Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit jep mesazhin se është “detyra jonë të sigurojmë që gjenerata e re trashëgon një botë të paqtë e harmonike”.

Në një postim në rrjetet sociale Bushati thotë se preludi i Holokaustit ishte indeferenca ndaj politikave ekstremiste, të veshura me petkun joshës të kohës, duke theksuar se dhe sot, pas 75 vitesh, beteja për fjalën e lirë si çelës i fomrësimit të rrëfenjës kolektive mbetet thelbësore “në një kohë që kultura demokratike evropiane po lëkundet mes dallgëve të pasigurisë të shkaktuar nga racizmi, ksenofobia, krimet dhe gjuha e urrejtjes”.

“Ne shqiptarëve, marrëzia e Holokaustit na vuri në test përballë historisë, vlerave dhe dashurisë për jetën. Atdheu ynë u shndërrua në një strehë të sigurtë për hebrejtë në Evropë”, thotë më tej Bushati.

Postimi i Plotë:

Dita e Përkujtimit të Holokaustit mbart një simbolikë që lidhet jo vetëm me aktin e pashembullt çnjerëzor nga një regjim, por edhe me shpresën dhe vulën e fitores së njerëzimit kundër së keqes.

Kur reflektojmë mbi këtë ligësi, kujtojmë sesi gjithçka filloi nga fjala. Nëpërmjet fjalëve u krijua një rrëfenjë e rreme për hebrenjtë. Nëpërmjet fjalëve u ngjiz frika që më pas u shndërrua në urrejtje. Nëpërmjet fjalëve paragjykimet u shndërruan në stereotipe dhe ajo që dikur nuk mund të imagjinohej u shndërrua në mendimin e ditës: në urrejtje, përndjekje e shfarosje të hebrejve.

Ne shqiptarëve, marrëzia e Holokaustit na vuri në test përballë historisë, vlerave dhe dashurisë për jetën. Atdheu ynë u shndërrua në një strehë të sigurtë për hebrejtë në Evropë.

Preludi i Holokaustit ishte pikërisht pasiviteti, indiferenca ndaj politikave ekstremiste, të veshura me petkun joshës të populizmit të kohës. Edhe sot, 75 vite më pas, beteja për fjalën e lirë si çelësi i formësimit të rrëfenjës kolektive mbetet thelbësore në një kohë që kultura demokratike evropiane po lëkundet mes dallgëve të pasigurisë të shkaktuar nga racizmi, ksenofobia, krimet dhe gjuha e urrejtjes.

Është përgjegjësia jonë e përbashkët për të rezistuar kundër çdo gjëje që kërcënon mënyrën tonë të jetesës, lirinë dhe vlerat e përbashkëta. Është detyra jonë të sigurojmë që gjenerata e re trashëgon një botë të paqtë e harmonike. #WeRemember #NeverAgain

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb