Ashtu si çdo vit tjetër, edhe sot më 5 Maj, Dita e Dëshmorëve të Atdheut u përkujtua me një ceremoni zyrtare dhe homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Zyrtarë të shtetit dhe politikës, veteranë dhe të afërm të të rënëve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare vendosën kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.

Ashtu si çdo vit, tashmë e kthyer në traditë, politikanët qëndrojnë të ndarë në dy kampe edhe në përkujtimin e të rënëve të luftës. Homazhe kanë kryer sot Presidenti i vendit, Ilir Meta, bashkë me kreun e qeverisë Edi Rama rreth orë 10:00, shoqëruar edhe nga anëtarë të tjerë të kabinetit qeverisës.

Po ashtu, strukturat e larta të opozitës me në krye Lulzim Bashën pritet të kryejnë homazhe për nder të dëshmorëve veçmas, rreth orës 11:00, siç edhe ka njoftuar zyra e shtypit.

Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare. Me veprimtarinë e tij ai u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”.

Më 24 prill të vitit 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 për “Statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike dhe të rënët në vitet 1997-1999, në Luftën Çlirimtare të Kosovës, të UÇPMB dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: