TIRANE – Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte sot i pranishëm në një aktivitet organizuar në Akademinë e Sigurisë në ceremoninë e Ditës së Dëshmorëve.

Ai përkujtoi të gjithë dëshmorët e rënë në mbrojtje të atdheut duke i cilësuar ata heronj të këtij vendi.

“Nderimi për ta, sakrifica e tyre ndonëse nuk ka çmim mbetet një frymëzim i madh për ne. Kjo ditë është njëhëresh edhe moment reflektimi për të shkuarën, tashmen dhe të ardhmen tonë,” tha Xhafaj në fjalën e tij.

Ai gjithashtu përshëndeti punën e punonjësve të policisë të bërë në luftën kundër krimit dhe paralajmëroi kundërpërgjigje të forta për fenomenet kriminale.

Xhafaj shtoi se procesi i Vettingut në radhët e policisë synon përsosjen e saj.

Fjala e plotë

Të respektuar familjarë të të rënëve të Policisë së Shtetit,
Të nderuar pjesëmarrës,

në kalendarin e datave të shënuara, 5 Maji si ‘Dita e Dëshmorëve të Atdheut’ zë një vend të veçantë. Kjo është dita që simbolizon sakrificat sublime të shumë brezave për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Në këtë ditë, ne i bëjmë homazh veprës së pavdekshme të atyre që dhanë jetën e tyre për kauzën kombëtare.

Nderimi për ta është shfaqja e mirënjohjes sonë të thellë për aktin e tyre madhor. Sakrifica e tyre ndonëse nuk ka çmim, mbetet një frymëzim i përhershëm për ne. Ndaj mirënjohja për ta është e pakufishme, e natyrshme, legjitime.

I përjetshëm qoftë emri dhe vepra e Dëshmorëve të Atdheut!

31947373_427786187647223_4614210003203522560_n

Kjo ditë është njëherësh edhe një moment reflektimi për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë. Qetësinë dhe sigurinë për jetën dhe pasurinë e qytetarëve në kohë të ndryshme, e kanë paguar me jetët e tyre edhe 222 punonjës policie. Askush nuk dëshiron që rendi dhe siguria të paguhen me jetë njerëzore, por për fat të keq, nuk është e mundur që fenomenet kriminale të ndalohen përveçse me kundërpërgjigje të forta dhe ndonjëherë mëse të kushtueshme.

Për këtë arsye, sot, të gjithë ata që shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit, përkujtojnë me përulje dhe respekt kolegët e tyre të rënë në krye të detyrës, të cilët janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”.

Përgjatë këtyre tre dekadave, trupa e Policisë së Shtetit ka qenë vazhdimisht në frontin e parë të luftës ndaj krimit të organizuar dhe fenomeneve kriminale në përgjithësi.

Kjo përballje nuk ka qenë e lehtë dhe ka patur kosto të saj edhe humbjen e jetëve nga anëtarë të kësaj trupe.

Sot është rasti kur nderimi dhe përkujtimi i tyre merr vlerë dhe peshë më të madhe, për shkak se dita e dëshmorëve në vendin tonë, ashtu si dhe te popujt e tjerë, duhet të konsiderohet si ditë e shenjtë. Ata janë heronjtë e këtij vendi dhe heronjtë meritojnë nderimin tonë më të thellë për rëndësinë e veprës së jashtëzakonshme të tyre.

Ne jemi të vetëdijshëm se detyra e punonjësit të Policisë përmban shumë rreziqe. Ndaj, gjithë vëmendja jonë është përqendruar që të kemi një trupë policore sa më profesionale dhe të aftë për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të reaguar në situatat më delikate për zbatimin e ligjit.

31957241_427786204313888_3867875421668245504_n

Ne nuk mund ta zhdukim rrezikshmërinë që paraqet në vetvete puna në radhët e Policisë. Por sigurisht, ne mundemi dhe duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, që kjo detyrë të realizohet me sa më pak pasoja për punonjësit apo për subjektet viktima të akteve kriminale. Ne mundemi dhe do ta mbajmë lart aspiratën tonë madhore që Policia e Shtetit të mbetet në zemrat dhe besimin më të madh të qytetarëve të Shqipërisë.

Roli i pazëvendësueshëm i forcave të rendit në sigurinë e qytetarëve, si dhe puna e sakrificat e bëra në kryerjen me devotshmëri të detyrës, kanë bërë të mundur që sot Policia të renditet e para në sondazhet e besueshmërisë së institucioneve të vendit. Kjo nuk është rastësi! Është fryt i përpjekjeve të pareshtura të punonjësve të Policisë për t’i realizuar detyrat që ngarkon ligji me efikasitet, profesionalizëm dhe përkushtim. Dhe rruga e bërë deri këtu, të gjithë e dimë, nuk ka qenë e lehtë, por ka marrë mjaft mund, djersë, sakrifica ndonjëherë me kosto të pakthyeshme.

Prandaj sot kemi krenarinë e ligjshme të përmendim pa droje besimin që qytetarët na kanë dhënë, ju, bashkë me sakrificat që janë kërkuar për të arritur aty ku jemi.

Sot gjej përsëri rastin që si Ministër i Brendshëm publikisht të ri-shpreh gjithë respektin dhe mirënjohjen time pa rezerva për të gjithë ata punonjës policie nga niveli më i ulët deri tek funskioni më i larti për cfarë ata janë duke bërë bërë në këtë periudhë për të ofruar më shumë siguri, rend dhe qetësi për qytetarët e këtij vendi në zbatim të ligjit.

Është plotësisht meritë e punës dhe e angazhimit të tyre serioz dhe profesional që statistikat zyrtare të kriminalitetit për vitin 2017 dhe 4 mujorin e parë të këtij viti janë shumë të suksesshme, në shumë tregues ndër më të mirat në 20 vite dhe në një trend krahasues europian.

Është pa asnjë dyshim meritë e punës dhe e sakrificës së strukturave të Policisë, që sot Shqipëria përfundimisht është një vend jashtë hartës së vendeve ku mbillet e kultivohet kanabis.

Është një vend ku organizatat kriminale kanë humbur qetësinë dhe komoditetin e të bërit të biznesit të tyre kriminal në vend. Në sajë të punës dhe të angazhimit të këtyre punonjësve sot Shqipëria është një vend ku ai që bënë një krim jo vetëm identifikohet, por edhe ndalohet edhe arrestohet thuajse menjëherë pas kryerjes së veprës kriminale.

Shqipëria është sot një vend ku çdo ditë e më shumë qytetari po e shikon punonjësin e policisë si të besuarin e tij, si garantuesin e jetës dhe të pasurisë së tij.

Dhe ajo çfarë duhet të sjellë në vëmendje është fakti që Policia e Shtetit ofron sot më shumë qetësi dhe siguri për qytetarët, duke e bërë këtë tërësisht në përputhje me ligjin dhe në respekt të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe jo në stilin e standardeve të sherifave të perëndimit të largët të shekujve të kaluar.

Në këto vite, ne kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme, shpesh të vështira dhe rrënjësore, të cilat kanë për qëllim përsosjen profesionale të trupës së Policisë, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme krijimit të kushteve sa më të mira të ndërveprimit të bashkësisë së qytetarëve me të.

Projekti ynë i Policimit në Komunitet ecën në këtë drejtim, duke synuar ta thellojë dhe të konsolidojë atë kredibilitet të pamohueshëm që ka arritur Policia në sytë e qytetarëve.

Në të njëjtën kohë, në majë të prioriteteve tona mbetet dhe krijimi i një klime të shëndoshë besimi të shtrirë në çdo segment të kësaj trupe. Për këtë qëllim, tashmë ka nisur zbatim Vettingu në radhët e Policisë. Në këtë proces, ne kemi sjellë në Shqipëri përvojën e shumë vendeve të zhvilluara, ku lufta me elementët e inkriminuar brenda Policisë ka rezultuar mëse e suksesshme. Një sukses, në radhë të parë, për vetë Policitë e këtyre vendeve; një sukses që përkthehet në rend, siguri dhe devotshmëri më të madhe nga ana e tyre në shërbim të qytetarëve të tyre.

Dua të rikonfirmojë se ky proces nuk ka aspak si qëllim që nëpërmjet kleçkave procedurale të dokumentacionit që duhet të paraqitet në kuadër të këtij procesi ne të penalizojmë punonjës të policisë, të çdo niveli.

Është gjithë siguria ligjore dhe vullneti im si ministër që procesi i Vetingut në Policinë e Shtetit dhe Gardën të jetë një proces i paanshëm, objektiv dhe i barabartë, por dhe mirëkuptues me vështirësitë e të djeshmes sidomos me punonjësit e thjeshtë të trupës policore e Gardës së Republikës.

Ne synojmë që ky proces të evidentoj dhe të largojë nga radhët e policisë elementët, sidomos në nivele drejtuese, të cilët direkt ose indirekt janë të lidhur apo në shërbim të krimit, janë të korruptuar, apo edhe të paaftë profesionalisht.

Është shumë pozitive që në radhët e Policisë së Shtetit duket që shumica dërrmuese e kësaj trupe nuk ka lidhje me këte lloj kontigjenti.

Vettingu është e vetmja rrugë që shumica dërrmuese e kësaj trupe të çmuar, e cila ka shkëlqyer me cilësitë dhe meritat e jashtëzakonshme, të ndahet me vendosmëri nga ata që me veprimet e tyre të paligjshme e kanë njollosur uniformën, veprimtarinë dhe misionin e Policisë; nga ata që e përbaltën policinë, e braktisën dhe iu vetdorëzuan ilegalitetit dhe krimit. Këta janë ata që sot sulmojnë Policinë, me zë e me vepra, që u japin oksigjen grupeve kriminale. JO NE!

Për sa na përket ne, sot më shumë se kurrë, ruajmë bindjen se Policia – ashtu si dhe çdo pjesëtar i përkushtuar i saj – janë pasuria dhe shembulli më i shkëlqyer i mirëfunksionimit të shtetit në Shqipëri.

Kam besim se Vettingu vetëm do ta përforcojë këtë bindje, duke rritur besimin brenda radhëve të saj dhe duke e konsoliduar këte besim tek qytetarët. Ngritja e një trupe policie me elementë që përmbushin standardet profesionale, me integritet njerëzor dhe të paprekur nga dukuritë kriminale, është përpjekja jonë për të përmirësuar jetën e përgjithshme të qytetarëve, por edhe për të rritur më tej frymën pozitive brenda strukturave të Policisë së Shtetit.

Një organizatë policie e qëndrueshme përballë fenomeneve negative si paaftësia, korrupsioni apo lidhjet e mirëfillta me krimin, përbën një garanci për të sotmen dhe të ardhmen e rendit, qetësisë dhe sigurisë në atdheun tone te dashur.

Është mënyra që ne kemi zgjedhur për të punuar dhe për të renditur numrat që më shumë na interesojnë: ato të sukseseve të njëpasnjëshme që Policia e Shtetit ka shënuar dhe vazhdon të shënojë. Të tjera spekulime, ngado që të vijnë, as që i përfillim.

Në përfundim, dëshiroj t’ju përsëris gjithë punonjësve të Policisë se si Ministër i Brendshëm, jam sot, më i vendosur se kurrë, për t’ju mbështetur dhe inkurajuar në luftën e pa kompromis me krimin dhe në përballje me paligjshmërinë.

 

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb