*Luan Rama: Festimi të ndarë, shenjë tipike e pafytyrësisë politike

TIRANE – Krerët e shtetit përkujtuan sot 71-vjetorin e Çlirimit, duke kryer homazhe në Varrezat e Dëshmorëve. I pari që ka vendosur kurorën me lule në memorialin e dëshmorëve ka qenë presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Pas tij, përpara memorialit të të rënëve është përkulur kryeministri Edi Rama, pasuar nga nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, ministra, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, deputetë, veteranë, etj.

Si çdo vit, në homazhe munguan përfaqësues të opozitës, të cilët i ndruan një ditë më parë të rënët për çlirimin e vendit në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, pas ceremonisë tha se liria kombëtare është e paplotë pa lirinë nga tirania dhe arbitrariteti i varfërisë.

LUAN RAMA: FESTIMI TË NDARË, SHENJË TIPIKE E PAFYTYRËSISË POLITIKE
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama theksoi se nderimi dhe mirënjohja ndaj sakrificës së dëshmorëve është detyrim i brezave. Sipas Ramës, festimi i çlirimit në dy data të ndryshme është shenjë tipike e pafytyrësisë politike.

MASAT
Në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve, masat ishin marrë jo vetëm në kuadër të sulmeve  te mundshme terroriste, por edhe të shfaqjeve të nostalgjikëve të diktatorit, por sërish  nuk mungoi nderimi me grusht. Pas homazheve shtetërore radhën e kishin komunistët, të cilët me fotot e diktatorit në duar iu drejtuan Varrezave të Dëshmorëve të Kombit.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: