Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka përcjellë një mesazh me rastin e Ditës së Kushtetutës së Kosovës e cila u ratifikia 13 vite më parë.

Ruçi thotë se Kushtetuta zgjidh dy detyra themelore të Kosovës, pavarësinë dhe hedhjen e themeleve të shtetit të ri.

Ai shton se sot 13 vite pas ratifikimit të Kushtetutës, Kosova ndodhet në fazë të rëndësishme pas plotësimit të kuadrit institucional të cilat duhet të përballen me një sërë sfidash.

Ruçi siguron se Kuevndi i Shqipërisë do të nxitë gjithmonë bashkëpunimin vëllazëror me Kosovën.

 

NJOFTIMI NGA KUVENDI

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, ka përshendetur sot me një mesazh 13-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës.

“13 vjet më parë, më 9 prill 2008 Kuvendi i Kosovës ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta, si akti më i lartë juridik, zgjidhi dy detyra themelore: sanksionimin e pavarësisë dhe hedhjen e themeleve të ndërtimit të shtetit të ri të Republikës së Kosovës.

Pavarësia, sovraniteti, integriteti territorial  dhe rendi unik kushtetues janë vlerat themelore të pandryshueshme të Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuta sanksionoi gjithashtu të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit, përfshirë të drejtat e barabarta për grupet minoritare, në radhë të parë për pakicën serbe.

13 vjet pas miratimit të Kushtetutës, Kosova  ndodhet në  një fazë të rëndësishme të zhvillimit dhe perspektivës së saj euro-atlantike. Pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, Republika ka plotësuar tashmë kuadrin e saj institucional dhe ka zgjedhur të gjitha institucionet e saj kushtetuese.

Detyra e këtyre institucioneve është që, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me frymën, parimet dhe përmbajtjen e saj liberal-demokrate, të përballojnë e zgjidhin sfidat e objektivat madhore të zhvillimit, përparimit, mirëqenies,  integrimit euro-atlantik,  rritjes së njohjes ndërkombëtare dhe kontributit  për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Këto sfida mund të zgjidhen nëpërmjet mbështetjes dhe partneritetit strategjik me aleatët më të mëdhenj, më të fuqishëm e më të sinqertë të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, si edhe nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit me vendet e rajonit e më gjerë. Kuvendi i Shqipërisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një nxitës e mbështetës i bashkëpunimit vëllazëror midis Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb