Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dhënë një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se arsimtarët shqiptarë janë më të keqpaguar se të gjithë kolegët e tyre në rajon dhe në kontinent.

Dhjetë vite në pushtet, Edi Rama nuk bëri asgjë për të ndryshuar gjendjen e rëndë në arsimin shqiptar, shton Meta në reagimin e tij.

Postimi i plotë:
DITA NDËRKOMBËTARE E MËSUESIT i gjen sot arsimtarët shqiptarë më të keqpaguar se të gjithë kolegët e tyre në rajon dhe në kontinent.
Të dhënat e përpiluara nga Komisioni Europian, të bëra po sot publike nga “Euronews” e renditin pagën e mësuesit shqiptar të fundit në Europë me rreth 4,233 euro në vit, shumë herë më pak se të ardhurat vjetore nga paga të një mësuesi në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi apo Malin e Zi ku mësuesit paguhen dy herë sa këtu.
Dhjetë vite në pushtet, Edi Rama nuk bëri asgjë për të ndryshuar gjendjen e rëndë në arsimin shqiptar, përkundrazi Dita Botërore e Mësuesit i gjeti sot pedagogët dhe profesorët në protestë për dinjitetin e tyre, trajtim financiar të paktën sa Kosova dhe kushte më të denja mësimdhënie.
Në vend të dëgjojë zërin e arsimtarëve, Qeveria thellon arrogancën deri në mbylljen e shkollave dhe kopshteve, si dhe refuzon të plotësojë kërkesat e tyre plotësisht të drejta dhe të realizueshme.
Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin sepse prioriteti i Rilindjes janë inceneratorët, koncensionet, PPP-të, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë.
Arsim cilësor pa buxhetim nuk mund të ketë!
Vetëm arsimi, si prioritet kombëtar, sjell zhvillim të qëndrueshëm, frenon shpopullimin dhe garanton të ardhmen e sigurt europiane!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: