Imazhet satelitore të publikuara të dielën nga një kompani private amerikane shfaqën detaje mbi manovrat ushtarake në kufirin e Bjellorusisë me Ukrainën, para stërvitjeve të përbashkëta ushtarake midis Moskës dhe Minskut. NATO ka thënë se ky është dislokimi më i madh në Bjellorusi që prej Luftës së Ftohtë.

Rusia dhe Bjellorusia kanë thënë se do të mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake nga 10 shkurti deri më 20 shkurt, që kanë për qëllim trajnimet për të zmbrapsur një sulm të mundshëm në kufijtë jugorë të aleancës së tyre. Rusia po ashtu ka dhënë disa detaje të raketave dhe avionëve luftarakë që po dërgon për këto stërvitje.

Dislokimi i ri dhe stërvitjet e planifikuara po ndodhin në kohën kur tensionet janë të larta midis Rusisë dhe Perëndimit për shkak të grumbullimit masiv të forcave ruse në kufi me Ukrainën. Shtetet perëndimore e kanë akuzuar Rusinë se po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën, ndërkaq Moska ka mohuar se ka plane të tilla.

Imazhet e publikuara nga kompania me seli në SHBA, Maxar Technologies shfaqën njësitë ushtarake të pajisura me raketa, raketahedhës dhe avionë sulmues të dislokuar në Bjellorusi në tri lokacione pranë kufirit që ky shtet ndan me Ukrainën.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk ka arritur që të marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë dhe as nga zyrtarët ushtarakë bjellorusë lidhur me dislokimin e trupave.

Maxar Technologies tha se ka mbledhur imazhe të pajisjeve ushtarake pranë Yelsk, Rechitsa dhe Luninets më 4 shkurt. Të gjitha këto lokacione janë rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Sistemet raketore S-400 shihen në aerportin Luninets të Bjellorusisë. Kjo fotografi është bërë nga Maxar Technologies më 4 shkurt 2022.
Sistemet raketore S-400 shihen në aerportin Luninets të Bjellorusisë. Kjo fotografi është bërë nga Maxar Technologies më 4 shkurt 2022

Maxar Technologies tha se në këto imazhe satelitore janë identifikuar 15 avionë sulmues tokësorë të tipit Su-25. Në aeroportin në Luninets është parë edhe sistemi i mbrojtjes ajrore S-400 dhe në afërsi të Yelsk janë fotografuar raketat SS26 Iskander dhe raketahedhës.

Të shtunën, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se ka dërguar sistemet S-400 dhe avionët Su-25 për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta. Para se të mbahen këto stërvitje, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka vizituar të enjten një poligon qitjeje në perëndim të Bjellorusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë javën e kaluar se manovrat në Bjellorusi janë dislokimi më i madh rus në këtë zonë që prej Luftës së Ftohtë dhe ka shtuar se edhe raketat Iskander, që kanë aftësi bërthamore, janë pjesë e këtij dislokimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb