Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një mesazh urimi në Ditën e Europës Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel. Në këtë mesazh, Presidenti Meta shpreh mirënjohjen ër ndihmën e menjëhershme pas tërmetit dhe përgjigjen ndaj pandemisë si dhe për vendimin inkurajues të Këshillit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kreu i Shtetit thekson se këto kohë sprovuese vërtetuan edhe një herë se bëhemi edhe më të fortë, vetëm duke qenë të bashkuar.

Tiranë, më 9 maj 2020
Shkëlqesia Juaj Charles Michel,
Dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta juve, si dhe të gjithë qytetarët evropianë në Ditën e Evropës!
Muajt dhe javët e fundit kanë qenë një vitrinë e vërtetë e solidaritetit, mbështetjes dhe inkurajimit evropian ndaj Shqipërisë.

Unë dhe bashkëqytetarët e mi jemi mirënjohës për ndihmën e menjëhershme që na dhatë pas tërmetit të nëntorit të vitit të shkuar, për përgjigjen e integruar ndaj pandemisë si dhe për vendimin inkurajues të Këshillit Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Jam i inkurajuar gjithashtu edhe nga përfundimet e Samitit të Zagrebit, që ritheksuan perspektivën evropiane të rajonit tonë si dhe domosdoshmërinë për të pasur një proces të pakthyeshëm pranimi, të mbështetur mbi vlerat e përbashkëta evropiane.

Do të vazhdoj të bëj çdo përpjekje për të favorizuar një zbatim të mirëfilltë të reformave, veçanërisht në drejtim të ndërtimit të një demokracie funksionale dhe të mbizotërimit të sundimit të ligjit, plotësisht në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, sipas standardeve më të mira evropiane.

Këto kohë sprovuese vërtetuan edhe një herë se bëhemi edhe më të fortë, vetëm duke qenë të bashkuar.

Zoti President, Gëzuar Ditën e Evropës!
Sinqerisht, Ilir Meta

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb