Është përkeqësuar gjendja e njërit prej grevistëve të Lumasit.

Gazetarja Eneida Petova, raporton për “BalkanWeb”, se grevisti Ylmi Shuaipi është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit. Kujtojmë se prej gjashtë ditësh, 5 banorë të fshatit Lumas, janë ngujuar në një godinë përballë zyrave të ish-komunës.

Vetë grevistët kanë deklaruar se edhe pse janë të sëmurë dhe gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet, ata nuk do ta ndalin për asnjë moment grevën e urisë.

Grevistët i qëndrojnë fjalës së dhënë për ta çuar grevën e tyre deri në fund dhe për tu vetëflijuar në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Ndërkohë që grevistët janë në ditën e tyre të gjashtë të grevës së urisë, banorët e Lumasit kanë vijuar për çdo ditë protestat e tyre në kanionin e Sinecit. Beteja për ujin e burimit të Sinecit vazhdon prej 4-muajsh,duke u shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes banorëve me firmën dhe policinë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb