Viktimat civile po rriten ndërsa Rusia vazhdon sulmin e saj në disa qytete kryesore në Ukrainë në ditën e 24-rt të luftimeve.

Qindra njerëz ka të ngjarë të jenë ende nën rrënoja: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se 130 njerëz janë shpëtuar deri më tani nga një teatër i bombarduar në qytetin e Mariupol. Qindra civilë po strehoheshin në teatër kur u bombardua të mërkurën. Zelensky tha se operacionet e shpëtimit po vazhdojnë në vend dhe qindra njerëz ka të ngjarë të mbeten nën rrënoja. Mariupol është goditur nga granatime të vazhdueshme ditët e fundit, teksa presidenti francez Emmanuel Macron i shprehu të premten Presidentit rus Vladimir Putin shqetësim për situatën.

“Është koha për të folur,” i tha Zelensky Rusisë në një video-mesazh herët të shtunën. “Dua që të gjithë të më dëgjojnë tani, veçanërisht dua që ata të më dëgjojnë në Moskë,” tha ai. “Është koha për t’u takuar, koha për të biseduar, koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën, ose përndryshe Rusia do të përballet me humbje të tilla që disa breza nuk do të mjaftojnë që ajo të ngrihet përsëri.

Një avion ushtarak amerikan me katër persona në bord u zhduk të premten gjatë stërvitjeve ushtarake të NATO-s në Norvegji. Ekipet e shpëtimit raportuan të premten vonë se “zbulimet u bënë” në kërkimin e tyre, me ekipet tokësore të drejtuara për në vendngjarje. Trupat e Marinës amerikane vetëm thanë se incidenti ishte një “fatkeqësi” dhe se shkaku ishte nën hetim.

Imazhet satelitore tregojnë ushtrinë ruse duke gërmuar, duke ndërtuar barriera mbrojtëse prej balte rreth pajisjeve të saj ushtarake në veriperëndim të Kievit. Sipas zyrtarëve të NATO-s, ofensiva e Rusisë për të kapur kryeqytetin ka ngecur kryesisht. Ushtria ukrainase tha se dy rrugët kryesore të Rusisë për të sulmuar Kievin janë bllokuar dhe Ukraina nisi një kundërofensivë të enjten me qëllim marrjen e kontrollit vendimtar të periferive të qytetit.

Qytete të tjera kyçe: Lviv dhe Kramatorsk u goditën gjithashtu të premten nga sulmet ruse, sipas autoriteteve ukrainase.
Në një video-telefonatë 110-minutëshe me presidentin kinez Xi Jinping të premten, Presidenti i SHBA Joe Biden shpalosi pasojat nëse Kina do të ndihmonte Rusinë në pushtimin e saj në Ukrainë.

Xi tha se të dy vendet kanë përgjegjësi për sigurimin e paqes. Më pas, Biden tha se telefonata “shkoi mirë” – por Shtëpia e Bardhë tha se kishte ende shqetësime se Kina mund t’i japë mbështetje Rusisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb