“Pas fëmijëve 0-18 vjeç fishat e diabetit do të jenë falas edhe për studentët”. Deklarata vjen në Ditën Botërore të Diabetit, nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu në një aktivitet të zhvilluar për ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me masat për parandalimin e diabetit.

“Me buxhetin e vitit 2019 do të mundësojmë që edhe për studentët, pra të gjithë personat me diabet deri në 23 vjeç, fishat e diabetit të jenë falas, duke bërë një tjetër hap drejt lehtësimit të personave me diabet dhe familjeve të tyre”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar rëndësinë e Kontrollit Mjekësor Bazë për parandalimin e kësaj sëmundjeje, Ministrja Manastirliu deklaroi se: “Rezultatet e deritanishme të Kontrollit Mjekësor Bazë tregojnë se 9.3% e personave 35-70 vjeç që kanë kryer check up janë me nivel glicemie mbi normën, një shifër shumë e lartë që tregon për rëndësinë që ka kontrolli periodik, për të parandaluar pasojat e diabetit”.

Duke u ndalur te trajtimi i diabetit, Manastirliu theksoi se Qeveria ka garantuar trajtimin 72 mijë personave me diabet, me një financim prej mbi 16 milion dollarë në vit vetëm për rimbursimin e barnave për diabetikët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lajmëroi gjithashtu një tjetër lehtësi për personat me diabet, të cilët deri pak ditë më parë, detyroheshin të vinin periodikisht për konsultë në QSUT nga rrethet për të përfituar terapinë e rimbursimit.

“Ne kemi mundësuar prej pak ditësh një procedurë të re për lehtësimin e personave me diabet që kanë nevojë për konsulta në QSUT. Nuk është më e nevojshme që pacientët nga rrethet të vijnë në QSUT, por konsultat po realizohen nëpërmjet telemjekësisë mes QSUT dhe spitaleve rajonale, ku vetë pacienti merr shërbimin dhe përfiton trajtimin me rimbursim, pa patur nevojë të bëjë kilometra të tëra për të ardhur në Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb