Paolo Maldini është prezantuar edhe zyrtarisht ditën e sotme, si Drejtori i Zhvillimit Strategjik në klubin e Milanit. Një rikthim ky për kapitenin legjendar të kuqezinjve, që pas shumë kohësh i shkëputur, rikthehet në klubin e vetëm që ka luajtur në karrierë, me mbi 600 ndeshje zyrtare, dhe trofe të panumërt të fituar.

Në konferencën që u mbajt në Casa Milan, Maldini tha edhe fjalët e para, tashmë me petkun e drejtuesit në klubin kuq e zi.

Mirë se u riktheve Paolo. Emri juaj është lidhur me rikthimin te Milani, vitet e fundit. Çfarë ju bindi të ktheheni te ky Milan?
Në fakt nuk kam thënë kurrë jo. Një vit e gjysmë më parë, fola me pronarët kinezë, por nuk gjeta dot një rol për mua. Tani situata është ndryshe. Leonardo më telefonoi, dhe kisha besim te ky projekt. Jam shumë besimplotë se plani i tyre do ecë tashmë.

Siç e thashë, roli i Leonardos ishte thelbësor. Do ndajmë eksperiencën tonë si në të kaluarën. Jemi miq, dhe tashmë do punojmë së bashku. Nuk kemi pasur shumë kohë që kur pronarët ndryshuan, por jam takuar me pronarët e rinj, dhe gjithçka e kemi zgjidhur shumë shpejt.

Keni qenë i qetë si kapiten, nuk bërtisnit shumë. Si do jeni te roli i ri?
Karakteri im është i njëjtë. Roli në zyra tashmë është shumë më ndryshe, por është e rëndësishme që të jemi të përkushtuar te klubi, ekipi dhe e gjithë skuadra. E rëndësishme është që të gjithë të jemi të përkushtuar.

Çfarë ju pëlqeu te ky projekt i ri? Ju keni thënë se doni të punoni, dhe jo vetëm të jeni ambasador për klubin…
Projekti dhe roli im janë të lidhur. Roli ishte një element që vendosa të pranoj. Nuk kam përvojë si drejtor, por do punoj me Leonardon. Ai e di punën, e një klubin. Të punoj krah tij, do të jetë shumë e rëndësishme. Prandaj edhe vendosa të them “Po”.

Cili do të jetë ekzaktësisht roli juaj?
Unë do të punoj me merkaton, me trajnerin, me ekipin e parë dhe me ekipet e të rinjve. Do punojmë bashkmë me Leon, në të mirë e keqe. Do kemi përgjegjësi, në të gjithë fushën sportive të Milanit.

Çdo pozicion ka përgjegjësi, gjithsesi, është bukur të rikthehesh në një ambient si ky i Milanit. Babai im ka luajtur këtu, djemtë e mi luajnë me të rinjtë. Kam një lidhje të fortë me këtë klub.

Çfarë mund t’i premtoni tifozëve? Dhe çfarë ideje keni për ekipin? Çfarë përforcimesh mund të duhen?
Pikë së pari, objektivat e klubit janë të qëndrojmë brenda Fair-Play financiar, dhe nuk do ketë shpenzime të mëdha. Do flasim për strategjitë e merkatos sot. Pronarët duan që ta kenë klubin në një periudhë afat-mesme, por edhe të gjatë, prandaj pranova. Nuk dua që të punoj në punë të shkurtra. Me Gatuzon, kam folur, por do të takohemi përsëri. Kemi përfunduar të gjashtët, dy vite me radhë në Seria A. Sigurisht që duhet të përmirësohemi. Në ditët e ardhshme, do dimë më shumë edhe për merkaton.

Si do e përshkruanit faktin që zgjodhët të riktheheshit?
Historia ime personale më detyron të jem këtu. Nëse do kisha një zgjedhje, do zgjidhja të punoja vetëm për Milanin dhe kombëtaren Italiane.

A e dini kush do të jetë kapiteni i ri i Milanit?
Shumë njerëz duhet të marrin pjesë në zgjedhjen e kapitenit. Lojtarët, trajneri, është e vështirë të japësh një përgjigje për këtë pyetje.

As ju, as Leonardo, nuk jeni ndarë mirë me Curva Sud. Leonardo të paktën bëri diçka, me firmën e Higuainit. Si mendoni se do jetë lidhja juaj me tifozët tani?
Lidhja ime me ta është fantastike. Ata më duan, dhe e kanë treguar gjithmonë këtë gjë. Nuk mendoj se duhet të rregulloj ndonjë gjë me ta. Besoj se do të gjykohem për punën time, ashtu siç më kanë gjykuar kur kam qenë në fushë.

Çfarë ju ka munguar më shumë, këto 9 vite larg Milanit? Dhe çfarë mendoni se ka qenë gabimi më i madh këto vite?
Kam pasur një karrierë shumë të madhe, dhe kur vendosua të tërhiqem, e dija se do vinte një kapitull i ri. Më mungojnë gjithmonë dhomat e zhveshjeve, pasioni i tifozëve të Milanit, ndeshjet. Por tani, dua të fokusohem në këtë punë të re.

Blerjet e reja?
Higuain është një blerje fantastike, por Kaldara është e ardhmja e mbrojtjes, një i ri shumë i talentuar. Nga lojtarët e vitit të kaluar, Kutrone më ka surprizuar më shumë. E kam ndjekur që kur ka qenë i ri dhe ka një dëshirë të jashtëzakonshme. Edhe fëmijët e mi, e pëlqejnë si lojtar.

A do të jetë një Milan italian?
Ka pak ngjashmëri mes Milanit tim dhe këtij, në termat e italianëve. Veçanërisht në mbrojtje. Grupi i ri me lojtarë italianë do të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhmen tonë.

Edhe sa vite mendoni se do duhen për të ngritur trofe te Milani?
Qëllimi ynë është të ngremë kupa të tjera tek Milani. Na duhet vetëm të kemi durim, edhe nëse do e dimë që do na duhet pak kohë.

Gatuzo u largua jo shumë i qetë për në Amerikë. Mendoni se do ketë ndryshuar ndopak kur të kthehet?
Gatuzo nuk është kurrë i qetë. Ai nuk e di çfarë do të thotë i qetë. Ai është një njeri thelbësor, mbi të cilin do ndërtojmë edhe këtë klub. /PanoramaSport-http://www.panorama.com.al/sport/dita-e-maldinit-rikthehet-kapiteni-legjendar-fjalet-e-para-rikthejme-milanin-ja-pse-pranova-rolin-e-ri/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb