjen prezentë dhe më është thënë që; sovjetikëve mund t’u jepen bashkëpunëtorët tanë.

SHOKU ENVER HOXHA: Kush të ka thënë?

SHOKU ADRIL ÇARÇANI: Po këtë sqaroje?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ç’të them, shoku Adil. Lidhjet unë me këta të dy i kam pasur.

SHOKU ENVER HOXHA: Njëherë, Kadri, e kupton ti sa e rrezikshme është kjo çështje?

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë e kuptoj këtë, pas tradhtisë së sovjetikëve. Përpara kësaj tradhtie, nuk e kuptoja.

SHOKU RAMIZ ALIA: Bukur. Po kam një pyetje në lidhje me këtë. Ti e kuptove këta pas tradhtisë së rusëve, atëhere përse nuk ja bërë të ditur Komitetit Qendror të Partisë këtë çështje, që kur ne prishëm marrëdhëniet me rusët?

SHOKU ADRIL ÇARÇANI: Të thoshe këtu që; shikoni, shokë, kjo gjë ka ndodhur me sovjetikët, kështu është situate me ta, prandaj urgjentisht duhen të merren masa.

SHOKU RAMIZ ALIA: Në 1960-ën, i premë ne urat me sovjetikët, atëhere, përse nuk ke ardhur të informosh për këtë praktikë në Komitetin Qendror?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Dale, ta shpjegoj. Nuk është se unë nuk e kam thënë këtë çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po neve nuk na rezulton një gjë e tillë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Në rast se nuk rezulton, është tjetër punë. Nuk e di, nëse ja kam thënë, ose nuk ja kam thënë shokut Enver, por shoku Hysni e ka ditur, se ne u kemi dhënë sovjetikëve edhe listën e bashkëpunëtorëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kur ja ke dhënë?

SHOKU KADRI HAZBIU: Pas tradhtisë së sovjetikëve.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ne e kemi me dokument, kur ti ja ke dhënë Komitetit Qendror. Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb