Me rastin e Ditës së Portugalisë, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Asamblesë së Republikës, Eduardo Ferro Rodrigues.

Në letrën e tij, Ruçi thekson se “Portugalia është bërë sot një vend i përparuar, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian dhe një kontribuese e madhe në përpjekjet e njerëzimit për zhvillim, progres dhe paqe”.

Letra e kryeparlamentarit Ruçi:

Me rastin e Ditës së Portugalisë, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, ju dërgoj përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta.

Dita e Portugalisë është një ngjarje e shënuar në historinë e popullit portugez. Camões dhe vepra e tij u bënë simboli i mbijetesës së kombit, i historisë, arritjeve dhe përparimit të Portugalisë gjatë shekujve.

Portugalia është bërë sot një vend i përparuar, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Europian dhe një kontribuese e madhe në përpjekjet e njerëzimit për zhvillim, progres dhe paqe.

Shqipëria dhe Portugalia kanë marrëdhënie shumë të mira dhe unë shpresoj që bashkëpunimi midis dy vendeve tona si edhe midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë së Republikës do të njohë zhvillime të reja në të ardhmen.

Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe timen personale për mbështetjen e Portugalisë, veçanërisht të Presidencës Portugeze të Këshillit të Bashkimit Europian, ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, dhe mbështetjen për mbajtjen sa më shpejt të Tryezës së Parë Ndërqeveritare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb