Me rastin e 8 majit, Ditës Botërore të Talasemisë, Presidenti i Republikës lir Meta, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij si dhe në bashkëpunim me “Aleancën për Dhurimin e Gjakut”, mori pjesë në seancën e radhës të dhurimit të gjakut për fëmijët talasemikë, të mbajtur në mjediset e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen dekanit Artur Sula, studentëve, trupës pedagogjike dhe stafit administrativ të këtij fakulteti mbi gatishmërinë e tyre për t’iu bashkuar kësaj kauze fisnike dhe humane.

Kreu i Shtetit falënderoi Shoqatën e Talasemikëve Shqiptarë, Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, Kryqin e Kuq Shqiptar, dhuruesit e gjakut, sidomos të rinjtë e të rejat, studentë dhe studente, të cilët vullnetarisht dhanë kontributin e tyre për këtë veprimtari të çmuar dhe jetike.

Në prani edhe të Zëvendësministres së Shëndetësisë, Mira Racakolli, Presidenti i Republikës nënvizoi:

“Për mua është kënaqësi e veçantë që sot jemi në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Dua të falënderoj dekanin, gjithë stafin akademik, por edhe gjithë studentët dhe studentet e tyre që në këtë ditë të veçantë, në Ditën Botërore të Talasemisë kanë hapur dyert e tyre dhe kanë ndërmarrë këtë seancë mjaft simbolike dhe konkrete të dhurimit të gjakut.

Secili prej nesh duhet ta kuptojë që kjo është një detyrë qytetare, sepse të gjithë kanë nevojë për gjak. Ndaj duhet të angazhohemi për të shtuar numrin e dhuruesve të përhershëm. Kemi qenë në një situatë pak të vështirë për shkak të COVID-19 këto muajt e fundit, edhe për shkak të kufizimeve objektive, por edhe psikologjike, që shpesh krijohen.

Pavarësisht nga vështirësitë dhe kjo ditë e sotme është një moment tjetër apelimi për të gjithë qytetarët, sidomos për të gjithë të rinjtë e të rejat, që të kontribuojnë për të dhuruar gjak, pasi ky është një proces edhe i shëndetshëm për vetë organizimin e atij që dhuron, por mbi të gjitha është një kontribut i jashtëzakonshëm dhe mjaft human për bashkëqytetarët tanë, të cilët kanë një nevojë të përhershme për gjak dhe në këtë mënyrë ne japim një kontribut shumë të çmuar.

Njëkohësisht sot është një ditë që na kujton nevojën për të përsosur më tej politikat për të luftuar talaseminë. Kjo është shumë e rëndësishme në mënyrë që në të ardhmen të kemi sa më pak qytetarë të prekur nga kjo sëmundje.

Të gjithë së bashku të tregojmë që jemi shoqëri solidare, shoqëri e përgjegjshme, shoqëri europiane. Ky është një rast i shkëlqyer për gjithsecilin që ta demostrojë veten jo njëherë në vit, por në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.

Miqtë më të mirë, njihen në ditët më të vështira, kështu që kontributi i tyre quhet i shumëfishtë dhe historik, duke patur parasysh se dhurimi i gjakut ka ndodhur në një kohë pandemie”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb