Nga: ARTAN MULLAJ*
Era e Re fi lloi ditën e lindjes së Krishtit, pikërisht kur besimi i krishterë e preu historinë në mes
për të ndarë një epokë nga një tjetër, para dhe pas.Drejtësia e munguar në Shqipëri duhet të lindë, për një analogji, gjithashtu prerë dhe fort, në një moment; në një ditë të shenjtë, kur do të ndahen në mes jo koha, por morali. Ndotja e moralit andej, pastërtia këtej. Ekziston kjo ditë!
Është 21 Janari!
Dita e paharrueshme legjendës së dhembjes, kur shteti vrau katër qytetarë të pafajshëm në shesh, duhet të shpallet: “Dita e drejtësisë”; ajo duhet të fitojë njëherësh vlerën e një simboli kombëtar të fillimit të vënies së drejtësisë.
Ashtu si krishterimi e përtheu rrjedhën e historisë, në të njëjtin kuptim, me të njëjtën simbolikë, 21 Janari duhet të përthyejë perceptimin publik për drejtësinë në Shqipëri, rrjedhën e saj. Në të vërtetë, jo ta përthyejë, as ndryshojë, por ta fillojë. Ta fillojë, sepse Drejtësia në këtë vend nuk ka ekzistuar ndonjëherë…
***
Disa ndodhi të tmerrshme të së shkuarës na rrinë në mendje varur si ora në mur. Na rrinë përballë, si për të na kujtuar që janë aty, lavjerrëse dhe këmbëngulëse në tërheqjen e vëmendjes. Por ne nuk mund të sillemi njëlloj ndaj tyre, ndërsa koha kalon… Kujtesa e njeriut është e koduar të ruajë tërësisht faktet e një realiteti, por jo tërësisht emocionet që i shoqërojnë ato. Ndjesitë që kemi përjetuar derivohen në kohë dhe treten me kohën, duke shkuar, herët a vonë, drejt shuarjes.
Ndodhitë e këqija, me mort edhe zi, megjithatë na vijnë nga thellësia e së shkuarës si rëndesa fataliteti. Shumë shpirtra kanë fluturuar të trembur nga kjo botë e ndyrë, për shkak të këtyre ndodhive. Vështirë të gjendet një popull tjetër në planet me humbje kaq të mëdha, të shpeshta dhe të padrejta jetësh njerëzore. Si në një ekran bardhezi, i kemi parasysh ngjarjet e frikshme të emigrimit: njerëz në luftë me urinë dhe fatin, njerëz të gllabëruar nga dallgët e detit; njerëz që ngrinin mes acarit, maleve dhe luginave të huaja, në udhëtimin makabër drejt ëndrrave të ngrira. Në vitin 1997, koha bëri një ndalesë. E dimë. Mijëra jetë u shuan dhe u harruan dhe shteti u ngreh dhe u shkreh. Ngjarje të tjera, ku përfytyrimi përzihet me realitetin, sundojnë vëmendjet tona… Gërdeci, me shpërthimin e frikshëm, që lëkundi themelet e iluzioneve mbi dhe e nën dhe, gjëmon ende në atmosferë. E kështu me radhë. Kalëruar në kohë, tronditjet kolektive vazhdojnë. Vrasje ordinere, vrasje politike, publike, hakmarrje, të gjitha këto, vit pas viti, kanë krijuar një etikë të kobshme gjëme në këtë vend, ku vdekja pushton gjithnjë e më shumë hapësirat e jetës. Kalimtare të epokës së zezë së tranzicionit, këto ndodhi, që do t’i kemi përgjithmonë të gdhendura në kujtesë, si emrat e gdhendur në gurët e varreve janë realiteti ynë.
Marrëdhëniet e njerëzve me këto ngjarje, vit pas viti, kanë ndryshuar dhe do të vazhdojnë të ndryshojnë. Koha i lehtëson dhembjet e së shkuarës, po aq sa i shëron veprimi dhe kjo është arsyeja pse koha, në perceptim, më shumë se çdo gjë, është aleate e pushtetit. Ajo punon për të, duke prodhuar dhe përdorur harresën. Aq më tepër që shqiptarët harresën e kanë një veçori thuajse fizike, si nishanin mbi buzë.
***
Mendimi se koha, në njëfarë mënyre, është aleate e pushtetit, përbën një parim, i cili në çdo rast shprehet me fjalën e vjetër: ‘Çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë’! Por, midis ndodhive të rënda të së shkuarës, që përmendëm më sipër, mund të hamendësojmë se ka një përjashtim. Ekziston një ngjarje e çliruar nga ligjet e kohës dhe ligjet e kujtesës: një ngjarje, si një masë e patretshme, që refuzon të fshihet nga kujtesa dhe ndjeshmëria e shqiptarëve.
Është 21 Janari!
I futur tmerrshëm në histori, 21 Janari është dita, në të cilën koha vërtet ka ndaluar. Edhe pse kanë kaluar shumë muaj dhe vite, asgjë nuk ka ndryshuar; dhembja, ndjesitë, pikëllimi, zemërimi, të gjitha janë po ato të ditës së parë: mish, plagë, vuajtje dhe gjak për të ndërgjegjshmit. Si një përjashtim, ndoshta për shkak se dhembja publike i kaloi kufijtë e së zakonshmes apo kushedi për çfarë arsye tjetër, duket se mes tragjedive të tjera të tranzicionit, 21 Janari hyri në histori për të mos u venitur kurrë. Ndryshe nga të tjerat, do të mbetet përjetë si një plagë e pambyllur, që do të rrjedhë pa pushim. Emocionet e këqija të kësaj dite kanë përshkruar hapësirën dhe kohën, pa u ndikuar prej tyre. Pikëllimi qytetar, edhe sot duket i njëllojtë me atë që ndjeu turma më 21 janar 2011, kur shteti qëlloi e vrau të pafajshmit në shesh.
Me sa duket, ngrirja nuk do të ngjasë. Dhembja për të vrarët nuk do të shuhet. Befasimi do të jetë po ai i ditës së krimit, ekstrem, i zi, lotsjellës, sepse më 21 Janar, shteti vrau. Nuk ishte një vrasje e zakontë. Shteti vrau pastër, me vetëdije të plotë, me gjakftohtësi, mallkueshëm. Vrau për hir të pushtetit, duke sjellë një harbutëri instiktive në psikozën kolektive të njerëzve për institucionet. Kjo gjë e veçon 21 Janarin nga tragjeditë e tjera. Në një përgjithësim, shteti nuk vrau, por u vetëvra. I krijuar nga një marrëveshje e përbashkët për të siguruar jetën, përkundrazi, më 21 Janar, shteti solli vdekjen. Vrau katër shtetas të pafajshëm. Vrau një pjesë të vetes. Hyri në gjak me vetveten! Më e saktë do të ishte të thuhej që pushteti, duke qenë shkak, duke qenë edhe një kuptim, ishte në këtë rast vrasësi i katër qytetarëve. Nuk i vrau shteti qytetarët, por pushteti i vrau ata. Pushteti vrau shtetin.
E parë kështu, 21 Janari shqiptar, duke pasur shenjtërinë e dhembjes dhe pafajësisë, nga njëra anë përbën njëherësh edhe simbolin e krimit, të babëzisë për pushtet, në anën tjetër.
***
Dhembja e 21 Janarit, aty ku gjaku rrjedh pa pushim dhe zjarri i zemërimit nuk shuhet, rreket të fitojë një përmasë të re. Dhe kjo është e kuptueshme. Ende plagë dhe prush, 21 Janari, përkundrazi, e përdor aq më shumë kohën për të sfiduar kohën, por edhe pushtetin, tek është duke ndodhur e kundërta, jo ngrirja e ngjarjes, jo lehtësim, jo shërim, por rëndim i saj. Fakti se kjo është një histori e ndodhur në një vend ku pushteti vret shtetin dhe mungon tërësisht drejtësia, si rrallëkund në planet, e çon klithmën kombëtare të zhgënjimit dhe dhembjes përjetësisht në qiell. Ngjan me një përpjekje të përzotshme që rreket të zgjojë Perëndinë, që Perëndia t’i zgjojë njerëzit, ata që janë tani në pushtet, në mënyrë që këta, ndryshe paraardhësve të tyre, të luftojnë që të rilindë realisht drejtësia në këtë vend.
(ma.ar/Gazeteta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: