Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ka uruar për Ditën e Pavarësisë së Greqisë homologun e tij Kostas Tassoulas.

Pas vendimit pozitiv që mori dje Shqipëria për çelejn e negociatave nga ministrat e jashtëm të BE, Ruçi gjen rastin të falenderojë Tassoulasin, qeverinë dhe parlamentin grek për mbështetjen e vazhdueshme.

Po ashtu Ruçi është i vetëdijshëm se Dita e Pavarësisë po festohet në një kohë kur njerëzimi kërcënohet nga koronavirusi por shpreh bindjen se kjo luftë e vështirë do të fitohet.

 

“Greqia ka qenë dhe do të mbetet një vend fqinj, mik dhe partner i ngushtë i Shqipërisë, me të cilin na bashkon e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja si edhe vlerat e përbashkëta, të krijuara e të konsoliduara në përpjekjet e të dy vendeve tona për zhvillim, mirëqenie, paqe e stabilitet, në rajon e më gjerë.

Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme nga Greqia të rrugëtimit të saj europian, i cili u kurorëzua me vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjej rastin të falendëroj edhe njëherë për këtë mbështetje Parlamentin dhe Qeverinë e Greqisë si edhe Ju personalisht.

Greqia u ka dhënë mundësi qindra-mijra emigratëve shqiptarë të ndërtojnë në këtë vend punën dhe jetët e tyre, duke kontribuar si për rimëkëmbjen e familjeve dhe zhvillimin e atdheut të tyre, ashtu edhe në ekonominë dhe shoqërinë greke, për të cilën Shqipëria është mirënjohëse.Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura miqësie midis të dy vendeve tona.

Dita e Pavarësisë së Greqisë festohet në një kohë kur vendet dhe qytetarët tanësi edhe të vendeve të tjera të botës po luftojnë për mbrojtjen e jetës kundër një armiku të rrezikshëm që kërcënon njerëzimin, koronavirusit Covid-19. Duke shprehur besimin dhe vendosmërinë se njerëzimi do ta fitojë këtë luftë të vështirë, përsëris edhe njëherë urimet e mia më të ngrohta për Ju, Parlamentin  e Greqisë dhe popullin grek.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z.Gramoz Ruçi, në letrën e urimit drejtuar Kryetarit të Parlamentit të Greqisë, z. Kostas Tassoulas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb