TIRANE– Me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Emigrimit”, u çel sot në Tiranë ekspozita “Unë jam shqiptar”, kushtuar diasporës shqiptare.

Ekspozita nisi me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si përfaqësues i epokës që shënoi valët e para të emigrimit të shqiptarëve, vijoi me ngulmimet arbëreshe në Italinë e Jugut dhe komunitetet e tjera në vende të ndryshme të botës.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se kjo ekspozitë vjen si një mirënjohje ndaj të gjithë atyre shqiptarëve që, nisur nga shkaqe dhe periudha të ndryshme, kanë vendosur që jetën ta organizojnë në një vend tjetër, duke ruajtur traditat dhe zakonet shqiptare.

Ai vlerësoi se emigracioni është bërë pjesë e pandashme e kombit shqiptar, ndaj dhe theksoi se çdo shqiptar, pavarësisht kohës se kur i është dashur të largohet nga atdheu, është një vlerë dhe ambasador për vendin.

Veliaj tha se në këtë drejtim Shqipëria ka plot shembuj pozitiv që e përfaqësojnë denjësisht aty ku jetojnë dhe punojnë. “Ndonjëherë, nami i Shqipërisë është në proporcion të zhdrejtë me fuqinë e vet ekonomike dhe popullsinë. Besoj se kjo na vjen nga histori suksesi siç është Inva Mula, Eno Peçi në Vienë, Oleg Çezari në Romë dhe kudo tjetër, dhe besoj kompenson pafuqinë tonë të të pasurit të një shërbimi diplomatik të gjerë, duke pasur mjaftueshëm histori suksesi që mund të kryejnë gjithashtu edhe këtë funksion”, shtoi Veliaj.

Ai u ndal edhe te roli dhe rëndësia që qeveria i ka dhënë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, ku ka veçuar emërimin e një ministri për diasporën, si dhe promovimin e diplomacisë ekonomike.

Për t’i dhënë shqiptarëve vlerësimin dhe rëndësinë e duhur edhe në vendimmarrje që ndodhin në Shqipëri, kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi si mjaft të rëndësishme dhënien e të drejtës për të votuar atje ku jetojnë dhe punojnë. Ai siguroi të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut se do të kenë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës në rast se do të duan që kursimet e tyre t’i investojnë në Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: