Pjesa e tretë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror I Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një process-verbal  i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të zhvilluar më 25 maj të vitit 1978, me temë: “Mbi një gjendje dhe mbi disa problem që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku asistonin edhe Ramiz Alia, sekretar i Komitetit Qendror që mbulonte propagandën, artin e kulturën, Pilo Persiteri, kandidat i Byrosë Politike dhe Drejtor i Kombinatit të Autotraktorëve, “Enver Hoxha”, zv/ministri i Arsim-Kulturës, Anastas Kondo dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli. Proces-verbali i plotë i asaj mbledhje të drejtuar nga Enver Hoxha, ku ishin të ftuar dhe merrnin pjesë edhe aktori dhe regjisori i famshëm i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Pirro Manit, aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.   

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Teatri ynë ka një eksperiencë shumë të madhe në bashkëpunim me aktorë – dramaturgë. Gjithmonë kur kjo punë është bërë mirë, ka pasur një harmoni në mes të autorit dhe të regjisorit të teatrit, gjithmonë rezultatet kanë qenë positive. Nga ky bashkëpunim i ngrohtë, konkret dhe jo në përgjithësi, neve na kanë mbetur ose do të na mbeten shumë vepra dinjitoze në fondin e saj të artë të skenës sonë, duke filluar që nga veprat e para si “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, “Cuca e maleve”, etj. Përmenda disa nga këto vepra të cilat janë mjaft serioze. Ky bashkëpunim, sidomos kohët e fundit ka ardhur duke u bërë akoma më i fortë, më konkret. Në teatrin tonë ne kemi mjaft kuadro që nuk punojnë në teatër, po që merren me shkrime dhe janë shkrimtarë. Ata jo vetëm që na ndihmojnë me veprat e tyre, por ata vijnë edhe në teatër, njihej dhe me procesin e vënies në skenë, njihen me ligjet e skenës, gjë e cila është më se e domosdoshme për autorin. Të rinjve tanë ne u kemi besuar me guxim, u kemi ndenjur shumë afër i gjithë kolektivi, organizata, ne regjisorët e vjetër dhe me të vërtetë ka pasur rezultate. Për shembull, Dhimitër Pecani, jo vetëm që deputoi me sukses në skenën tonë, po ai shkoi edhe në Fier ku dha një shfaqje të bukur për teatrin e Fierit. Përveç kësaj janë një numër i madh regjisorësh të televizionit, si Albert Minga që ka dalë nga gjiri i televizionit, i Teatrit Popullor, po kështu dhe Vladimir Prifti dhe Agim Qirjaqi. Pra duhet t’u besojmë “shkopin e dirigjentit” të rregjisorit, djemve të rinj që të çajnë përpara dhe të dalin talente, se populli ynë është shumë i talentuar”

Kështu u shpreh në mes të tjerash në diskutimin e tij regjisori i njohur i teatrit Pirro Mani, në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetin Qendror të PPSH-së e mbajtur më 25 maj të vitit 1978 e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Pilo Peristeri, Anastas Kondo e Dritëro Agolli. Në atë mbledhje me temë: “Mbi një gjendjen dhe mbi disa problem që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, përveç Pirro Manit, merrnin pjesë edhe aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.

Për më shumë se çfarë është folur dhe diskutuar në atë mbledhje nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Anastas Kondo e Dritëro Agolli, si dhe nga të ftuarit: Pirro Mani, Violeta Manushi dhe Tano Banushi, na njeh dokumenti arkivor në fjalë me process-verbalin e asaj mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë në disa numra të rubrikës dossier.

                                                             Vijon nga numri kaluar

 Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, 25 maj 1978

 “MBI GJENDJEN DHE MBI DISA PROBLEME QE DALIN PËR RRITJEN E NIVELIT IDEOARTISTIK TË KRIJIMTARISË SË TEATRIT DHE ESTRADAVE PROFESIONISTE”

SHOKU ANASTAS KONDO: Duke u përgatitur për këtë mbledhje kam lexuar edhe për të parë se si jemi në krahasim me botën për sa i përket numrit të teatrove. Ne na del që sot kemi një teatër për njëqindmijë banorë. Ne kemi tretë teatro profesionistë dhe 15 estrada. Kemi Teatrin e Operas dhe Baletit, Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Estradën e Ushtarit, që bëhen gjithsej 25 trupa, numër ky shumë i madh në krahasim me popullsinë. Kemi dhe 25 teatro të kukullave, të cilat lozin një rol shumë të madh në edukimin e fëmijëve. Ne po e shohim edhe tani në takimin e trupave të teatrove që duhet t’i vëmë më shumë forcë zhvillimit të teatrove dhe estradave, prandaj nxjerrim konkluzione që duhet të forcohet puna jonë si ministri dhe puna e Partisë për të rritur numrin e dramave. Po të nisemi nga përvoja e Kinostudios që në 60 skenarë, nga seleksionimi vetëm 20 mbeten për t’u bërë film, në dramat duhet një raport pak a shumë i tillë që në 50 drama, 20-25 duhet të dalin të mira për t’u vënë në skenë.

Desha të theksoj edhe diçka tjetër: mendoj që një faktor që ka ndikuar pozitivisht në teatër, është dhe puna e bashkëpunimit të tij me Kinostudion dhe Televizionin. Mua më duket se nga ky bashkëpunim ka për të fituar edhe Teatri dhe Televizioni me Kinostudion. Është e vërtetë ajo që thotë Dritëroi, që e parashikojmë të bëjmë 25 filma në vit, duke filluar që vitin e ardhshëm. Po është e vërtetë që ka vende në botë, bile vendet fqinjë, si përshembull Greqia që bën 24 filma dhe Jugosllavia 18 filma, kurse Norvegjia 7 dhe Suedia 12. Kështu edhe vëndet e tjera.

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Kina prodhon vetëm dy filma në vit.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe më për lumë (të qeshura).

SHOKU ANASTAS KONDO: Teatri mendoj se do forcuar më tej, dhe kjo detyrë mund të arrihet, sepse siç e thanë edhe të gjithë shokët, këtu ne tani e kemi një bazë, mirpo ndodh që disa herë duke angazhuar shokët në filma, dëmtohet pak teatri, se filmi merr gjithnjë aktorët më të mirë të teatrit. Pikërisht këtu duhet të tregojmë kujdesin më të madh dhe mund të themi se këtu është dhe një ndër dobësitë e punës sonë, prandaj këtë çështje duhet ta ndreqim sa më mirë. Përshembull, vjet nga 311 aktorë që kemi nëpër trupat teatrore, 83 janë angazhuar në filma. Është për t’u vënë në dukje që shokët e filmit kanë meritë që kanë angazhuar shumë amatorë, se nuk bëhet aq për filma pa amatorët.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po lidhur me përgatitjet e kuadrit të teatrove si janë bërë parashikimet?

SHOKU ANASTAS KONDO: Ne për përgatitjen e kuadrit mendojmë.

SHOKU ENVER HOXHA: Nga dy, nga tre.

SHOKU7 ANASTAS KONDO: Në Institutin e Lartë të Arteve

SHOKU RAMIZ ALIA: Po në Institut si e bëni përgatitjen e tyre?

SHOKU ANASTAS KONDO: Që vitin e kaluar ka filluar pranimi në Institutin e Lartë të Arteve nga 30 studentë në vit për aktorë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po vjet pranuat?

SHOKU ENVER HOXHA: Vitin e kaluar Instituti i Lartë i Arteve pranoi vetëm dy studentë për piano.

SHOKU ANASTAS KONDO: Jo, fjala është për aktorë.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, mirë.

SHOKU ANASTAS KONDO: Vjet kemi pranuar 30 aktorë. Këtë e bëmë se aktorët do të na duhen vitin 1982 kur do të mbarojnë këta.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pranimet për aktorët e teatrit i kanë shtuar pak, kurse për pianistët qëndron ajo që thoni ju, shoku Enver.

SHOKU ANASTAS KONDO: E tha edhe Dritëroi, ne mendojmë që këta aktorë të mos jenë vetëm për teatër, po të jenë edhe për estradën. Këtu ka pasur disa lloj konceptesh.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, po është parashikuar rritja e këtij numri?

SHOKU ANASTAS KONDO: Me këtë përllogaritje që bëjmë ne, me këto mundësi që janë, është menduar që të merren aktorë edhe nga lëvizja amatore. Ne mendojmë se mund të përballohet detyra e mbajtjes së teatrove me organikat që kemi sot. Por po të shohim perspektivën, unë do të isha i mendimit se ka ardhur koha që në pesëvjeçarin e ardhshëm, të kishim një teatër në Shqipërinë e Veriut, për shembull në Kukës, i cili do të bëhet një qytet i madh dhe aq më tepër që në këtë pjesë të vendit tonë nuk kemi teatër. Një mundësi të tillë e kemi dhe unë mendoj që me këto kushte që kemi e arrijmë detyrën dhe e çojmë më tej, sidomos po të zgjedhim aktorët edhe nga lëvizja amatore. Tani ata janë me shkollë të mesme dhe nuk është gjendja si më përpara kur ishin me arsim tetëvjeçar. Difekti për arsimin tani është për aktorët e estradës. Sot përshembull, në teatër dhe në estradë, po kryesisht në estradë kemi 22 % me arsim tetëvjeçar, 40 % me arsim të mesëm dhe rreth 40 % me arsim të lartë.

Në takimet që kemi bërë me të gjithë shokët e teatrove, me dramaturgët, me regjisorët, me aktorët del se është një e vërtetë e madhe që Komitetet e Partisë po angazhohen mirë me problemet e teatrit, sidomos ai i Tiranës, i Korçës, Shkodrës, Vlorës, këta komitete Partie po angazhohen shumë mirë. Organizatat bazë gjithashtu po e ndjekin shumë mirë këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë mendoj se Dritëroi nuk është I këtij mendimi, jo, nuk është dhe shumë mirë që nuk është.

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Komitetet e Partisë të rretheve merren, po nuk e shohin shumë gjerë këtë problem.

SHOKU ANASTAS KONDO: Neve na bie barra më e madhe për këto çështje. Ne kemi në rradhë të parë problemin e repertorit. Në qoftë se Tirana e ka zgjidhur, të tjerat nuk e kanë zgjidhur akoma.

SHOKU ENVER HOXHA: Ja shikoni si po i bën buzët shoqja Violeta (të qeshura), domethënë ajo nuk mendon kështu.

SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Unë mendoj se duhet të provohen të gjithë kolektivat, siç po çajmë ne, të çajnë dhe ato.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu po, dakord (të qeshura).

SHOKU ANASTAS KONDO: Çështja e fundit që unë kam për të ngritur është: më duket sikur ka ardhur koha që ne mund të botojmë një revistë të skenës dhe ekranit. Është mirë që në këtë intervistë të ketë materiale për të ndihmuar edhe lëvizjen amatore. Të ketë edhe botime të dramave dhe të skenarëve, të ketë edhe shkrime për pjesët e tjera që vë skena jonë. Në fakt, kritika letrare nuk po i bën dot ballë. “Drita” mund t’i japë vetëm gjysëm faqe të gazetës këtij problemi. Më tepër nuk i jep dot. Më duket se duhet të mendojmë edhe për këtë problem.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju sikur keni një revistë që botohet nga Shtëpia e Krijimtarisë Popullore?

SHOKU ANASTAS KONDO: Është një bulletin.

SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk mundet ta transformoni, ta pasuroni?

SHOKU ANASTAS KONDO: Do ta bëjmë, mund ta pasurojmë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Deri sa është kjo revistë, pse të nxjerrim një tjetër?

SHOKU ANASTAS KONDO: Atë ide kemi edhe ne, ky botim të mos jetë vetëm një bulletin për përdorim të brendshëm, por të jetë për një përdorim të të gjithëve.

SHOKU ENVER HOXHA: Mirë.

SHOKU TANO BANUSHI: Faleminderit

SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Unë kam nderin që të jem anëtare e këshillit artistik dhe këto kohët e fundit i kam ndjekur më nga afër estradat. Unë mendoj se kjo gjini neglizhohet nga autorët. Se po nuk patën material të shkrojtur nga autorët, nuk kanë se ç’të bëjnë ato. Përveç kësaj, më duket se elementi që punon me estradat, nuk është zgjedhur në mënyrë të tillë që të gjithë të jenë të aftë. E them këtë, se është fakt që ka ekzistuar një koncept shumë i gabuar tek ata që bënin lëvizjen e kuadrit. Ndiqej kjo praktikë: kush nuk ecte mirë në shkollë ose në teatër, dërgohej në estradë ose në Kinostudio dhe atje pastaj ka nga ata që janë bërë drejtoria filmi. Kanë bërë shkolla artistike këta? Pra përgjegjësia për elementin është shumë e madhe te të tërë ne. Tani publiku nuk është ai që ishte 30 vjet më përpara, kur ne mund t’i servirim çdo gjë. Tani ka ardhur koha që duhet vënë dorë.

Së dyti: është çështja e ndihmës që ne duhet t’i japim Kinostudios. Unë mendoj se Kinostudios duket t’i japim shumë ndihmë, sepse filmi na përfaqson jashtë. Në të përfaqsohet puna e popullit tonë, puna e Partisë sonë dhe duhet të ndihmohet po me një mirkuptim nga të dy palët dhe me plane me perspektivë. Kjo çështje lidhet ngushtë me repertorin se kur e ka repertorin në dorë, atëhere ai e di se cilët aktorë do t’i duhen. Unë them se ky bashkëpunim duhet të bëhet dhe të bëhet se këto janë të nevojshme, edhe filmi duhet, po edhe këto të tjerat. Tani për tani dhe me kaq forca sa kemi, mendoj se mund ta përballojmë, po gjithnjë me një mirkuptim që të mos i “hipim në kurriz njëri-tjetrit”, se teatri ka planet e tij dhe do të përgjigjet para spektatorit, po dhe filmi ka planet e veta. Më mirkuptim këto janë bërë dhe do të bëhen.

SHOKU RAMIZ ALIA: Duke përdorur edhe shumë amatorë.

SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Po, edhe me amatorë. Edhe ata duhet të punojnë siç punojmë ne, të punojnë me dublime, sepse dublimi i zhvillon talentet. Kjo është e domosdoshme se gjithnjë nuk do të punojë Violeta Manushi, do të punojnë edhe ndihmëset, bile kur t’i jepet rasti, fjala vjen dublanti të shkojë në Kinostudio, kurse tjetri të punojë në teatër, pra një punë më e organizuar do të na nxjerrë gjithmonë faqebardhë si teatrin, ashtu dhe Kinostudion.

Si të punojmë me regjisorët? Neve kemi vetëm një regjisor në Teatrin Popullor, Pirro Manin, po jemi një personel prej 50 vetësh. Në këtë kuadër nuk mund të angazhohen të gjithë, se një dramë mund të angazhojë, 5-6 ose 10 aktorë ndonjëherë kur është e madhe, po të tjerët mbeten. Atëhere detyrohemi të vëmë dy drama. Po trupa jonë mund të vërë në një kohë edhe tre drama të mira që mund të shkojnë paralel me njëra-tjetrën. Kjo gjë është bërë edhe në të kaluarën dhe tani, sipas pjesëve përsëri mund të bëhet. Tani po përgatitemi të vëmë në skenë dramën “Besa e madhe” që është shumë massive. Këtu mjaft gra mbeten të pa aktivizuara po nuk mund të punojmë dot për ndonjë pjesë tjetër, kurse herë të tjera e kemi bërë edhe dy dhe tre në të njëjtën kohë. Neve besojmë shumë në talentin e ri, te të rinjtë kemi shumë besim se nesër do t’u lëmë stafetën, prandaj i aktivizojmë, i ndihmojmë dhe u qëndrojmë pranë. Dhe të rinjtë kur shikojnë se ky apo ai aktor me përvojë i mbështet, ata sigurisht fitojnë më shumë besim në forcat e tyre. Ka një mirkuptim në këtë drejtim. Në gjirin tonë janë katër regjisorë të rinj që janë me shumë dinjitet. Ky i fundit është shumë i ri, akoma nuk e ka treguar veten si aktor, po me përpjekjet e tij, po me ndihmën e tërë kolektivit, me rëndësinë që i vë organizata-bazë e Partisë ai ka nxjerrë një pjesë me shumë dinjitet. Po kështu edhe Fatosi (Haxhiraj) e të tjerët. Unë mendoj se kështu dihet të veprojnë edhe teatrot e tjera. Presin dhe kërkojnë t’u veje një regjisor. Po nga do t’u vijnë këta regjisorët? Nga qielli? /Memorie.al