“Demokracia përbën modelin më të mirë të qeverisjes në historinë politike të njerëzimit, pasi arrin të sigurojë një qeverisje e cila nuk e cenon vlerën më të lartë të individit dhe të shoqërive – lirinë. Deklarata vjen nga kreu i kuvendit të Kosovës, kadri Veseli, në Ditën e Demokracisë, ndërsa Kuvendi sot ka hapur dyert”. Në një prononcim për mediat, Veseli u shpreh se demokracia para se të jetë ide, është praktikë reale.

“Është pikërisht ky dimension që nganjëherë duket se e harrojmë. E kemi gojën plot demokraci, e në anën tjetër bëjmë gjëra që nuk korrespondojnë më frymën praktike të demokracisë. Ndërsa e them këtë, fjalën e kam pikërisht tek skena jonë politike, e cila tani e një kohë të gjatë po ka vështirësi serioze në tejkalimin e polarizimit të dëmshëm partiak“, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit tha se në demokraci dallimet politike janë të ligjshme, por kur ato nuk konkludojnë me konsensus, shndërrohen në rrezik për rendin demokratik. Duke iu referuar dialogut me Serbinë, Veseli u shpreh se duhet gjetur gjuha e përbashkët, pasi theksoi ai fryma e përjashtimit reciprok është një rrugë pa krye.

“Dilemat e ngritura mbi rrezikun për ndarjen e Kosovës nuk janë të qëndrueshme. Nuk janë dilema tona, realisht. Janë gracka të kundërshtarëve të lirisë dhe pavarësisë sonë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Si e tillë, është e paprekshme.” – theksoi Veseli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb