Banorët e Lumasit janë sot në ditën e tyre të nëntë të grevës së urisë. 5 grevistët që janë ngujuar në një godinë përballë zyrave të ish-komunës Lumas janë përkeqësuar nga ana shëndetësore.

Njëri prej grevistëve, Dashnor Subashi u përcoll në gjendje të rëndë ditën e djeshme me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku pasi mori për disa orë mjekim, serum dhe kreu ekzaminimin e zemrës u rikthye sërish në mbrëmje në grevë, edhe pse vijon të jetë i sëmurë.

Në gjendje të rënduar shëndetësore janë edhe të gjithë grevistët e tjerë, të cilët shfaqin probleme me tensionin, këputjen trupore dhe aritminë.

Vetë grevistët kanë deklaruar çdo ditë se edhe pse janë të sëmurë dhe gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet, ata nuk do ta ndalin për asnjë moment grevën e urisë. Grevistët i qëndrojnë fjalës së dhënë për ta çuar grevën e tyre deri në fund dhe për tu vetëflijuar në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Ndërkohë që grevistët janë në ditën e tyre të shtatë të grevës së urisë, banorët e Lumasit kanë vijuar për çdo ditë protestat e tyre në kanionin e Sinecit. Ata janë duke protestuar prej 4-muajsh në mbrojtje të ujit të burimit të Sinecit, duke kundërshtuar me forcë ndërtimin e ujësjellësit në këtë burim.

Edhe pse ADZM Elbasan në 29 Korrik mori vendimin për pezullimin e punimeve në kanionin e Sinecit, për shkak se është zonë e mbrojtur, punimet nuk janë ndërprerë për asnjë ditë. Paralelisht me protestat në Sinec, prej 9 ditësh janë futur në grevë urie edhe 5 banorë të Lumasit.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb