Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar homologun e tij italian, Sergio Mattarella, me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Italiane.

Përmes një letre të hapur, të publikuar në rrjete sociale, Meta, vlerëson bashkëpunimin mes vendit tonë dhe Italisë, duke theksuar, se dy popujt, kanë qëndruar gjithmonë bashkë në raste vështirësish.

Meta ndër të tjera, thotë se Italia, do të jetë avokate shumë e madhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Letra e plotë e Presidentit Ilir Meta:

I nderuar President, Sh.T.Z Sergio Mattarella,

I dashur mik,

Me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës Italiane, kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju dërgoj Juve dhe popullit mik italian urimet më të përzemërta dhe më miqësore!
Jam shumë i lumtur të vlerësoj sot marrëdhëniet e shkëlqyera historike e shumëdimensionale midis Shqipërisë dhe Italisë, të cilat, falë edhe partneritetit tonë strategjik, po pasurohen e fuqizohen në vijimësi, si në dimensionin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh, në kuadër të nismave ose organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.

Jam shumë i gëzuar të konstatoj se, edhe në rrethanat shumë të vështira për të gjithë botën, të shkaktuara nga pandemia Covid-19, të dy vendet tona dhe popujt tanë, dëshmuam edhe një herë dashurinë, solidaritetin dhe miqësinë e tyre vëllazërore, duke qëndruar pranë njeri-tjetrit, për të lehtësuar dhimbjen dhe pasojat e kësaj pandemie mbarëbotërore.

Ju jemi mirënjohës për ndihmën e sinqertë, që i dhatë vendit tim dhe popullit shqiptar në këto ditë të vështira, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë e sinqeritetin e marrëdhënieve tona dhe garancinë se ato do të jenë edhe më të mira në të ardhmen.
Në themel të këtyre marrëdhënieve, i nderuar President, qëndron historia shekullore e komunitetit arbëresh në Itali e njëkohësisht emigracioni shqiptar i pas viteve ’90, të cilët, vetëm falë shpirtit mikpritës të popullit tuaj gjetën strehëzën e tyre të ngrohtë për t’u integruar e kontribuar, në të njëjtën kohë, në një shoqëri të vlerave të thella europiane, duke dhëne një shembull unik për ditët e sotme dhe për sfidat e dinamikat ndërkombëtare, me të cilat përballet njerëzimi sot.

Jam i lumtur të pohoj sot se, edhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer të vendeve tona, si dy vende anëtare të NATO-s, për çështjet e sigurisë rajonale e më gjerë, ne shikojmë tek Italia avokaten e fuqishme ndaj procesit eurointegrues të Shqipërisë dhe u jemi shumë mirënjohës për këtë e për gjithë mbështetjen tuaj të pareshtur ndaj Shqipërisë dhe vendit që ajo duhet të meritojë në familjen e madhe europiane.

Duke ju ripohuar edhe një herë ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, i nderuar mik, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: