Mbi 6 mijë qytetarë të Selenicës në Vlorë e marrin shërbimin me standarde bashkëkohore, pas rindërtimit të qendrës shëndetësore 24 orëshe. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrën shëndetësore në Selenicë, pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore.

“Premtimi i qeverisë shqiptare për të rindërtuar 300 qendra shëndetësore në 4 vite është jetësuar dhe po jetësohet ditë pas dite. Si në zona të largëta rurale gjithashtu dhe në qytete të mëdha, kemi ruajtur të njëjtin standard përsa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve të qendrave shëndetësore. Nëse një qytetar vjen për të marrë një shërbim bazë, ne i kemi medikamentet për të ofruar shërbimin, që mos ta çojmë deri në spital kur ne mund t’ua ofrojmë këtu. Dhe kjo është një qendër që nuk i mungon asgjë nga pikëpamja e urgjencës bazë”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se në këto dy vite të zbatimit të Programit Kombëtar të Rehabilitimit të 300 Qendrave Shëndetësore në qarkun Vlorë i janë nënshtruar rehabilitimit 18 qendra, Manastirliu tha se programet e parandalimit për ruajtjen e shëndetit të popullatës po mundësohen në çdo qendër shëndetësore.
“Programi kombëtar i kontrollit mjekësor bazë apo programi i parandalimit të kancerit të qafës së mitrës që ofrohen në çdo qendër shëndetësore, po i shërbejnë ruajtjes së shëndetit të popullatës, për të kapur në kohë sëmundje me rrezik të lartë”, tha Manastirliu.

Në çdo qendër shëndetësore në vend ofrohet falas testi HPV për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, nga i cili përfitojnë rreth 17 mijë gra në vit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u ndal edhe tek shërbimet online që po lehtësojnë qytetarët.

“Programi i qeverisë për ofrimin e shërbimeve online ka lehtësuar qytetarët, pasi, nëse qytetarëve do t’u duhej që nga Selenica të shkonin deri në Vlorë për të rinovuar kartën e shëndetit, sot nuk është më e nevojshme sepse verifikimi bëhet online nga mjeku. Lehtësohen më shumë se 30 mijë qytetarë çdo vit, që më parë rinovonin kartën e shëndetit, të cilët sot e marrin shërbimin vetëm me kartë identiteti” – u shpreh ministrja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb