TIRANE

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i dërgoi sot një letër urimi Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Sllovakisë, Boris Kollar, me rastin e Ditës së Kushtetutës.

“Me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Sllovakisë, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, kam kënaqësinë të përcjell urimet më të ngrohta dhe të përzemërta për Ju, Këshillin Kombëtar dhe popullin mik të Sllovakisë.

Ne jemi krenarë për marrëdhëniet shqiptaro-sllovake, që ndër vite vetëm janë forcuar, mbështetur në vullnetin dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, por edhe prej kontributit të Sllovakisë në mbështetje të rrugëtimit europian të Shqipërisë.

Vendimi i Këshillit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është rezultat edhe i mbështetjes së vendosur të Sllovakisë dhe vendeve të Grupit të Vishegradit, për të cilën Shqipëria ju është thellësisht mirënjohëse.

Kuvendi i Shqipërisë është aktualisht i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve të Këshillit Europian, për përgatitjen e kuadrit negociues. Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e Sllovakisë, Këshillit Kombëtar dhe Tuajën që negociatat të çelen brenda këtij viti dhe të fillojë sa më parë diskutimi i kapitujve të tyre.

Marrëdhëniet ndërparlamentare gjithashtu janë shtuar dhe konsoliduar, veçanërisht mes komisioneve tona parlamentare, në planin dypalësh dhe atë shumëpalësh. Në këtë kontekst, më lejoni të shpreh gadishmërinë time të plotë dhe të Kuvendit të Shqipërisë për të bashkëpunuar nga afër në të gjitha nivelet, veçanërisht për intensifikimin e dialogut politik, në dobi të bashkëpunimit dypalësh dhe të rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

Duke ju përcjellë urimet e mia më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë, përsëris dëshirën time për t’ju vizituar në Bratisllavë apo për t’ju mirëpritur në Tiranë, kur ta lejojnë rrethanat.”, shkruan në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb