Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al

SHOKU ENVER HOXHA: Iku kjo situatë, Kadriu më pas vazhdoi punën në Ushtri, ku dëshiroj të vë në dukje se ka punuar dhe vazhdon të punojë me interesim dhe vullnet të madh. Dhe me aq sa gjykoj unë, brenda këtyre dy-tri vjetëve ai u ka hyrë problemeve të ushtrisë. Për këto ne shpesh kemi biseduar së bashku, i kam vënë edhe detyrë për të kryer dhe ai vazhdimisht ka qenë mjaft i okupuar.

Mirëpo tani ja që nëpër arshiva ekzistojnë dokumenta që dalin njëri pas tjetrit. Këto nuk mund të qëndrojnë të mbyllura që t’i zejë pluhuri, sidomos pas gjithë këtyre ngjarjeve të mëdha që kemi jetuar, prandaj i duhen kërkuar nga ana jonë disa shpjegime për to, shokut Kadri, sepse është i vetmi shok i mirë që është gjallë dhe në gjendje të na sqarojë këto që po zbulojmë.

Duke kërkuar karakteristikat e një kuadri në Sektorin e Kuadrit në Komitetin Qendror me shokun Ramiz, nuk mbaj mënd konkretisht për cilin, Mihal Bisha, në bazë të kujtesës, i tregon Ramizit se ky njeri, është në atë “listën”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ramizi pyeti: “Po ç’është kjo listë”?!

Lista e oficerëve që kanë qenë në Bashkimin Sovjetik dhe që Ministria jonë e Punëve të Brendshme, i ka pas vënë në dispozicion të KGB-së dhe të GRY-së.

Shoku Ramiz e morri këto dokument, më informoi menjëherë mua, dhe duhej të më informonte medoemos, pastaj më tha: Shiko seç kemi këtu? Dhe më tregoi. Po të pyesim njëherë Kadrinë për këtë gjë, sepse ai e di çështjen si qëndron, i thashë unë.

Por, më parë se të pyesim ty të na japësh shpjegime për këtë çështje, ne e thelluam një çikë më tej këtë informacion. I thamë shokut Hekuran, të shikojë për atë kohë disa dosje që vijnë rreth e rrotull kësaj çështjeje. Qëllimi ishte që ta kishim të qartë këtë punë, për ta parashtruar sot para teje.

Tani duam të dimë, se si qëndron kjo punë? Këtu kemi dy probleme, po le të shohim të parin në fillim, të mos vemi akoma tek i dyti. Si qëndron çështja e vënies së rezidentëve tanë nën drejtimin e rezidencës sovjetike dhe marrja në dorë nga rezidenca sovjetike e bashkëpunëtorëve tanë operativ, nga të cilët një pjesë mbaheshin nga rezidentët tanë dhe një pjesë nuk diheshin fare nga rezidenca jonë? Është kështu?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, kështu është, shoku Enver.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ato që mbaheshin nga ne, diheshin nga ana e sovjetikëve.

SHOKU ENVER HOXHA: Pra ata që mbaheshin nga ne, diheshin nga sovjetikët. Këta ishin një numër rezidentësh, numri i të cilëve është më i kufizuar, kurse numri i bashkëpunëtorëve më i madh. Numri i oficerëve ose i studentëve që ndiqeshin si nga Sigurimi ynë, ashtu dhe nga Sigurimi Sovjetik, me të cilin bashkëpunonte yni, është akoma më i madh, por me pikëpyetje. Përveç kësaj, e njëjta gjë është bërë edhe me Sigurimet e vendeve të ish-Demokracive Popullore. Atje ne, kishim student civilë, të cilët nga ana jonë ishin vënë në dorë të agjenturave të këtyre vendeve.

Tani, si është bërë kjo punë, shoku Kadri?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk janë vetëm këta, mund të ketë edhe të tjerë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po edhe të tjerë, po të kesh, Kadri, na i thuaj.

SHOKU KADRI HAZBIU: Tani, përsa i përket përgjegjësisë sime, këtë as që kam mundur ta thelloj, po me ndërgjegje kam thënë, si në Plenumin e VI-të të Komitetit Qendror, edhe më vonë, se përsa i përket gjithë kësaj veprimtaria armiqësore, që u vërtetua në Ushtri, nuk kam pasur asnjë rezervë në vlerësimin që i ka bërë Partia përgjegjësisë së organeve të Punëve të Brendshme, konkretisht Sigurimit të Shtetit, për këto çështje, çka mua më ka shqetësuar shumë, por sa e kam realizuar për vete, nuk jam në gjendje ta përcaktoj.

SHOKU ENVER HOXHA: Po si mendon ti, ka vepruar drejt Partia?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po, plotësisht drejt ka vepruar.

SHOKU ENVER HOXHA: Po Sigurimi i Shtetit?

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, nuk ka vepruar drejt dhe këtë e them në drejtim të vlerësimit të punës që është bërë. Në fillim, në materialet që kemi bërë dhe në konkluzionet që tërhiqen atje, unë jam shprehur që Sigurimi ka përgjegjësinë e tij, bile shumë të madhe, flas gjithmonë lidhur me veprimtarinë e puçistëve. Megjithatë, jam i bindur se Sigurimi i Shtetit, nuk e ka bërë detyrën që i takonte, për faktin se; gjithë këto veprimtari armiqësore, janë zbuluar nga Partia në proçesin e përpjekjeve që bën ajo, për ta çuar përpara zhvillimin e vendit tonë. Ky është mendimi im dhe për këtë s’kam asnjë rezervë.

Përsa i përket punës sime, shoku Enver, për një gjë kam bindjen dhe këtë mund ta them këtu para jush, që ç’kam ditur, e kam bërë. Ndonjë rezervë ose ndonjë hile, në qoftë se mund ta quajmë kështu, tek unë s’ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë ndaj Partisë. Po sa ja kam arritur unë kësaj…?

SHOKU ENVER HOXHA: Këtu është çështja që sa duhej të dije, se çke ditur ti, ne mund ta pranojmë se nuk i ke mbajtur asgjë Partisë, çështja është a duhesh të dije ti më shumë, apo nuk duhesh të dije?

SHOKU KADRI HAZBIU: Kështu si e gjykoj, shoku Enver, unë jam ndodhur përpara njerëzve që ma kanë pasur me hile, kurse nga ana ime, asgjë nuk kam pasur me hile, i kam shikuar çështjet gjithnjë nga këndi i njeriut të Partisë, se po të kisha vënë hijen e dyshimit tek këta njerëz, do të kisha mbajtur tjetër qëndrim. Po ka pasur të dhëna që unë të vija shenja dyshimi? Mundet.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, pse nuk re në dyshime? Cilat janë ato arsye që të bënë ty të mos bije në dyshime?

SHOKU KADRI HAZBIU: Njëherë, të tërë këta njerëz kanë qenë në udhëheqje. Unë, edhe në qoftë se kam pasur ndonjë mendim kundër, për ndonjë çështje të caktuar, kam menduar gjithmonë se ky, fjalën e kam për Mehmet Shehun, ishte anëtar i Komitetit Qendror, anëtar i Byrosë Politike dhe kryeministër. Edhe ata që kam pasur rreth e rrotull, nuk i kam parë me syrin e dyshimit. Për ato mendime e veprime të tyre, që kam konstatuar që janë në kundërshtim me normat e Partisë, dokumente janë, le të shikohen dhe të dalë se, kur kam mundur, i kam ndrequr.

Pra, mendimet që kam pasur, për njërin ose për tjetrin, edhe ashtu si i kam pasur, shoku Enver, nuk kam mbajtur kurrë rezervë, kam vajtur ja kam thënë Komitetit Qendror, kur kam menduar ndryshe. Si të them tani, përgjegjësia bie mbi mua, se duhej të isha vigjilent, po në këtë rrethana, më tepër se kaq nuk kam arritur të zbuloj ose të evidentoj si negative veprimtarinë e këtyre njerëzve, për të mos folur për ta si tradhtarë dhe si armik.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po mirë, po çfarë të ka penguar ty në këtë drejtim? Këtu nuk është puna e aftësisë, se kjo nuk të ka munguar. Atëhere pse nuk ke arritur të dyshosh për këta njerëz? Zoi Themeli ka qenë në Ministrinë ku ke drejtuar ti dhe doli armik, Mihallaq Ziçishti po ashtu, Feçor Shehut i kanë dalë me kohë kaq gjëra të këqija, Halim Xheloja ka qenë në Zbulimin e Ushtrisë dhe doli se ka pas qenë dhe ai armik, po kështu Panajot Plaku.

Këtu e kemi fjalën, për mungesë vigjilence ndaj këtyre elementëve që ishin të afërt me ty, atëhere, pse ka ndodhur kjo humbje vigjilence nga ana jote? Vallë vetëm për faktin se ishin kuadro këta, apo ke pasur ndonjë mendim tjetër për ta? Mos ka ndikuar në këto qëndrime të tuat të buta familjariteti, që mund të jetë një nga shkaqet që ju ka çuar juve atje, në dobësimin e vigjilencës? Apo pikëpamja se ky është shok i Luftës, Punëtor i Sigurimit të Shtetit etj.?

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ç’të them, unë kështu thashë dhe kështu gjykoj, mbase është edhe pozicion i gabuar ky nga ana ime, po kurrë nuk kam pasur gjë me ta. Për Zoi Themelin, ka dokumente në Ministri, ku del se unë gjithmonë kam menduar për të se është njeri i ngushtë, aq mendon. Kur trajtohej çështja e tij nga ana e aparatit të Komitetit Qendror, unë e kam dhënë mendimin për të. Kurse për Mihallaq Ziçishtin, kurrë nuk kam dyshuar. Pse? Mund të jetë edhe familjariteti që më ka penguar të mos i shikoja këto çështje, mund të jetë edhe lufta e përbashkët që bënim, megjithatë, disa të meta që kam konstatuar në punën e tyre, ua kam vënë në dukje.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë të kam pyetur ty disa herë, më duket, se nuk e kam kuptuar kurrë largimin e Mihallaq Zicishtit nga detyra e zv/ministrit të Punëve të Brendshme, të kam thënë se kurdoherë që ne, me faj ose pa faj, kemi përjashtuar një komunist ose një kuadër, qoftë edhe me funksione të ultë nga Ministria e Punëve të Brendshme, ose nga organet e saj vartëse, ai ka ardhur ka qarë përpara meje. Për Mihallaq Ziçishtin, ti më ke thënë që e larguat që të shkonte dhe të punonte në terren.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë…?!

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, ti më ke thënë për të vajtur të punojë në terren, të bëhej qarkullimi i tij.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë jo, unë nuk ju kam thënë kështu…?!

SHOKU ENVER HOXHA: Po nuk më ke thënë mua ti, që kjo lëvizje është e dyshimtë?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë e kam shtruar kështu çështjen e tij.

SHOKU ENVER HOXHA: Si? Po na e thuaj një çikë!

SHOKU KADRI HAZBIU: Edhe njëherë kur ra llafi për herë të fundit…!

SHOKU ENVER HOXHA: Kur për herë të fundit?

SHOKU KADRI HAZBIU: Nuk mbaj mënd se ç’kohë ka qenë.

SHOKU ENVER HOXHA: Tani ka vdekur puna, po na thuaj përpara.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk e kam kuptuar pse iku Mihallaq Ziçishti nga Ministria e Punëve të Brendshme, kështu ju kam thënë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, atëhere përse nuk i ke vajtur deri në fund kësaj çështje, edhe sikur të supozojmë se ti nuk e ke kuptuar?

SHOKU RAMIZ ALIA: Po të supozojmë se ti nuk e ke kuptuar, si e shpjegove atëherë këtë lëvizje? Përse nuk i shkove deri në fund kësaj çështje?

KADRI HAZBIU: Dale, shoku Ramiz, fatkeqësia tani është këtu, që nuk është shoku Hysni. Mua shoku Hysni më ka thirrur këtu, kur kishte një konflikt me Zoi Themelin. Ka mundësi të ekzistojnë për këtë çështje dhe shënime të tija. Zoi ishte vënë në konflikt me vartësit, pretendonte të vepronte në kundërshtim me kompetencat që i takonin dhe për të gjitha këto, unë ndërhyra që t’i sqaronim këto çështje. Ai erdhi pastaj në Komitetin Qendror, u ankua, për këtë arsye, shoku Hysni më porositi mua, ta trajtoja me gjakftohtësi çështjen e tij.

SHOKU ENVER HOXHA: Hysniu të ka thënë me gojë, apo ta ka dhënë edhe me shkrim mendimin e vet, si të veproje me Zoin?

SHOKU KADRI HAZBIU: Me gojë më ka folur, shoku Enver, se me shkrim…!

SHOKU ENVER HOXHA: D.m.th., vetëm më gojë bëheshin këto punë? Po ne duhet t’i shohim tani këto çështje.

SHOKU KADRI HAZBIU: Le të shikohen shoku Enver, unë nuk kam ndonjë kundërshtim.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo jo, puna është se të gjitha këto duhet t’i vërtetojmë tani.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ja të mbaroj ç’kisha për të thënë, shoku Enver. Ne duhet të vërtetojmë ato që mund të vërtetojmë, se ç’të them tani, me defterë unë nuk kam punuar dot. Me bashkëpunëtorët e mi të afërt, kam punuar qetë, me kujdes, po kështu kam vepruar edhe me Zoi Themelin. Për vete isha i mendimit që ky duhej hequr nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe si njeri, inkapabël, por edhe se kishte krijuar atje një situatë të sëmurë, e gjithë ato gjëra. Në të njëjtën kohë, në vitin 1966, kur po merreshin masa të bëhej qarkullimi i kuadrit, shoku Hysni më tha se, sikur të hiqej edhe Mihallaq Ziçishti nga Ministria e Punëve të Brendshme, kë mund të vinim në vendin e tij?

Unë e pyeta, pse të hiqet?

Po ja, jeni shumë anëtar plenumi në Ministri, m’u përgjigj ai.

Mendimin tim, unë ja dhashë dhe kam diskutuar për këtë çështje. I kam dhënë mendimin edhe për Rexhep Kollin, a nuk më kujtohet për cilin tjetër, se kush mund të lëvizte. Po, më tha. Herën tjetër, kur e dëgjova këtu që kishte kërkuar vetë Mihallaqi të largohej nga Ministria, unë jam çuditur, po ai vetë këtë nuk ma tha. Pas takimit me shokun Hysni, Mihallaqi më tha se do të largohej nga Ministria për në Korçë, më tha gjithashtu se edhe Zoi Themeli duhet të vejë në Peshkopi.

SHOKU ENVER HOXHA: Nuk e ka kërkuar vetë vajtjen në Korcë Mihallaqi?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Mihallaqi…?

SHOKU ENVER HOXHA: Atë e kishte caktuar të vente atje, Mehmet Shehu.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk di gjë për këtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti s’di gjë, dakord, po tani na del se atë e paska caktuar Mehmet Shehu. “Të vesh në Korçë”, i ka pas thënë ai.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë për këtë nuk kam ditur gjë, shoku Enver. Këtë jua them me ndershmëri të pastër komuniste.

SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë, xhanëm?

SHOKU KADRI HAZBIU: Ju them kështu, se nuk kam ditur gjë. Si projekt shoku Hysni, më pyeti me kë mund të zëvendësohet Mihallaqi, se do të largohet andej. Unë nuk kam ditur edhe për gjëra të tjera që mund të ketë pasur Mihallaqi.

SHOKU ENVER HOXHA: Nga pjesa ime, ta thashë që këtë dyshim, e kam pasur unë, që kur u largua Mihallaqi nga Ministria, kurse Hysniu, nuk më ka thënë kurrë kështu si thua ti, që Mihallaqin, do ta heqim, se qenë bërë shumë anëtarë plenumi në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb