Në Ditën Botërore të Mjedisit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka nënvizuar rëndësinë e shpalljes së Vjosës, si Park Kombëtar, me qëllim, mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore të jashtëzakonshme për kombin.

Në një postim në rrjete sociale, Meta shkruan se përshëndet punën studimore të bërë nga disa shtete, ku rendit, Austrinë, Gjermaninë dhe Italinë, të cilat, kanë evidentuar vlerat e mëdha ekologjike që mbart lumi Vjosa.

Po ashtu, Kreu i Shtetit, ka përgëzuar lobimin e bërë nga aktivistë të njohur botëror, ku përmendi Di Caprion dhe Edëard Norton, të cilët disa herë, kanë kërkuar nga qeveria të heqin dorë nga ideja për të ndërtuar hidrocentrale. Në përfundim, Meta kërkon nga autoritetet e BE që të mbështesin fuqimisht kauzën, për të risjellë në vëmendje në rezolutën e Parlamentit Evropian, për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

Në Ditën Botërore të Mjedisit theksoj me forcë rëndësinë e shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar, në të gjitha degët e lumit, me qëllim mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore të jashtëzakonshme kombëtare dhe europiane.


E përshëndes punën studimore të realizuar së fundmi prej një grupi shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shqipëria, si dhe i vlerësoj konkluzionet dhe kontributin e tyre të vyer për evidentimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të rralla ekologjike të lumit Vjosa.
Mbështes thirrjen e tyre, të komunitetit lokal, të shkencëtarëve, akademikëve dhe të aktivistëve mjedisorë vendas e të huaj, të personaliteteve të filmit, artit dhe kulturës botërore, si Leonardo Di Caprio dhe Edëard Norton, drejtuar Qeverisë shqiptare, për të mos lejuar dhe për t’u tërhequr nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe çdo projekt tjetër shkatërrimtar dhe abuziv në këtë zonë.
I inkurajoj të gjitha autoritetet e larta të Bashkimit Europian të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve, duke risjellë në vëmendje edhe rezolutën e Parlamentit Europian për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.
E DUAM VJOSËN DHE DO TA MBROJMË!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb