“Largimi i të rinjve na privon nga talenti dhe energjia për ndryshim, e na bën të ndjehemi shpeshherë dështak, përballë aspiratave të tyre”, shprehet ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në mesazhin e tij për Ditën e Rinisë që shënon 30-vjetorin e lëvizjes studentore.

Sipas Bushatit, duhet të mbajmë gjallë ëndrrën dhe idealet e Dhjetorit ‘90, që forca rinore e ndryshimit të triumfojë. Ai thotë se revolucioni i dhjetorit ’90 nuk synoi pushtetin por rinia ishte e etur për të shijuar frytet e lirisë.

“Mijëra shqiptar, të rinj e intelektual morën rrugët e Perëndimit për një jetë më të mirë. Largimi masiv i popullsisë në ato kohëra shprese, por edhe ankthi e varfërie, siç ishte periudha pas përmbysjes së sistemit e komunist, pati pasoja në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore, duke e bërë tranzicionin edhe me të vështirë. Ikja është varfërim i kapitalit njerëzor me pasoja të parikuperueshme për vendin”, shkruan ish ministri i Jashtëm.

E për ish ministrin ëndrra e të rinjve nuk duhet shuar, duke kujtuar se ikja e atyre viteve solli varfërim të kapitalit njerëzor me pasoja të parekuperueshme për vendin. “30 vite më pas, të rinjtë duan të largohen nga Shqipëria, sërish për një jetë më të mirë, për të shpëtuar nga thundra e tranzicionit dhe pasiguria që e shoqëron atë”, vijon ai.

Postimi i plotë:

ËNDRRA QË NUK DUHET SHUAR
8 Dhjetori i vitit 1990 nuk ishte thjesht pikënisja e Lëvizjes Studentore që përmbysi sistemin komunist, por dita që ndau të shkuarën nga e ardhmja.
Idealizmi, gëzimi dhe euforia shoqëruan revolucionin e Dhjetorit ‘90, në ballë të të cilit u vendosën intelektualët, për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa. Shpresat për rrënjosjen e demokracisë liberale dhe kapitalizmit ishin të mëdha.
Ndryshe prej revolucioneve që njeh historia, forca kryesore shtytëse e revolucionit të Dhjetorit ‘90 nuk synoi pushtetin. Ajo ishte e etur për të shijuar frytet e lirisë. Mijëra shqiptar, të rinj e intelektual morën rrugët e Perëndimit për një jetë më të mirë.
Largimi masiv i popullsisë në ato kohëra shprese, por edhe ankthi e varfërie, siç ishte periudha pas përmbysjes së sistemit e komunist, pati pasoja në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore, duke e bërë tranzicionin edhe me të vështirë. Ikja është varfërim i kapitalit njerëzor me pasoja të parikuperueshme për vendin.
30 vite më pas, të rinjtë duan të largohen nga Shqipëria, sërish për një jetë më të mirë, për të shpëtuar nga thundra e tranzicionit dhe pasiguria që e shoqëron atë.
Largimi i të rinjve na privon nga talenti dhe energjia për ndryshim, e na bën të ndjehemi shpeshherë dështak, përballë aspiratave të tyre. Në dekadën e katërt të tranzicionit dhe dekadën e tretë të shekullit 21, na duhet të mbajmë gjallë ëndrrën dhe idealet e Dhjetorit ‘90, që forca rinore e ndryshimit të triumfojë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb